Nisin aplikimet për në universitet, ja procedura

1209
Kandidatët duhet të zgjedhin deri në 10 programe studimi nga lista, që ofrohen nga IAL-të publike/jopublike, për vitin akademik 2017-2018
Të enjten nisin aplikimet për ata që duan të ndjekin shkollat e larta. Në bazë të udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, të gjithë maturantët/kandidatët për ndjekjen e studimeve në institucionet e arsimit të lartë, publike dhe jopublike, në programet e ciklit të parë të studimeve, në programet e studimeve me karakter profesional dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, me kohë të plotë, duhet të kryejnë procesin e aplikimit online në Portalin Matura Shtetërore online. Maturantët, përpara aplikimit në Portalin e Maturës Shtetërore, kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit në vlerën 2 mijë lekë në zyrat e Postës Shqiptare apo në bankat e nivelit të dytë, sipas faturës së publikuar. Deri më datë 18 korrik, Qendra e Shërbimeve Arsimore do t’iu përcjellë shkollave të mesme përllogaritjen e notës mesatare sipas vendimit të qeverisë. Maturantët duhet të dorëzojnë në shkollën ku kanë kryer plotësimin e formularit A1/A1Z mandatin e pagesës së kryer. Pas dorëzimit të mandatit të pagesës, sekretaritë e shkollave hedhin në Portalin e Maturës Shtetërore online notën mesatare të llogaritur nga QSHA, në zbatim të VKM-së. 

Sipas udhëzimit, në periudhën 20-29 korrik 2017 të gjithë maturantët/kandidatët që duan të ndjekin studimet në IAL, përfshirë edhe kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm jashtë vendit, pas pagesës së tarifës së aplikimit dhe hedhjes në sistem të notës mesatare, do të aplikojnë në Portalin e Maturës Shtetërore online, nëpërmjet formularit të aplikimit. Aplikimi kryhet për çdo DAR/ZA. Aplikimi kryhet në cilindo mjedis që ka akses interneti, sipas procedurave përkatëse. Maturantët/kandidatët aksesohen në portal me kredencialet e tyre: ID e kandidatit, emri, atësia, mbiemri, karta e identitetit, email i kandidatit, etj. “Kandidatët zgjedhin deri në 10 programe studimi nga lista e programeve të studimit, që ofrohen nga IAL-të publike/jopublike, për vitin akademik 2017-2018”, thuhet në udhëzimin e Ministrisë.

Portali i Maturës Shtetërore nuk do të pranojë aplikime nga maturantët/kandidatët, të cilët nuk plotësojnë kriterin e notës mesatare, të përcaktuar me VKM për programet e ciklit të parë të studimeve dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë. 
Mjekësia, ndryshon vlerësimi me pikë i lëndëve
Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata, thotë se kanë bërë diferencim të vlerësimit me pikët e lëndëve që ka prioritet mjekësia. “Kriteret janë si kriteret e vjetshme, me përjashtim që për të bërë një korrigjim të lehtë të atyre problemeve që patëm. Kemi vënë një koeficient të këtyre lëndëve me zgjedhje të maturës shtetërore. Nesë vjet si kimi e thelluar, si kimi bërthame si jnë lëndë tjetër e kishte koefiçinetin një. Këtë vit e kemi po qe e thelluar 1.25 për qind koefiçenti, 1.15 po qe bërthamë dhe çdo lënd tjetër që janë kërkesë e univeristetit tonë i kemi vënë koefiçinetin 1”, tha për TCH, Arben Gjata, rektor i UMT.

Në universitetin e Mjekësisë do të pranohen gjithsej 1100 studentë, ndërkohë që një vit më parë kanë aplikuar 9000 maturantë. Këtë vit kuotat e pranimit janë të njëjta me ato të një viti më parë. Por në këtë universitet mund të aplikojnë vetëm ata maturantë me mesatare mbi 8.5.Pas disa vitesh riaktivizohet edhe programi Bachelor shëndet publik. “Në total në mos gaboj janë rreth 60-70 kuota që janë hapur për spitalet e trojeve, dhe sivjet do riaktivizojmë programin e shëndetit publik që vjet për shkak të mbingopjes së tregut kishim 2-3 vjet që e kishim mbyllur bachelorin, sivjet do hapet dhe bachelor në shëndetin publik ”, tha Gjata.

Universiteti i Mjekësisë ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës për të shkëmbyer staf akademik, studentë dhe eksperienca të ndërmjetme.
Sigal