Nivelet arsimore në Akademinë e Arteve nuk mund të arrihen me pedagogë të katapultuar nga mbështetja politike

826
Sigal

Prof.Dr. Pirro Miso, Etnomuzikolog & Etnoorganolog

Emisioni: “Lahuta serbe”, studiuesja: Askush nuk na e ka marrë!      

(Në vëmendje të dy Ministreve të sapo zgjedhura, të Arsimit e të Kulturës)

Ndër dukuritë më të përhapura, më negative që janë shfaqur në universitetet tona në dekadën e fundit është edhe ai i katapultimit të kontingjenteve mësimdhënës amatorë në universitetet publike shqiptare, rëndom të rekomanduara e përkrahura nga politika. Kanë qenë e janë pikërisht këta kontingjente, si ai që shihet në ekranin e këtij emisioni, që degjeneruan e aktualisht po degjenerojnë dukshëm nivelet arsimore, edukimin e atij brezi që kërkon vullnetshëm të arsimohet me atë cilësi të cilën ai nuk po e gjen në auditorët e universiteteve shqiptare, por, jo vetëm sistemin arsimor.

Si shpërblim, për gjëmën që i shkaktoi drejtimit të eventit më madhor, Festivalit Folklorik të Gjirokastrës, për të cilin u shpenzuan qindra milionë, për nga “madhështitë” e drejtimit dhe “suksesit” të këtij institucioni që u keqpërfol e shkruar gjerësisht në media, eprorët e shpërblyen duke e katapultuar në një pozicion edhe më favorizues, si mësimdhënëse në një fushë multi-disiplinore siç është ajo e historisë së zhvillimit të instrumenteve muzikor, lëndë që në Universitetet e njohura emërtohet si “Organologjia Botërore”. Natyrisht nuk është edhe hierarki të merresh me persona me nivele të ulëta të mësimdhënies. Është e pafalshme të heshtësh kur mësimdhënës të tillë, emërohen në institucione të tillë si ai i Arteve. Në memorien e gjithsecilit nga ne rikujtojmë se, nga auditorët e këtij universiteti kanë dalë përfaqësues të shquar të kombit, studiues të cilët janë bërë protagonistë të trashëgimisë kulturore shqiptare me botimet e tyre në revistat shkencore vendore e të huaj; artistë e kompozitorë të shquar të cilët kanë shpalosur një performancë dominuese në skenat më të njohura botërore e, mbi të gjitha, të ndjehesh si koleg krahas niveleve të tilla, heshtja intelektuale do ishte e pa pranueshme e aq më tepër kur këto veprime cenojnë qëllimshëm, sado pak edhe dinjitetin e studiuesve shqiptar në fushat përkatëse.

Më konkretisht, ja si paraqitet formimi i kësaj referuese në një ekran televiziv në lëmin e trashëgimisë si dhe në atë të lëndës ku ajo është emëruar, në YouTube, i titulluar: “Lahuta serbe”, studiuesja: Askush nuk na e ka marrë”, me referuesen Meri Kumbe, emision që mund shihet e dëgjohet lehtësisht në web.

Për lexuesin do ishte e domosdoshme të bëhej një parantezë e shkurtër:

Pavarësisht nga niveli jo sferik i përgatitjes së dosjes së UNESCO-s rreth eposit, si një art sinkretik, mosdorëzimi i saj, sipas relatimit në media nga tre autorët e përpilimit, por edhe nga komentues të tjerë, ndodhi së pari, nga neglizhenca e injoranca e punonjësve të institucioneve përkatëse shtetërore.

Ja si përpiqet të mbulojë skandalin e mosdërgimit të dosjes nga Ministria e Kulturës, referuesja e këtij emisioni, në mbrojtje e në mospërputhje me situatën reale: Le të arsyetojmë përmbajtjen kuptimore të kumtimit të saj, nga transkriptimet e nxjerra nga emisioni përkatës.

