Një guvernator për vendet e Ballkanit

663
Pas vizitës në Shqipëri e Serbi, kryeministri belg hedh idenë e një të dërguari të posaçëm me legjitimitet politik
Një i dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor mund të kontribuojë në stabilizimin e rajonit. Ishte kjo deklarata e kryeministri belg Charles Michel, dje gjatë një debati në Parlamentin Evropian. “Duke u kthyer nga një mision në Shqipëri dhe Serbi u binda se Evropa nuk mund të jetë e kënaqur duke qenë thjesht një lehtësuese”, tha kryeministri belg gjatë fjalimit në Bruksel. Sipas tij, BE duhet të dërgojë një të dërguar të posaçëm në Ballkan për “të ndihmuar të krijojë një perspektivë stabiliteti” në rajon. I dërguari duhet të jetë i pajisur me “legjitimitet politik”, shtoi Michel, sipas të cilit ish-shefat e shtetit apo qeverisë mund të kenë besueshmërinë për të luajtur një rol të tillë. “Ne duhet të shmangim që në një kohë të caktuar të ballafaqohemi me një përshkallëzim”, përfundoi ai. Propozimi i tij u mirëprit nga Presidenti i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani. Perspektiva e zgjerimit të Bashkimit Evropian në vendet e Ballkanit Perëndimor është kthyer në agjendën politike të evropianëve për disa muaj tani. Një Samit informal mbi këtë temë do të mbahet më 17 maj në Sofje. Në momentet e forta të krizave, Bashkimi Evropian ka dërguar disa herë përfaqësues të tij në Ballkan, por këtë herë ideja e kryeministrit belg shkon më tej. Ai flet për një ish-president apo ish-kryeministër, i cili do të ketë peshë politike dhe do të shërbejë si hallkë lidhëse e monitorimi mes vendeve të Ballkanit dhe Brukselit. Megjithatë mungojnë detajet lidhur me diskutimin e kësaj ideje gjatë vizitës së z. Michel në Tiranë. Sipas deklarimeve të kryeministrit belg, propozimi duhet të jetë shtruar përpara qeverive përkatëse në Tiranë e Beograd. Bashkimi Evropian është i angazhuar aktualisht me disa misione në sistemin e drejtësisë në Shqipëri e Kosovë, ndërsa në Kosovë e Bosnje kanë ekzistuar edhe struktura administrative ndërkombëtare, krahas pranisë ushtarake të huaj në disa shtete. Propozimi për një guvernator të Ballkanit mund të jetë një nga temat e bisedimeve në samitin BE-Ballkani Perëndimor që do të mblidhet në Bullgari pas pak ditësh.
Sigal