Një deputet në Elbasan, sekser gjykate

626
Sigal

Lidhja me gjyqtarët dhe zhvatja e mijëra eurove për mbylljen e një procesi

Një deputet në Elbasan, një ligjvënës, që diskuton dhe miraton ligjet në sallën e Parlamentit, një njeri i mandatuar me votën e lirë të qytetarëve, është kthyer prej vitesh në sekser gjykate. Atë do ta takosh dhe do ta gjesh pothuajse çdo javë duke pirë kafe me gjyqtarë, prokurorë, hetues dhe policë, dhe jo për shkaqe pune, por për të mbyllur pazaret për paratë që merr si ryshfet. Deputeti është mjaft i zellshëm ndaj parasë, e kërkon troç atë, dhe kur i merr ato, hidhet në kundërsulm për  të marrë të tjera pas skenarëve që u ngre sidomos biznesmenëve, familjarëve të tyre  dhe personave me para. Ky njeri është kthyer prej vitesh në person me pasuri, me para dhe me rrjet  të zgjeruar të korruptuarish, që e kanë zanafillën nga kioskat e avokatëve, tek zyrat e Gjykatës e Prokurorisë. Askush nuk ka shansin të dalë “pa lagur” nga zyra e tij, dhe biseda në kafene me atë njeri, pa paguar 5 deri 30 mijë euro, sipas rëndësisë së çështjes penale apo civile që ka hallexhiu. Ky deputet është kthyer sot në turpi i Parlamentit, pasi ndryshe ai quhet në Elbasan edhe si “sekseri i pangopur me euro”. Përgjatë mandatit të tij, ai është marrë me skenarë, prapaskena, intriga, dhe kjo vetëm e vetëm për tu bërë kurthe e presione sidomos biznesmenëve, duke u marrë  atyre para me miliona, e duke u kthyer shpinën, duke i sulmuar për tu marrë edhe bizneset. Burime nga Gjykata dhe Prokuroria thanë për “Telegraf” se, “deputeti pothuajse është bërë si i shtëpisë, vjen troket, ndërhyn me autoritetin e ligjvënësit, bën pazare , bën presione, telefonata, dhe pastaj ikën”. Por mësohet gjithashtu se, ky deputet ka futur në lakun e tij edhe mjaft prokurorë e gjyqtarë, duke ndarë me ata mijëra euro të marra nga biznesmenët, që edhe pse nuk kanë patur asnjëherë punë me drejtësinë, janë futur në telashe dhe kurthe pasi duhej të mbushin xhepin e tij me para të pista. Deputeti i Elbasanit, ka qenë dhe mbetet mjaft aktiv edhe në fushata elektorale, ku vetëm fushatën e fundit ai ka marrë e ka mbledhur mijëra euro nga tregtarë e biznesmenë madje edhe në tavolina lokalesh në emër të partisë. Por sikur të mos mjaftonte kjo, në vend që t’u tregonte mirënjohje e respekt për paratë e marra qyl, deputeti pa mbushur muajin, ka nisur sulmet duke u dërguar sponsorizuesve në bizneset e tyre, tatimorët, antikontrabandën, madje, edhe Policinë e Shtetit. Ka prej këtyre sponsorizuesve që akoma nuk kanë mbyllur problemet e hapura nga ky deputet me organet e drejtësisë. Deputeti ka sot në Elbasan rrjetin e tij të intrigantëve, provokatorëve, që nisin nga uniformat e shtetit e mbarojnë në Prokurori e Gjykatë. Ky rrjet  ka patur shtrirje deri para pak kohësh edhe në piramidën e drejtësisë, ku viktimat e tyre ishin dhe mbeten akoma edhe sot biznesmenët. Vlera e gjobave për të mbyllur një proces penal të sajuar nis nga 10 deri 110 mijë euro, duke detyruar mjaft biznesmenë të mbyllin aktivitetet e tyre, apo të transferojnë familjarët  jashtë shtetit, për ti shpëtuar telasheve. Keqpërdorimi mandatit të deputetit, kthimi i një ligjvënësi në sekser gjykatash, apo në gjobëvënës, është një tregues i qartë i degradimit të shtetit, i kapjes së tij nga persona dhe klane të tilla kriminale, të cilat po mbajnë peng progresin e këtij vendi. Ata duan të trembin çdo biznesmen të ndershëm, çdo qytetar të rregullt dhe dinjitoz që kërkon zbatimin e ligjit në Shqipëri, duke i mbajtur nën presion e duke u zhvatur miliona lekë për të veshur me luks të pamerituar jetën dhe familjen e tij. Fatkeqësia më e madhe qëndron në faktin se, bashkëpunëtorë të këtij deputeti (dhe mjaft deputetëve të tjerë) në pazaret e pista janë  njerëzit e drejtësisë, dhe Policisë Shtetit. Shumë shpejt “Telegraf” do të botojë dëshmi nga viktimat e këtij deputeti, kryesisht tregtarë e biznesmenë, që do të tregojnë me fakte, datën, orën dhe vendin e takimit, si  dhe shumën e eurove që kanë paguar për të mbyllur proceset e montuara dhe të sajuara. Fjalën, pastaj, le ta ketë drejtësia. Madje, ka edhe të dhëna se këta njerëz të veshur me kostumin e pushtetarit që kanë bërë nga dy shtëpi e më shumë,për vete dhe fëmijët. Këto janë rastet që duhet të hetojë Krimi Ekonomik, ILDKP-ja dhe jo të merret me vogëlsira dhe me ata që dalin të shesin dy banane dhe që luftojnë për bukën e gojës.