“………nga studimet shkencore që janë bërë deri tani, si për guslën qoftë për lahutën tonë, studiuesit e fushës nuk kanë arritur në një konkluzion të përbashkët mbi prejardhjen e lahutës. Kjo është një temë që, mendohet që ka hyrë në Shqipëri gjatë periudhës së Bizantit dhe është shtrirë më gjerë në periudhën Otomane. Këtë e thonë të dy palët. Gjendet edhe në wikipedia, që është rëndom, pra, material shumë i shpejtë e i aksesueshëm. …Pra, ajo që ne duhet të shqetësohemi realisht, është që, le t’i lëmë specialistët të thonë që, çfarë ndodh me trashëgiminë tonë kulturore jo materiale. Ku janë studimet e fushës deri më sot? Çfarë është bërë deri më sot? Nuk i referohem vetëm viteve të shtetit demokratik, por i referohem viteve të regjimit, pasi aty nis dhe kemi një kalvar të gjatë të institucioneve dhe të punëve që janë bërë deri më sot………..lahuta është e Bosnjës, është e Kosovës, …..lahuta është e Serbisë,….lahuta takohet në Rumani, lahuta takohet deri në Kretë…”

Meqenëse, pedagogia e instrumenteve, siç thuhet, qenka e specializuar, në shkollat greke, duhet të kishte mësuar së paku se, lahuta nuk gjendet në Greqi as në Rumani, as edhe në disa vende të tjera që “studiuesja” i referon në mënyrë të çoroditur. Në qoftë se autori më i njohur i instrumenteve të traditës Greke, Fivos Anoyanakis, do ringjallej, veprimin e parë që do bënte në vëllimin e tij: “Greek Popular Musical Instruments”, 1979, ta plotësonte menjëherë botimin e tij, me informacionin e bujshëm që sapo e “zbuloi” “studiuesja” shqiptare, me qëllim pasurimin e vëllimit të tij shkencor, të njohur botërisht, me praninë e instrumentit të lahutës edhe në hapësirat gjeografike të Greqisë, veçanërisht “deri në Kretë (sikurse lë të kuptohet se instrumenti i lahutës u gjendkej me shumicë në këto hapësira). Kështu që, botimi i këtij autori të njohur do kishte se çfarë të përfitonte nga ky “informacion” interesant, i dhënë, edhe pse nga një studente që paska marrë disa leksione në fushën e instrumenteve muzikorë po në Greqi. Fqinjët grekë i kanë ruajtur e i ruajnë me fanatizëm objektet e kulturës së tyre, veçanërisht instrumentet muzikorë; i praktikojnë ato dendur dhe kanë politika tepër të rafinuara për ruajtjen e pasurive të trashëgimisë kulturore, veçanërisht trajtimin e muzikës së tyre tradicionale. Admirim tepër të veçantë për këto politika mbresëlënëse unike që ata ndjekin, me ndihmën e afërt të ekspertëve të cilët ata i respektojnë e bashkëpunojnë me ta në të gjitha aktivitetet e trashëgimisë së tyre muzikore e kurrë nuk i anashkalojnë siç bëjnë rëndom eprorët injorantë të dikastereve ministrore si dhe institucionet e larta albanologjike në Shqipëri duke i zëvendësuar autoritetet shkencore me amatorë, injorantë e përfaqësues të partive politike si ky që shihet e dëgjohet në këtë emision. Janë pikërisht këto drejtime operacionale të fqinjëve që duhen ndjekur me rigorozitet nga strukturat përkatëse shqiptare pasi kemi shumë se çfarë të mësojmë nga praktikat e suksesshme të djepit të kulturës botërore që i kemi pikërisht në prag të shtëpisë sonë. Madje, në qoftë se pedagogia e organologjisë është shkolluar në Greqi, duhet të kishte mësuar, së paku, të dallonte emërtimet e shumta të instrumenteve të harkut shumëkordëshe, që nuk janë analogë në këndvështrimin organologjik me lahutën monokorde. Njëkohësisht duhet të kishte mësuar në këto shkolla se, eposi grek, i quajtur “Digenis Akritis”, (Eposi mesjetar i Grekëve), as edhe një herë të vetme nuk ka qene i shoqëruar me ndonjë instrument muzikor. Ku e gjeti “pedagogia” edhe përhapjen e lahutës apo monokordin me hark në këto territore që ajo është shkolluar? Edhe në Rumani, autori, mjaft i njohur evropian e më tej, Tiberio Aleksandru, nuk e përmend këtë instrument si të pranishëm, qoftë edhe në një hapësirë të vetme të Rumanisë, siç e artikulon “studiuesja”. Mbasi vetëndihet edhe në një pozicion favorizues në një ekran televiziv, me aftësitë e saj “elokuente”, të cilat mendon se nuk i mungojnë, në pozicionin e një eprori, i fokusohet për herë të dytë, studimeve dhe studiuesve të fushës duke i dhënë orientime dhe këshilla praktike. Ja çfarë artikulon në minutat (16:06 – 16:30): “…kur të kalojmë këtë, valën e emocioneve, të gjithë bashkë të jemi më të kujdesshëm për trashëgiminë tonë jo materiale dhe vëmendja e dytë është: Tek studiuesit e fushës…. Në rast se ndodhi kjo që ndodhi me lahutën dhe shumë prej nesh që e kemi objekt pune listën e UNESCO-s apo konventën, vumë re që, në gjithë atë mori informacionesh, kemi shumë pak studime të mirëfillta”.

