Një bir i shquar i Diasporës

829
Thanas L. Gjika 

(Sprovë për jetën e veprën e Astrit Lulushit, pjesa I)
Kur fillova të lexoja disa vjet më parë shkrime të Astrit Lulushit te forumi “Alb-shkenca”, te gazetat “Illyria” e “Dielli” etj, më tërhoqi menjëherë mënyra e tij e të shkruarit qartë dhe shkurt. M’u kujtua Faik Konica. Ky tipar i përbashkët i tyre buron nga fakti se kthjelltësia në të shkruar, vjen nga qartësia e mendimeve. Para meje, shkrimet e Lulushit janë vlerësuar prej disa penave autoritare si Prof. Sami Repishti, Fotaq Andrea, Dashnor Kokonozi, Faruk Myrtaj etj. Për të shkruar këtë portret biografi për këtë autor prodhimtar, të thukët dhe të thellë, u lidha me të dhe pas leximit të vëmendshëm të veprave ia fillova me të diskutimit të mendimeve, për të realizuar këtë sprovë ku përpiqem të nxjerr në dukje momentet trimërore të jetës së tij dhe vlerat kryesore të krijimtarisë. Gjithë të arratisurit politikë që nga viti 1944 deri më 1991 pas largimit nga atdheu, edhe pse propaganda komuniste i mallkoi si armiq dhe i dënoi me heshtje, nuk e harruan popullin dhe atdheun, por e vunë në fokus të punës së tyre. Ata nuk pushuan së luftuari për shembjen e diktaturës komuniste, për demokratizimin e vërtetë të jetës së popullit shqiptar dhe lirinë e shqiptarëve të Ish Jugosllavisë. Dhe duhet të kemi parasysh se me Shqipëri e popull shqiptar këta atdhetarë nuk kishin parasysh thjesht Shqipërinë londineze dhe popullin e saj, si mendonin, flisnin e shkruanin zyrtarët, politikanët, shkrimtarët dhe artistët që i shërbenin diktaturës komuniste. Me Shqipëri, këta atdhetarë kishin e kanë parasysh Shqipërinë e vërtetë, atë të plotën, që përfshin gjithë popullin që flet gjuhën shqipe pavarësisht se ku jeton. Të tillë koncept për Shqipërinë dhe popullin shqiptar ka dhe Astrit Lulushi. Kjo mençuri e këtyre intelektualëve atdhetarë ka ndikuar edhe te shumica e intelektualëve që emigruan për arsye ekonomike pas vitit 1992, për t’i parë e trajtuar problemet e botës shqiptare në plan të gjerë e jo si Shqipëri londineze, ose Kosovë shteti i pavarur. Astrit Lulushi, gazetar në “Radio Zëri i Amerikës” (VOA), është autori i shumë artikujve, analizave, eseve, autor i gjashtë librave me shkrime origjinale dhe i një vëllimi me përkthime të 63 soneteve të Shekspirit. Si pak kush, ai realizoi ardhjen në SHBA, më 1985 duke kryer i vetëm një arratisje të rrezikshme. 

Ai u lind në lagjen Laprakë të Tiranës më 8 tetor 1953. Babai i tij Reshati (1916-1994) ishte lindur në Libohovë, kishte mbaruar “Shkollën Tregtare” të Vlorë dhe në fund të vitit 1943 kishte dalë partizan. Mbas mbarimit të Luftës Antifashiste ky ish partizan u vendos me banim në Tiranë. Mirëpo për shkak se vëllai i tij, Skënderi, kishte marrë pjesë në Luftën Antifashiste në radhët e “Ballit Kombëtar”, nuk iu dha ndonjë post ose detyrë si ekonomist i kualifikuar që ishte, por u la të punonte si llogaritar i thjeshtë. Më 1945 Reshati u martua me vajzën Seadet, (shkurt Seo, 1926-2011) nga familja Çene e Nepravishtës, fshat afër Libohovës. Nga kjo martesë u lindën gjashtë fëmijë, pesë djem e një vjazë (Jaho, Eduardi, Astriti, Gëzimi, Liliana dhe Alberti). Seoja ishte bijë e një familjeje që i kishte dhënë një dëshmor Luftës Antifashiste. Vëllai i saj i vetëm në moshën 14-vjeçe ishte bashkuar me forcat partizane kur ato kaluan nëpër Nepravishtë dhe në fund të vitit 1944 atë e inkuadruan në forcat e Brigadës VIII Sulmuese, e cila u dërgua për çlirimin e popujve të Jugosllavisë. Ai