Një histori dhe memorial i harruar

577
Sigal

Vende të tilla në botë janë restauruar e respektuar duke u treguar një vëmendje e veçantë

Duke udhëtuar për në zonën e Porto-Romanos, në anë të rrugës, të  bie në sy një kolonë e rëndë (memorial) beton armeje veshur me pllaka dekorative, me disa germa bronzi që dëshmojnë për  diçka  dhe që nuk kanë në mes rreshtash “komunizëm” e veçantë, kjo, për kohën kur u ndërtua. Monumenti, për fat të mirë jo shumë i dëmtuar qëndron mirë  dhe lidhur me infrastrukturën dhe në një pikë që frekuentohet shumë, prej zonës turistike pse jo edhe asaj industriale.

Vendi  ku është ngritur ky memorial, ka një histori të Luftës së Dytë Botërore, e cila i kalon përmasat e historisë së qytetit apo edhe  të vendit. Historianët të më korrigjojnë… Unë jam njohur me këtë histori në vitet ‘80, kur m’u ngarkua të  projektoja këtë memorial, për të përjetësuar këtë histori në memorial, më duhej të njihesha dhe të shfletoja  për historinë, përpara  se të hidhja vijat e para të projektit . Nga sa munda të informohem, mësova se në këtë vend, gjermanët kishin krijuar e ndërtuar një qendër  grumbullimi të të burgosurve të luftës që nuk ishin vetëm shqiptarë, por edhe të huaj, nga ku  mbas qëndrimit të përkohshëm  niseshin  për në  kampet e përqendrimit e të shfarosjes në vende të  ndryshme të Europës. (Figura 2)

Gjurmët e deri tanishme tregojnë për një mini-kamp, ku ishin  të ndërtuara disa kapanone, për fjetjen e  të burgosurve, ambiente të tjera ndihmëse, një rrethim me tela me gjemba dhe kullat e vrojtimit që ekzistojnë edhe sot. Material grafik edhe të dhëna për këtë vend- tranzit të të burgosurve, në kohën që mendoja për përmendoren, më ka ndihmuar shumë historiani i njohur durrsak Sali Hidri, të cilin e ftoj edhe sot të sjellë në dritë këtë fakt që ka ndodhur në veri të qytetit tonë në vitet e Luftës së Dytë Botërore, ku me siguri ka patur edhe të burgosur shqiptar që kanë kaluar këtë histori në këtë vend.

Fakte të tërthorta lidhur me këtë histori, na sjell një ushtar italian  i burgosur. Ferruçio Francesco Frisone (1909-1973), piktor, ka lenë një ditar me skica grafike, nëpërmjet, të cilave tregohet historia dhe vuajtjet e të burgosurve dhe ndër të tjera shprehet se ishin të burgosur që depërtoheshin nga Shqipëria drejt kampeve të përqendrimit në Europë. (figura 3)

Ferrucio Francesco Frisone piktor, ushtar Italian i Luftës së Dytë Botërore, shkruan një ditar që dokumenton deportimin nga Shqipëria në kampin e përqendrimit në Fullen në Gjermani, duke i përshkruar me vizatime të shkëlqyera me laps, duke zëvendësuar fotografitë, të këtyre ngjarjeve  dramatike.

 Për këtë dëshmitar të veçantë kanë shkruar e treguar autorë të ndryshëm në botë (figura 4) ku nga dëshmitë e tij, përmendet gjithnjë Shqipëria nga vinin të burgosurit.

Diku në këto ngjarje të përshkruara nga autorë të ndryshëm, del edhe për një kamp përqendrimi në Kavajë në kushte të tmerrshme… gjë për të cilën nuk kisha dëgjuar më parë. Siç shihet nga (fig5) del një fakt që atë grup të burgosurish paska qenë edhe inxh. Alfred Ëiesner që themeloi kur u kthye në Itali një nga të famshmet firmë akulloresh “ALGIDA”.

Në vitin 2013, një trashëgimtare e tij bën të mundur në Holandë të botohet një libër i quajtur “Fullen” siç quhej kampi përqendrimit në Gjermani  (Van Albanie naar kamp VI/C in Fullen),botim të cilin nuk kam mundur ta gjej për më tepër që është në gjuhen e vendit, ku është botuar.

Vende të tilla në botë janë restauruar e respektuar duke u treguar një vëmendje e veçantë mbasi shërbejnë si vende pelegrinazhi për familjarë të viktimave, që nisen nga anë e anës për të përkujtuar të rënët e luftës, apo dhe për kureshtjen e brezave të rinj në forma guidash turistike. Fatkeqësisht tek ne është harruar e braktisur prej vitesh. Shumë pak punë i duhet institucioneve përgjegjëse për të treguar pak kujdes për këtë vend që mund dhe është i veçantë jo vetëm për qytetin, por për mbarë Shqipërinë. Më shumë kujdes për historinë…

Arkitekt, Hajdar Kovaçi