Nishani propozon Genti Sejkon për kandidaturën zyrtare për Guvernator i BSH-së

611
Sigal

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë hoqi kushtin e shtetësisë shqiptare, për një Guvernator të huaj

Presidenti i Republikës Bujar Nishani i propozoi dje Parlamentit zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të bankës “Societe Generale”, Genti Sejko, si kandidaturën e tij zyrtare për Guvernator të Bankës së Shqipërisë. Përmes një dekreti të shpallur këtë të diel, Presidenti ka bërë publike edhe arsyet që e çuan në përzgjedhjen e Sejkos, si kandidatin e tij për postin më të rëndësishëm të sistemit financiar në vend. Sipas kreut të shtetit, eksperienca mbi 20-vjeçare në funksione të ndryshme në sistemin bankar i ka dhënë Sejkos njohje dhe ekspertizë të lartë për sistemin bankar vendas dhe atë ndërkombëtar. Po kështu, – vijon presidenti – edukimi profesional në Shqipëri dhe në vendet e zhvilluara, si dhe integriteti i lartë moral që ka treguar përgjatë këtyre viteve, e bëjnë zotin Sejko një kandidat serioz, që arrin standardet më të larta të kërkuara për funksionin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Por, edhe pse kompetencën për propozimin e Guvernatorit e ka Presidenti, është Parlamenti ai që merr vendimin përfundimtar mbi kreun e ardhshëm të Bankës së Shqipërisë.

CV-ja e kandidatitGenti Sejko
Kandidati i Presidentit për Guvernator vjen nga një përvojë 20 vjeçare në sistemin bankar. Ai ka punuar në Bankën e Shqipërisë e disa banka të nivelit të dytë, por për disa muaj edhe në Federal Reserve Bank të SHBA si dhe auditor e konsulent pranë firmës DELOITTE & TOUCHE. Me një karrierë në sistemin bankar prej 20 vitesh, Gent Sejko ka mbaruar studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, Tiranë, përgjatë periudhës Shtator 1987 – Gusht 1991, ku është diplomuar për ekonomist industrie. Ka kryer studimet pasuniversitare dhe zotëron diplomën Master në Kontabilitet Ndërkombëtar dhe Menaxhim Financiar, të kryer pranë Universitetit të Glasgou-t, Departamentit të Kontabilitetit dhe Financës, Skoci, Mbretëri e Bashkuar, përgjatë periudhës Shtator 1996 – Tetor 1997 ku ka mbrojtur temën e dizertacionit për: “Roli i bankave dhe privatizimi i bankave në ekonomitë në tranzicion”.

Debati për zgjedhjen e Guvernatorit

Në dy muajt e fundit, Nishani ka zhvilluar për këtë çështje edhe takime të përsëritura me kryeministrin Rama, kryetarin e Kuvendit Meta dhe liderin e opozitës Basha. Zyrtarisht për publikun është bërë e ditur se në takime është folur vetëm mbi kriteret, që duhet të ketë Guvernatori i ri, dhe jo mbi emra të posaçëm. Kandidatura e zotit Sejko vjen jashtë këtyre institucioneve dhe, pikërisht ky, ka qenë dhe debati në distancë mes Presidentit dhe përfaqësuesve të maxhorancës, veçanërisht Erion Braçes që drejton Komisionin parlamentar të Ekonomisë. Zoti Braçe pretendon se ligji nuk i jep hapësirë Presidentit të zgjedhë një kandidaturë nga jashtë, pasi në këtë mënyrë cënon kompetencat ose të qeverisë, ose të Parlamentit, duke iu hequr atyre të drejtën e një propozimi. Por, kreu i shtetit thotë se ligji dhe Kushtetuta ia njohin atij të drejtën e Guvernatorit.

 

I propozuari për në krye të Bankës Shqiptare, pohohet se është njeri i Fullanit. Klienti dhe miku i ngushtë familjar i Fullanit, një tjetër bashkëpunëtor i tij, i quajtur Gent Sejko, propozohet nga Presidenti për Guvernator I Bankës së Shqipërisë. Personi në fjalë është ai me mikrofon në foton ngjitur  gjatë një aktiviteti biznesesh me Fullanin.