u vra në luftimet kundër forcave gjermane për çlirimin e qytetit Vishegrad të Bosnjës në janar 1945. Për të përballuar nevojat e jetës, Seo më 1957 hyri në punë në fabrikën e këpucëve aty në Laprakë, si punëtore. Më 1968, kur filloi të lindte shpresa për të hedhur një hap drejt përmirësimit të jetës me punësimin ose shkollimin e lartë të djalit të madh, ndodhi një goditje e papritur. Forcimi i luftës së klasave, u shtri edhe në familjen e Reshat Lulushit. Këtij ish-partizani e kunat dëshmori, këtij babai të gjashtë fëmijëve, filloi t’i përmendej dendur fakti se vëllai i tij ishte dënuar prej pushtetit popullor. Lufta e Klasave po forcohej. Djalit të tretë, Astritit, i cili atë vit mbaroi shkollën 8-vjeçare, nuk iu dha e drejta për të ndjekur ditën një shkollë profesionale. Kështu Astriti u detyrua të regjistrohej në shkollën e mesme pa shkëputje nga puna. Më 1970, lufta e klasave solli pasoja të tjera: Reshatit iu mohua e drejta e ushtrimit të profesionit llogaritar dhe u dërgua të punonte si punëtor në Kombinatin Ushqimor. 
“Në familjen tonë në mbrëmje, tregon Astriti, bisedohej shpesh për padrejtësitë që po na bëheshin, për trajtimin si familje me biografi të keqe. Këto biseda ma shtonin pakënaqësinë e cila dalëngadalë në mendjen time u kthyen në urrejtje ndaj zyrtarëve dhe sistemit politik. Im atë, për të më dhënë kurajë e për të më nxitur që të studioja sa më shumë, më thoshte shpesh: “Nuk të mëson shkolla, po jeta, prandaj puno e studio vetë sa më shumë!” Pasi mbarova shkollën e mesme, shkoja te libraria e librit universitar, atje blija dispensa të shkencave që më pëlqenin. I lexoja me vëmendje dhe kur takohesha me shokët e mi studentë diskutoja me ta dhe vija re se kisha zotëruar njohuri që ata kishin marrë duke ndjekur fakultetet e ndryshme ditën. Të tilla takime më mbushën me besim e optimizëm, se një ditë do të punësohesha në ndonjë punë që më pëlqente. Mirëpo të tilla shpresa mbetën vetëm ëndrra.”Astriti punonte si mekanik tek “Uzina Enver” dhe studimet si autodidakt i bëri pasion e natyrë të dytë. Nuk la pa lexuar asnjë roman të letërsisë sonë dhe të letërsisë botërore që ishte përkthyer, studioi dhe shumë libra të disa shkencave si gjuhë, letërsi, shkenca natyrore e histori. Më 1973 ai mbaroi shërbimin ushtarak dhe rifilloi punë tek uzina prej ku ishte larguar. Atë vit ai u njoh me zonjushën Iliriana Shishka që sapo kishte mbaruar gjimnazin. Familja e saj ishte me origjinë nga fshati i vogël Gërmenj i Skraparit, vendbanim i krijuar prej banorëve të shpërngulur nga fshati Gërmenj i Kolonjës. Mbas pesë vjet njohjeje çifti realizoi martesën, kur dhëndëri ishte 25-vjeçar dhe nusja 24. Iliriana kishte zotëruar zanatin e rrobaqepëses dhe punonte në Ndërmarrjen e Punim Veshjeve (NPV). “Mbas një vit martese u shtuam me vajzën Romina, gëzimi i parë i familjes, vijon Astriti. Pas tre vjetësh pune “vullnetare” për ndërtimin e pallatit krahas punës në uzinë, e pas shumë përpjekjesh e ankesash në ndërmarrje e lagje, mezi më dhanë një apartament me një dhomë e një kuzhinë. Në maj të vitit 1985 na lindi djali Stiven, por ky gëzim i dytë, për shkak të pakujdesisë së mjekut gjatë lindjes, u kthye në një fatkeqësi, sepse djalit i shkaktoi paralizë cerebrale (cerebral palsy). Kjo goditje ma shtoi zemërimin dhe urrejtjen ndaj regjimit.” Vdekja e diktatorit në prill të atij viti ngjalli shpresa tek Astriti si te shumë të rinj se diktatura nuk do të vijonte gjatë. Ndërkohë duke e parë Ilirianën se me sa përkushtim po