NJË VIZITË TE BUJAR LESKAJ

Nga Luan ÇIPI

Në datën 28 Dhjetor 2017 një grup i madh shokësh, burrash të moshuar vlonjatë me banim në Tiranë, organizuan një takim simbolik vëllazëror, me Ministrin e Kontrollit te Shtetit, vlonjatin Bujar Leskaj.

“Jam larg Vlore, tha ai, dhe duke ju takuar ju, të moshuar nga Vlora, miq e shokë të babait tim Farudin Leskaj, më duket sikur takohem me Atë dhe me Vlorën dhe gjej mendime prindërore e forca të reja, më të kthjellëta dhe më të paanshme, për ta kryer dhe më mirë punën time audituese, për të korrigjuar më saktë mangësitë dhe të metat në kontrollin e punës së administratës së vendit tonë, për ta përsosur më tej atë”.

Ishte ora 9.30 e mëngjesit kur ne, 14 të moshuar vlonjatë, nga 75 deri 85 vjeçar, pasi u liruam nga palltot e renda të dimrit, u futëm si të hutuar në zyrën e Kryetarit të Kontrollit të Shtetit. Ishte kjo, jo thjesht një zyrë ministri, po një sallë rreth 50 m2., ku shikoje fare pak rafte e dosje, po dhjetëra tablo me piktura të zgjedhura në mure, si dhe qindra relikte me antikuarë të rrallë e të zgjedhur nga vendi e bota, në rafte, tavolina dhe në shesh. Ishte ky takim interesant që na befasoi, po edhe vetë zyra na çuditi. Gjithçka e veçantë. 

Po, kush është Bujar Leskaj? Edhe ky një personalitet shoqëror krejt i veçantë:
Bujar Leskaj ka lindur në 3 korrik 1966, në Vlorë. Ai është djali i miqve tanë vlonjatë Fatbardha dhe Farudin Leskaj. Doktor i Shkencave ekonomike. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Duke kërkuar biografinë dhe arsimimin e tij, serish do ndeshesh me një veçanti: ai ka kryer studimet në disa dege universitare: ka mbaruar ditën dhe me rezultate maksimale Fakultetin e Inxhinieri Miniera, Dega Naftë në vitin 1990; Fakultetin e Ekonomisë, Dega Financë në vitin 1998 dhe ka marrë titullin Ekonomist; Fakultetin e Drejtësisë në vitin 2002 dhe ka marrë titullin Jurist. Po kështu ka kryer studimet në Universitetin e Nebraskës - Lincoln, SHBA, Departamenti i Menaxhimit (Diplomë për mësimdhënie në nivel master në Administrim publik) - shkurt-qershor 2003. Në vitin 2004 Dhoma Kombëtare e Avokatëve i ka dhënë titulli Avokat. Në shkurt të vitit 2005 në Universitetin Bamberg, Gjermani është specializua për Financat publike dhe në qershor të vitit 2006, ka frekuentuar Shkollën e Studimeve të thelluara pasuniversitare pranë Fakultetit të Ekonomisë, Tiranë (2002-2006) dhe ka marrë titullin Master në Financë (qershor 2006 ). Në vitin 2009 ka mbrojtur disertacionin pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti Ekonomik me temë: "Senjorazhi dhe disa probleme të tij në Shqipëri" dhe është shpallur Doktor i Shkencave ekonomike (në fushën e financës).

Veprimtaria profesionale e Bujar Leskaj: 
-1993-1994: doganier në Degën e Doganës, Vlorë,
-1994-1997: Kryetar i Degës së Doganës, Vlorë,
-1997 (prill-gusht): Nëndrejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave,
-2000-2005 pedagog në UT, Fakulteti i Ekonomisë, Departamenti Financë, Lektor i lëndës “Paraja dhe Banka”,
-2005 - 2009 pedagog i jashtëm në UT, Fakulteti i Ekonomisë,
-tetor 2009 - 2011 pedagog në UT, Fakulteti i Ekonomisë, Departamenti Financë, Lektor i lëndëve “Paraja dhe Banka”, “Financë”.
-dhjetor 2011 - ne vazhdim, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Veprimtaria politike:
-1997 (janar): anëtar aktiv i PD-së;
-2001-2005: anëtar i Bordit financiar të PD-së;
-2001 e në vazhdim: anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së zgjedhur nga Kuvendi i 7-të, i 8-të (2005) dhe i 9-të (2009), Kombëtar të Partisë;
-2005 - 2009: Deputet i Kuvendit te Shqipërisë Legjislatura: XVII, Zona zgjedhore: 94, Qarku: Vlorë, 
-shtator 2005 - mars 2007: Ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit
-2007 – 2009- Anëtar i delegacionit të përhershëm të Parlamentit në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Librat e botuara:
-"Përfaqësuesit e Vlorës në Kuvendin e Shqipërisë, 1912-2009", Tiranë 2009
-"Brenda dhe Jashtë…PARLAMENTIT (maj 2007
-maj 2009)", Tiranë 2009 "Senjorazhi”
– Punim Doktorature, Tiranë 2009
-“Paraja dhe Banka” (Cikël Leksionesh), Tiranë 2011
-“Leksione në Financë” (Pjesa e I), Tiranë 2011
-“Muzat e Qëndresës” (Nëpër libra të kryqëzuar), Tiranë 2011

Ajo që është gjithashtu e veçantë dhe karakterizuese për Bujar Leskajn, këtë krenari e freski vlonjate, është bujaria dhe mikpritja; tavolinat e pritjes ishin mbushur me pije dhe ëmbëlsira, për të parafestuar Vitin e Ri 2018. Pas urimeve dhe shëndeteve tradicionale labe, biseda mori drejtim pune, këshillimi dashamirës me sens përmirësues, dashamirës, atdhetarizmi e bashkimi kombëtar e shoqëror, në përshtatje edhe me pikëpamjet heterogjene të grupit tonë, gjithnjë në mirëkuptim, ku kishte që nga ish-partizanë e veteranë e deri ish-të burgosur e të përndjekur politik. Duke qëndruar te Bujar Leskaj, organizatori i takimit, këtu nuk ngelën pa u kujtuar përpjekjet bujare dhe humane të tij, në ndihmat e përsëritura materiale e monetare personale, si dhuratat e herë pas hershme me libra për bibliotekat e Vlorës, kontributet në ndërtime bustesh dhe monumentesh në Vlorë e deri në Prishtinë dhe ndihmat e përsëritura për persona në nevojë.

Shënim: Në takim morën pjesë: Fatosh Voshtina, Duro Mustafaj, Pirro Veshi, Taulla Bimo, Luan Çipi, Stefan Bitri, Reshat Kripa, Sabavet Ymeri, Minella Mosko, Vangjel Loli, Axhem Gjonaj, Viktor Hoxha, Gudar Toto dhe Agim Nanaj.