Një drejtor policie nga zona ku lind dielli, banket për rekordin e bërjes 1 milionë euro, për 1 vit

656
Florinda SINJA
Kishim dëgjuar deri tani, që bëhen kokteje, dreka e darka për dasma, fejesa, për ardhje fëmijësh në jetë, për emërime në detyra të larta shtetërore, për shpëtim nga vdekja, për pranim si komunist në PPSH, për blerje lope, për hedhje tarrace shtëpie në fshat, për ikje e kthim djali nga ushtria, për blerje televizori (dikur), për ndërtim vilash, për rekorde sportive, për dalje në pension, për vizita shtetarësh në shtëpi, për kandidim e fitore si deputet dhe kryebashkiak, për fitim çmimi të parë në festival, për medalje sportive, për emërim si prefekt e ministër, për dërgim fëmijësh me studime jashtë shtetit e bankete për fitim lotarie etj. Por nuk kishim dëgjuar, që të organizohej banket edhe për “rekord” në fitim miliardash nëpërmjet funksionit zyrtar. Këtë “traditë” të re “festash” e krijoi dhe para disa ditësh në Shqipëri një drejtues i lartë policie, i një prej zonave nga lind dielli! 

Pas 1 viti në detyrë si drejtor policie, ai ka “zbuluar” se ka mbledhur 1 milionë euro të “thata”, vetëm duke urdhëruar e duke firmosur letra zyre për “punë me vulë zyre”. Se me çfarë marifetesh e ka mbushur “thesin” 1 milionë euro brenda 1 viti në detyrë drejtuesi policor i zonës nga lind dielli, kjo është e qartë si “drita e diellit”, paçka se detajet i di vetëm ai dhe “viktimat” që kanë “rënë në rrjetën” e tij dhe që për të shpëtuar kanë derdhur milionat në “thesin” e tij. Pasi zbuloi se kishte plotësuar shifrën 1 milionë euro, drejtuesi policor ka vendosur ta festoj këtë “rekord” financiar, që brenda 1 viti nuk e vendosin dot as biznese kazinosh “VIP”! Shumë i bindur edhe prej informacioneve të përditësuara konfidenciale që kishte marrë nga kolegët drejtues policie të zonave të tjera, se shifra 1 milionë euro e mbledhur brenda 1 viti ishte “rekord” i thyer vetëm prej tij, ai u telefonoi “miqve të afërt” biznesmenë, kolegë të besuar drejtorë e shefa në polici dhe në institucione të tjerë, me të cilët ka punuar e punon edhe në këto ditë lufte për asgjësimin e drogës. I ftoi për… “një darkë sulltanësh”. 

Darkën, mendoi ta organizonte në një rezidencë “larg syve dhe veshëve të qytetarit dixhital”! Mësohet se mes të ftuarve, ishte edhe një i “deleguar” nga ministria si dhe një përfaqësues i shoqatës së fermerëve të drogës “Grusht-bashkuar rreth hashashit”! Pyetjes së të ftuarve, se për çfarë “sebepi” organizohej darka speciale, drejtori “1 milionë euro” ua la surprizë, duke u thënë se do ta deklaronte në momentin e ngritjes së dollisë, duke i porositur që kjo darkë të “mbahej sekret”, siç “mbahen sekret” prej tyre aksionet policore anti-krim! Disa nga të ftuarit kolegë të tij drejtorë e shefa, i thanë ta shtynte edhe për disa ditë banketin, mbasi ata ishin të zënë me luftën për asgjësimin e drogës në zona, por edhe sepse ua kishte prishur humorin opozita me akuzat me emra e mbiemra që u bënte përditë! Por drejtori “1 milionë euro” këmbënguli dhe ashtu u bë! Ndërsa prisnin surprizën e banketit të “vëllaçkos” së tyre drejtor, ai ngriti gotën e tha: “Sot, festoj rekordin e plotësimit të 1 milionë eurove për 1 vit, për të tilla gëzime u mbledhshim çdo vit, për secilin prej nesh”! Me bekimin dhe lutjen “Amin”, kryqëzuan gotat, si dikur princat shpatat!
Sigal