sakrifikohej për të rritur dy fëmijët dhe, sidomos, për të mposhtur vështirësitë e djalit, këtij babai të ri iu hap një plagë në zemër. Ideja se sëmundja e djalit mund të shërohej jashtë shtetit, u bë një shtytje tjetër për të menduar se arratisja ishte e domosdoshme me shpresë për të rregulluar një ditë fatin e familjes. “Më 12 korrik 1985 i thashë Ilirianës se do të shkoja në Sarandë të shikoja mundësinë për të gjetur një kabinë plazhi, rifillon Astriti. Kisha shokë, që ishin dhe ata të pakënaqur nga regjimi dhe që ishin të gatshëm të arratiseshin, por unë nuk njoftova asnjë prej tyre, duke menduar se mos kapeshim dhe i merrja në qafë. Kështu, pa njoftuar askënd, të nesërmen u nisa me tren dhe pastaj vijova me autobusët e linjës dhe mbërrita në Sarandë nga ora 6 pas dite. Shkova nga kabinat e plazhit, shëtita anës detit ku gjeta një vend jo larg hotel turizmit ku mendova se ishte vend i përshtatshëm për të nisur aventurën time drejt lirisë. Pasi u sorollata disa orë, shkova te vendi në mesnatë. Nxora pompën e biçikletës që e kisha lidhur te kofsha, fryva kamerdaren e biçikletës që e kisha mbajtur të palosur e mbështjellë nën sqetull. U zhvesha. Rrobat i lashë nën një gur. E mbështolla kamerdaren dy herë rreth belit dhe u futa në ujë për të luftuar i vetëm për jetë a vdekje. Me zë të brendshëm i thashë vetes: “Ndihmomë o Zot, të arrij gjallë në Korfuz!” Mirëpo, dritat e Korfuzit dukej sikur po më largoheshin. Herë pas here motobarkat shqiptare të patrullës kufitare kalonin rreth 800-1000 metra larg. Njëherë njëra m’u afrua nja 500 metra. Dritat e saj më verbuan sytë. Mu kujtuan ata dy djemtë që kishin vrarë tre javë më parë ushtarët e këtyre motobarkave, si më treguan tek kafja, të cilët i kishin tërhequr zvarrë nëpër rrugët e Sarandës pas një kamioni. Mu rrëqeth mishi, m’u bë sikur dhe mua po më tërhiqnin zvarrë si shembull për të tmerruar popullin. Ndalova notimin, futa kokën nën ujë e qëndrova pa lëvizur. Pas pak nxora vetëm kokën për të marrë frymë… Zhurma dhe dritat e motobarkës filluan të dobësoheshin… Fillova të notoja përsëri, por i trembur…Erdhi mëngjesi, Korfuzi ende ishte shumë larg. Notoja e pushoja, por lodhja bënte të vetën. Fillova të shihja mirazhe. M’u tha goja për ujë, më dukej se nuk do të arrija gjallë, se do mbetesha atje midis ujërave, si një kufomë pa vlerë. Fat i madh që në detet tona nuk ka peshkaqenë. Herë pas here e humbja mendjen për minuta të tëra… Anijet shqiptare të patrullimit nuk po dukeshin më. Isha përtej ujërave neutrale. Ndjeva një farë gëzimi, por lodhja po më bezdiste, krahët sikur më ishin prerë. Nga pasditja ndjehesha krejt i rraskapitur, isha gati pa ndjenja…Kur hapa sytë pashë një si anije të madhe jo larg meje. Fërkova sytë se mos shihja ndonjë mirazh. Anijen, madje dhe pasagjerët i dallova qartë. Mblodha fuqitë dhe fillova të thërrisja për ndihmë. Pasagjerët nuk e kishin mendjen. I shtova thirrjet dhe fillova të lëviz krahët për të tërhequr vëmendjen e tyre. Dhe ja njëri më pa dhe i nxiti të tjerët të shihnin drejt meje. Ata u kthyen nga unë dhe filluan të më shikonin. Zëri im i brendshëm klithi: “Rrofsh o Zot që më shpëtove!” Më morën me një barkë e më shpunë në bord, më veshën, më vizitoi doktori. Donin të më ushqenin, por goja e stomaku im ishin mbingopur me kripë e nuk pranonin asnjë lloj ushqimi, as kafen. Kapiteni më sqaroi se anija ishte anije turistike greke me emrin “Lidia”. Më propozoi të më dorëzonte në Brindizi të Italisë ku po shkonte dhe unë pranova. Në