Një anije malazeze dhe një italiane hetohen për ndotjen e ujrave shqiptare

505
Identifikohen dy anije, që mund të kenë hedhur në ujërat shqiptare disa tonelata të vajit të djegur të motorrëve. Sipas mediave, kapiteneria e Portit të Durrësit verifikoi lëvizjen e anijeve në ujërat shqiptare dhe përgatiti një raport për policinë. Mendohet se kur u derdhën lëndët helmuese, pranë bregdetit shqiptar po kalonin një anije italiane që transportonte hidrokarbure dhe një tjetër, e ankoruar në portin e Malit të Zi. Për këto dy anije, u kërkua verifikimi i depozitave të vajit të djegur të motorrëve, për të parë nëse janë të boshatisura. Hetuesit dyshojnë se njëra prej këtyre dy anijeve, derdhi disa milje larg bregut, tonelata të vajit të djegur të motorëve.
Për të saktësuar vendin dhe kohën e derdhjes, ekspertët e flotës detare të ushtrisë po specifikojnë sasinë e mundshme të derdhjes, vendin dhe kohën që i është dashur solucionit të hedhur në det të mbërrijë në bregun e plazhit të Durrësit. Prokuroria dy janë pistat për të cilat po dyshohet. E para është ndotja e qëllimshme e ujërave shqiptare, ndërsa pista e dytë është një veprim i ndërgjegjshëm i ekuipazhit, për të mos paguar tarifën e shkarkimit të vajit të djegur të motorrëve, në depozitat e portit. Për të zbardhur këtë krim ekologjik, prokuroria ka kërkuar ndihmë edhe nga Shërbimi Informativ Shtetëror. Sipas legjislacionit shqiptar, ndotja e ujrave dënohet me 5 deri në 10 vjet burg. Ujrat shqiptare janë të ndotura, në një perimetër rreth 3 km, nga zona e njohur si ura e Dajlanit e deri në afërsi të pistës “Iliria”, në plazhin e Durrësit.
Sigal