Një grup artistësh bëhen pjesë e veprimtarisë “Java e Fëmijëve Jetimë”, që zhvillohet në Presidencë

872
Personalitete të artit dhe trupit diplomatik, pjesë e veprimtarisë “Java e Fëmijëve Jetimë” që zhvillohet nën kujdesin e Presidentit Meta

Në kuadër të veprimtarisë “Java e Fëmijëve Jetimë” që zhvillohet nën kujdesin e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta, në bashkëpunim me Institucionin Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, një grup artistësh të njohur vizituan ekspozitën e hapur me këtë rast pranë Institucionit të Presidencës.
Ardit Gjebrea, Soni Malaj, Venera Lumani dhe Lindi Islami vlerësuan angazhimin e Presidentit Meta për organizimin e veprimtarisë ndërgjegjësuese dhe solidarizimin e përkrahjen e tij për fëmijët pa kujdes prindëror. 
Në aktivitetin ku morën pjesë edhe fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë dhe nxënësit e shkollës së mesme “Sami Frashëri” në Tiranë, artistët e njohur Ardit Gjebrea, Soni Malaj, Venera Lumani dhe Lindi Islami shprehën solidaritet me fëmijët pa kujdes prindëror.

Gjithashtu, në kuadër të kësaj veprimtarie i pranishëm për të ndjekur ekspozitën e hapur me këtë rast pranë Institucionit të Presidencës ishte edhe Zv/ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, z.Bai Yunbin.
Në aktivitetin ku merrnin pjesë nxënës të shkollave 9-vjeçare “Hillary Klinton” dhe “100 Vjetori i Pavarësisë”, si edhe nxënës të gjimnazit “Ibrahim Rugova” në Kamëz, zv/ambasadori i Republikës Popullore të Kinës, shprehu solidaritetin e tij me fëmijët pa kujdes prindëror në Shqipëri dhe në emër të popullit kinez ndau dhe disa dhurata e ndihma materiale për fëmijët jetimë të Bashkisë Kamëz.
“Është kënaqësi për ne në Ambasadën e Republikës Popullore të Kinës që të japim kontributin shumë modest për fëmijë kaq të bukur e të dalluar. Në emër të Ambasadës duam të vlerësojmë nismën e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për këtë çështje. Shpresojmë që në të ardhmen ju të keni më shumë njohuri edhe për Kinën. Ju uroj një jetë sa më të këndshme dhe suksese në mësime”, – theksoi zv/ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, z.Bai Yunbin.
Sigal