dokumentet e rastit që mbusha sqarova se u largova nga Shqipëria, sepse isha i pakënaqur nga regjimi politik dhe se kërkoja strehim politik në Amerikë. Në Brindizi u përsërit procedura e mbushjes së dokumenteve. Më dhanë disa para xhepi dhe biletën e trenit për në qytetin Latina, pranë Romës, ku ishte kampi i refugjatëve të ikur nga vendet komuniste të Evropës Lindore.”Ramiz Alia, tashmë numri një, donte të krijonte idenë se diktatura po zbutej. Prindërit e Astritit pensionistë që jetonin me fëmijët e pamartuar nuk u prekën. Prindërit dhe familja e Ilirianës, gjithashtu. Edhe Iliriana me fëmijët vijuan jetën, natyrisht të trembur, në po atë banesë dhe në po atë punë. Prindërit, motra e vëllezërit e mi e mbanin afër Ilirianën dhe fëmijët. Dëshira e Astritit që regjimi diktatorial në Shqipëri të përmbysej sa më shpejt, u realizua pas 5-6 vjetësh. Në fillim të korrikut 1990 populli i pakënaqur u hodh mbi muret e ambasadave të huaja në Tiranë për të ndihmuar në shembjen e diktaturës. Iliriana me Stiven në krahë dhe Rominën për dore, së bashku me Albertin e Jahon, dy nga vëllezërit e Astritit, ishin mes banorëve që u hodhën të parët mbi muret e Ambasadës Italiane. Pas gati një viti ata arritën në SHBA. U realizua ëndrra e bashkimit familjar. Ditë gëzimi të papërshkrueshme. Më pas erdhën me familjet e tyre dhe vëllezërit e tjerë dhe motra e Astritit. Të gjithë këta, që nga viti 1991 gëzojnë jetën e lirë në SHBA, ku shfrytëzojnë mundësitë e këtushme për të jetuar një jetë gjithnjë e më të mirë, natyrisht duke luftuar për të arritur suksese në konkurrencën amerikane. Romina, atëherë 11-vjeçe, vijoi shkollimin dhe tani është diplomuar për shkenca politike nga “George Mason University”. Ajo u martua më 2008 dhe tani ka një djalë me emrin London, 6-vjeç. Kurse Stiven, i ndihmuar edhe prej nënës së tij dhe mësuesve, vijoi luftën kundër efekteve të paralizës cerebrale. Por ëndrra e tij për të ecur vetë nuk u arrit, e megjithatë ai nuk e ndërpreu luftën në këtë drejtim, si dhe përpjekjet për shkollim. Me rastin e largimit të tij nga jeta më 28 maj 2017, në moshën 32-vjeçare, gazeta “Washington Post”, midis tjerash shkroi:

“Steven Lulushi… donte të bënte gjithçka. Nga të mësuarit rreth jetës për ta jetuar vetë jetën. Ai i gëzohej matematikës dhe kishte një mendje kureshtare, një zemër të madhe plot dashuri, ishte i kujdesshëm dhe shqetësohej për ata që donte. Dashuria e tij për muzikën, filmat, sidomos komeditë dhe notin, ishte e njohur nga ata me të cilët kalonte kohën. Ai u diplomua nga shkolla fillore “Marumsco”, nga shkolla 8-vjeçare “Indipendence” dhe nga shkolla e mesme “Woodridge”. Steven ndoqi programet e arsimit për shkencat kompjuterike… ai e jetoi jetën e tij si një person i harmonizuar duke e pasuruar jetën e të gjithë atyre që e njihnin.” Astriti pas kalimit të asaj jete të vështirë dhe peripecive të arratisjes, kur erdhi në SHBA ndjehej i etur për studim dhe punë. Në fillim u vendos në Boston MA, ku kreu për dy vjet studimet për gjuhën angleze. Më 1987 filloi punë si gazetar për përgatitjen e programit në gjuhën shqipe në “Radio Monte Karlo” në Ohio. Pas dy vjetësh filloi punën si gazetar në “Radio Zëri i Amerikës”, ku filloi të shfaqë gjithnjë e më dukshëm aftësitë e veta si gazetar e analist duke shkruar për shkencën, artin, letërsinë, mbi figura të shquara të diasporës etj, si dhe të botonte edhe në gazeta të ndryshme të diasporës e në revista interneti. Kështu filloi të bëhej gjithnjë e më i njohur…


Sigal