Një dekoratë për… fermerët e Lazaratit

648
Sigal

 

 Specialistë të bujqësisë, aktivistë të shoqërisë civile, bankierët e Shqipërisë  i drejtojnë një Lutje të madhe Presidentit Nishani

 Në fshatrat e Gjirokastrës, emigrimi ka sjellë, njëfarësoj, edhe braktisjen, jo vetëm të fshatrave nga banorët, duke i kthyer, në më të shumtën e herës,  shtëpinë në haure bosh, të cilave po u bien edhe çatitë, ngaqë kanë vite të tëra që nuk ndjejnë më brenda tyre asnjë frymë njeriu, por edhe shterpësinë e të gjitha tokave bujqësorë, sepse ka vite të tëra që nuk ngulet asnjë kazmë e lopatë, që të punojë tokat. Por, krejt ndryshe ndodh në Lazarat. Banorët, jo vetëm që nuk e kanë braktisur fshatin e tyre,  por banorë të Lazaratit janë bërë edhe qindra të ardhur nga e gjithë Shqipëria, edhe pse ndodhet në majë shkëmbi, edhe pse është afër qytetit të Gjirokastrës, aq sa edhe kur dikush gjuan me armë nga gëzimi, gëzhojat e plumbave mbërrijnë deri të sheshi “Çerçiz Topulli”. Edhe pse Lazarati i ngjan një luleje e mbirë në shkëmbinjtë e malit të Sopotit, edhe pse  në malin e Sopotit e vetmja bimë që bën hije është rigoni e tek-tuk çaji i malit, më këto muaj të beharit Lazarati është një det i gjelbër, thua se je në Myzeqenë e Enverit, në kohë pranvere, kur fushat jeshilonin nga gruri. Dhe jeshillëku që mbulon tërë Lazaratin, nuk është nga pemët, sepse dihet, që në Lazarat, nuk mbin asnjë pemë, por nga plantacionet e tëra të kultivimit të  hashashit. Dhe për këtë mrekulli, të jeshillëkut pa kufi të hashashit në Lazarat, në muajt e beharit, ku edhe bari në malin e Sopotit është tharë, që në maj, specialistët e bujqësisë të Universitetit Bujqësor të Kamzës, ia dinë për nder fermerëve  të Lazaratit, të cilët , veç të tjerave, me gjithë këtë jeshillëk në muajt e beharit edhe në malin e mbuluar me shkëmb, po kontribuojnë në zhvillimin e bujqësisë, në një moment tepër kritik, kur bujqësia në Shqipëri gati-gati po shuhet, ngaqë askush nuk ka më interes që të punojë e të kultivojë as edhe një pemë e fidan domateje. Por, jo vetëm kaq.  Specialistët e universitetit të Kamzës e kanë të qartë se pa plantacionet e hashashit në Lazarat, nuk ka edhe bujqësi në Shqipëri. Specialistët e universitetit të Kamzën, madje, kanë arritur edhe në një projekt gjenial. Në Lazarat mund të ngrenë me sukses edhe një institut të veçantë për krijimin e farërave më të mira në botë të kultivarëve të Hashashit, i cili mund të kultivohet edhe në shkëmb, edhe në bahçe, edhe në shtëpi brenda. Por, ajo që do ta bëjë më të famshme në botë farën e Hashashit, që do të krijohet nga instituti i farërave të hashashit  në Lazarat, do të jetë, që koha e mbjelljes deri në vjeljen e hashashit do të shkurtohet në 1 muaj dhe bima do të jetë vetëm 1 metër e gjatë. Kështu, që kultivuesit e tjerë, që ndiqen e përndiqen nga policia, mund të kultivojnë farën e hashashit të Lazaratit, edhe brenda mureve të shtëpisë, atje ku hanë e flenë, pa marrë haber fare policia. Se ku kultivohet hashashi.  Me plantacionet e mëdha të kultivimit të hashashit, fermerët e Lazaratit kontribuojnë edhe  në luftimin e fenomenit të Serrës, duke shpëtuar- sikurse banorët e Lazaratit nga fukarallëku- edhe vetë Planetin Tokë nga shkatërrimi në tokës në djerrë. Specialistët e universitetit Bujqësor të Kamzës, nga eksperimentet që zhvillojnë fermerët e Lazaratit në kultivimin e kultivarëve e aferave më të reja të hashashit, po kontribuojnë edhe në përdorimin masiv të plehrave kimike dhe pesticideve në Shqipëri, të cilat, kanë që nga koha e kooperativave bujqësore, që nuk përdoren më në Shqipëri. Por, bashkë me specialistët e Universitetit të Tiranës, janë bashkuar në solidaritetin e mirënjohjen ndaj fermerëve të kultivimit të hashashit në Lazarat edhe aktivistët e shoqërisë civile, të cilët para mbjelljes së hashashit në Lazarat, ishin në dëshpërim nga pamundësia për të trajtuar  edhe vrasjet e dhunën brenda familjeve.  Kultivimi i hashashit në Lazarat  jep shpresë dhe qetëson edhe mendjet e trazuara të babavrasësve e gravrasësve. Sa herë thithin ajrin e pastër që çlirohet nga jeshillëku i hashashi, çdonjëri  pastrohet edhe nga idetë e vrasjes dhe bëhet qengj-njeri nga shpirti. Deri më sot, as lutjet e aktivistëve të shoqërisë civile, as forca e policisë nuk i ka ndaluar babavrasësit e gravrasësit, që të kryejnë veprat e tyre kriminale e të derdhin gjakun lumë edhe brenda familjes. Vetëm hashashi i Lazaratit, duke u thithur urtë e butë, i ka qetësuar mendjet e shpirtrat e gjithë vrasësve, duke u hequr nga kurrizi edhe telashet aktivistëve të shoqërisë civile. Por edhe bankierët e Shqipërisë u janë mirënjohës fermerëve të Lazaratit, sepse pa paratë e tyre, do të kishin falimentuar me kohë të gjitha bankat në Shqipëri. Nuk i thonë pak, por mbi 10 miliardë euro në vit është xhiroja e parasë që vjen nga plantacionet e hashashit në Lazarat.  Bankierët e Shqipërisë kanë edhe argumentet e tyre shkencore, që mbështetin solidaritetin e tyre për fermerët e Lazaratit. Sikur policia e shtetit të bëjë një gabim kaq trashanik, sa të shkulë, nga rrënjët bimët e hashashit, që të nesërmen, askush nuk do të ketë më asnjë euro, asnjë dollar dhe asnjë kokërr leku që të depozitojë në bankë. Jo më kot,- thonë bankierët e Shqipërisë, -bankat e Holandës nuk e kanë ndjerë krizën financiare e bankare, sepse turistët gjermanë, francezë e anglezë, që vizitojnë çdo ditë, çdo javë Holandën, nuk e vizitojnë për futbollin e saj të ngordhur, as për lopët e çmendura, por për hashashin që lejohet ligjërisht, që të pihet e konsumohet lirshëm, nga kushdo.

