Nisja e muajit të agjërimit zbrazi bregdetin nga pushuesit patriotikë

672
Sigal

Tregtarët, puna këtë vit ka rënë 50% në plazhin e Durrësit. Biznesi: Ky është kulmi i krizës së nisur tre vjet më parë!

Kriza ka përfshirë të gjithë biznesin turistik në zonën e plazhit në Durrës, në të cilin për çdo shërbim flitet me monedhën euro, por që plazhi është bosh në 50% të gjatësisë së tij. Me nisjen e muajit të Ramazanit pushuesit patriotikë që janë kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia janë larguar e për pasojë situata e bizneseve është në kulmin e krizës. Ndikim jo pak kanë edhe çmimet që janë rritur nga 20 deri në 30% për të gjitha shërbimet dhe si pasojë numri i pushuesve është shumë më i vogël se parashikimet e bëra nga biznesi.

Situata

Përgjatë gjithë rrugës nacionale çdo vit në mbrëmje për orë të tëra dyndeshin me qindra tregtarë që tregtojnë mallra industriale, bizhu, veshje, sandale e gjithçka. Këtë vit numri i tregtarëve është dukshëm më i vogël, ndërsa ankesat e tregtarëve janë të shumta në lidhje me tregtinë. Sakaq për këtë vit hotelet ngrenë si shqetësim mungesën e klientelës për arsye se pushuesit zgjedhin të kalojnë pushimet në banesa private, ku çmimet janë 50% më të ulëta. Më pak pushues kanë prenotuar dhe kjo vihet re tek hotelet, të cilët në pikun e sezonit veror bëjnë me dije se, vetëm 50% e dhomave janë të zëna. Duket se kriza ekonomike i ka bërë edhe më të kursyer pushuesit, të cilët si rrallë herë u janë drejtuar banesave, të cilat kanë një kosto 2 herë më të ulët se hotelet. Por gjallëria dhe traditat që sjellin me vete, duket se janë bërë pjesë e pandashme e bregdetit durrsak, i cili i mirëpret shqiptarët nga të gjithë nga të gjitha trevat jashtë kufijve.

Pushuesit

“Këtë vit shpenzojmë më pak, edhe banesat i kërkojmë më të lira dhe kjo se janë kohë të vështira. Jetoj prej 4 vjetësh në Belgjikë me familjen, erdhëm në Kosovë tek të afërmit dhe nga Prishtina në Durrës. Këtë vit kemi zënë shtëpi me qira që është më e lirë se hoteli, i cili të kërkon 50 euro në natë, por nuk të përgjigjet me shërbimin që kërkon”, thotë Mehmeti nga Kosova. Të njëjtin mendim me të ndajnë shumë pushues. Biznesi hotelier bën me dije se rënia e punës u ndje që një ditë para se të niste muaji i Ramazanit. Pushuesit u larguan brenda natës për t’u kthyer në vendlindjen e tyre si besimtarë që janë për muajin e agjërimit. “Nëse kisha 25 dhoma të zëna një natë para Ramazanit mbetën vetëm tre të tilla, sepse u larguan për në Kosovë të gjithë. Varemi pikërisht nga ardhja e tyre përsa i përket xhiros ditore”, deklaron një pronar hoteli. E njëjta situatë edhe në plazh, ku çadrat dhe shezlongët në pjesën më të madhe janë të boshatisur prej një jave.

Shpenzimet

Mesatarisht çdo pushues që kalon pushimet në Durrës shpenzon rreth 20 deri në 30 euro në ditë për të gjitha shërbimet. Ka të tjerë, të cilët kërkojnë edhe komoditetin dhe klasin, për të cilin shpenzojnë disa herë më shumë, por që në Durrës cilësia dhe shërbimi lënë shumë për të dëshiruar nga njësitë akomoduese. Janë të pakta ato njësi, të cilat plotësojnë standardet europiane. Fakt është se kjo, është edhe periudha e artë për të gjithë aktivitetet në plazh valuta ka hyrë në treg jo në nivelet e një viti më parë sepse edhe vetë pushuesit janë bërë më kursimtarë, por kjo ka ndikuar dukshëm në rritjen e të ardhurave të operatorëve turistikë, të cilët në 95% të rasteve po punojnë me monedhën europiane euro.

 Tregtarët e vegjël: Jemi të pakënaqur!

Tregtarët e Durrësit shprehen se fitimet në krahasim me një vit më parë janë më të ulëta po konsiderohen të kënaqshme sepse këta punojnë vetëm 3 muaj dhe sigurojnë të ardhura për të gjithë vitin. Nëse një vit më parë xhiro ditore varijonte deri në 20 mijë lekë të reja në ditë këtë vit të ardhurat rezultojnë më të ulëta për disa shkaqe siç janë blerësit e paktë, por edhe blerja e vogël nga ana e tyre. Cilësorë në fuqinë blerëse konsiderohen pushuesit nga Maqedonia, të cilët janë edhe më të kënaqur me çmimet. Aktualisht në plazhin e Durrësit janë rreth 1 mijë tregtarë të vegjël, të cilët punojnë 90 ditë të vitit për të krijuar rezerva edhe për stinët e tjera.