Nishani: Prezantojeni Shqipërinë si komb me dinjitetin e merituar në Lojërat Evropiane

565
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i dorëzoi sot Flamurin Kombëtar delegacionit shqiptar që përfaqëson vendin tonë në Lojërat Evropiane “BAKU 2015″, të cilat do të zhvillohen në Baku, në kryeqytetin e Azerbajxhanit. Nishani, para se t’i dorëzonte Flamurin Kombëtar atletes Luiza Gega, duke iu drejtuar të pranishmëve theksoi: “Përfitoj nga ky rast i mrekullueshëm që të shpreh kënaqësinë dhe vlerësimin maksimal për gjithë angazhimin, punën, përkushtimin që keni pasur, gjatë gjithë këtyre viteve, por edhe për gatishmërinë që keni marrë tashmë mbi vete për të përfaqësuar vendin tonë në këto Lojëra Evropiane, të cilat kanë mbi vete shumë dimensione, kanë padyshim së pari dimensionin sportiv, kulturor, por kanë edhe dimensione të tilla që lidhen qoftë me prezantimin e emrit të shtetit, dinjitetit të shtetit, të kulturës së vendit dhe kombit tonë, por edhe të talenteve, të talenteve të cilat për fat të mirë i kemi pasur gjithmonë të shumtë dhe i kemi ende midis nesh.”
“Në këtë ceremoni një vlerësim të veçantë dëshiroj t’ia jap Komitetit Olimpik Shqiptar, të gjithë anëtarëve dhe njerëzve të përkushtuar në këtë organizëm, të cilët me pasionin dhe me dëshirën e madhe që kanë jo vetëm kanë kontribuar, jo vetëm kanë kaluar vështirësi të shumta dhe të pamerituara për vështirësitë që ata ndeshin, por e mbajnë gjallë olimpizmin shqiptar, e mbajnë gjallë mundësinë që talentet e sportit shqiptar të kenë një derë të hapur, të kenë një mundësi në mënyrë të tillë që jo vetëm të prezantojnë këtë talentet që mbartin, por edhe ta vënë në shërbim, ta vënë në shërbim të sportit, të vënë në shërbim të kulturës sonë, dhe ta vënë edhe në shërbim edhe të trashëgimisë”, shtoi më tej Presidenti Nishani.
“Falënderimi tjetër është për sportistët e brezit të ri, të cilët për fatin e mirë i kemi dhe jo të pakët, i kemi talente me dëshirë, energji, por që meritojnë të kenë trajner të mirë. Meritojnë të kenë kujdes të madh, meritojnë të kenë infrastrukturë të meritueshme në mënyrë që këtë talent që mbartin ta vënë në dispozicion të sportit në tërësi, ta vënë në dispozicion edhe të emrit të Shqipërisë dhe të kombit pasi kemi gjithë të drejtën e zotit, por edhe të kombit tonë të mburremi me çka përfaqësojmë si komb si kulturë dhe si trashëgimi dhe me ato energji që mbartin dhe që përfaqësojnë. Gjërat duhet të shkojnë në harmoni dhe unë përfitojë nga ky rast që angazhohem përpara jush që jeni në këtë sallë edhe tek të gjithë olimpistët shqiptar, por edhe tek të gjithë ata mbështetës të zjarrtë të sporteve dhe disiplinave të ndryshme të sportit shqiptar që Presidenti i Republikës do të jetë gjithmonë e i gatshëm jo vetëm të mbështesë kur është e nevojshme, kur është e kërkuar, çdo lloj angazhimi të tillë por edhe të jetë një zë i fuqishëm i zbatimit të problematikave që ne hasim dhe të mundësive që janë reale, dhe besoj që mundësi reale ka mjafton që ne të jemi racionalë dhe të vullnetshëm dhe të angazhuar në verifikimin e tyre, në caktimin e përparësive dhe në menaxhim”,u shpreh mes të tjerash Nishani.
Sigal