Për të gjitha këto ndere që ndjejnë, specialistët e universitetit Bujqësor të Kamzës,  aktivistët e shoqërisë civile dhe bankierët e Shqipërisë,  i drejtuan një Lutje të Madhe edhe Presidentit të Shqipërisë, ku i kërkojnë, që të nderojë dhe të dekurajojë fermerët e kultivimit të plantacioneve të hashashit në Komunën e Lazaratit, për  të mirat që po i sjell miletit, kultivimi dhe gjelbërimi  i  hashashit në Lazarat. Madje, specialistët e Universitetit dhe aktivistët e shoqërisë civile, për të shpërndarë ndonjë dyshim dashakeqës, që mund të mbjellë ndonjë, shkruajnë në letrën që i dërgojnë Presidentit, edhe arsyet përse është i domosdoshëm gjelbërimi i hashashit në Lazarat. “Zoti President, në këto periudha të vështira të trazirave për shkak të krizës së madhe ekonomike, hashashi me gjelbërimin e tij ndikon në rritjen e qetësisë te njerëzit. Sot, në zonat  e Shqipërisë, ku nuk ka gjelbërim të hashashit, njerëzit, nga dëshpërimi, bëhen babavrasës dhe gravrasës, ndërsa hashashi në Lazarat, i qetëson shpirtrat dhe mendjet e trazuara dhe kështu ne kemi shpëtuar edhe nga krimi brenda në familje. Hashashi i vë njerëzit jo vetëm në gjumë, por edhe në qetësi, duke e lënë shtetin rehat nga kërkesat për rroga e pensione. Gjelbërimi i hashashit në plantacionet e Lazaratit, po gjallëron edhe shpresën e zhvillimit të bujqësisë në Shqipëri, duke shpëtuar edhe Planetin Tokë nga fenomeni i serrës. Prandaj, i nderuar President, për gjithë të mirat që na ka sjellë gjelbërimi i hashashit në Lazarat, ju kërkojmë që të na nderoni dhe dekoroni, për veprimtari të shquar e trimëri të dëftuar  të gjithë fermerët e  Komunës të Lazaratit për shërbimin e çmuar që i japin shoqërisë shqiptare, me kultivimin e plantacioneve të hashashit. Pa plantacionet e hashashit në Lazarat, nuk ka zhvillim të bujqësisë, nuk ka edhe xhiro të parave në bankat shqiptare, por mbi të gjitha, pa hashashin e Lazaratit nuk mund të qetësohen dot as mendjet e as shpirtrat e babavrasësve e gravrasësve”.