Ky deklarim amatoresk që keqinformon qëllimshëm shikuesin, të jep të kuptosh se, në literaturën shkencore albanologjike nuk paska studime dhe botime shkencore të mjaftueshme në fushën përkatëse të etnoorganologjisë shqiptare që t’i shërbyekëshin “titullares” të ngarkuar në plotësimin e listës apo dosjes së së UNESCO-s.

Çfarë kujton kjo çupëline e përkëdhelur dhe e mirë mbrojtur që edhe pse hiqet si “specialiste” e lëndës të studimit të instrumenteve (organologjisë) në një Universitet, siç është ai i Arteve ku është emëruar si pedagoge, mbas skandaleve të njëpasnjëshme në punësimet e mëparshme; pa kualifikimin e detyrueshëm; pa qenë titullare e lëndës; pa kaluar në filtrin e një konkurrimi ligjor para pranimit të saj në këtë universitet si dhe pa botime shkencore në CV-në e saj, gjen edhe kurajë t’i japë leksione studiuesve, me bagazhin e një mediokreje? Kaq të lehtë e ka të injorojë emocionalisht e apriori studimet e etnoorganologjisë shqiptare si dhe integritetin e specialistëve të fushës? Ky qëndrim, i shprehur me fraza amatoreske lë të kuptohet se, “Titullarja” e lëndës së instrumenteve muzikorë, totalisht nuk është e azhornuar me literaturën shkencore të botuar në organet shkencore të lart-përmendur, por edhe po t’i lexonte, me formimin që paraqet, shpreh bindjen se me injorancën që rrezaton, nuk do t’i kuptonte.

Këta janë kontingjentet që zgjidhen e përkrahen nga kjo ministri për trajnim në kualifikimet për konventën e UNESCO-s që u organizua në shtator të vitit 2018, në datat 17 deri më 20 në Sofie, paraprakisht pa njohuritë më elementare të trashëgimisë. Injoranca e referueses të këtij emisioni nuk e lejoi të gjykonte se për tre ditë, në një pjesëmarrje në një forum ndërkombëtar, nuk mund të vetëquhej si “eksperte”, siç edhe e deklaroi me mburrje në min. 16:20: “…….unë jam e certifikuar nga UNESCO, e trajtuar për konventën e 2003-shit dhe për zbatimin e saj”.

Me këtë bagazh dijesh kuptohet qarte se referuesja e emisionit që vetëquhet si studiuese, si eksperte e certifikuar nga UNESCO, si titullare e lëndës së organologjise e si një “autoritet” që ka si objekt pune ngarkesa të mëdha të konventës së UNESCO-s, ende nuk po koncepton nocionet më elementare të kulturës materiale e jomateriale madje, ç’mund të thuhet për trashëgiminë kulturore, për denigrimin që kjo referuese i bën arritjeve studimore,fushave përkatëse albanologjike të trashëgimisë kulturore.

Nuk po zgjatemi me shpalosjen e broçkullave që dëgjohen më tej në referencat e artikuluara në këtë hapësirë televizive. Epilogu është fare i qartë edhe me kaq sa dëgjohet e shihet pasi mungesa e direktivave të sistemit arsimor në tërësinë e tij si dhe injoranca e drejtimit të dikastereve përkatëse i shpartallon të gjitha kufijtë e dijes, duke lënë të bindesh objektivisht, se në dorën e kujt janë lënë deri tani punët madhore të trashëgimisë kulturore, edukimi arsimor i këtij brezi e me kë po përfaqësohet ky vend në forumet ndërkombëtare.