Nishani: Ngushëllime për humbjen tragjike të jetës së tre minatorëve kinezë në Bulqizë

516
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, shpreh ngushëllimet dhe dhimbjen për humbjen tragjike të jetës se tre minatorëve kinezë në minierën e Bulqizës, trupat e të cilëve u gjetën pas gjashtë ditë kërkimesh intensive.
Në një deklaratë për mediat, Presidenti Nishani shprehet: “Tragjedia e papritur e ndodhur në minierën e Bulqizës ditën e shtunë si pasojë e shpërthimit të gazit hidrogjen, që fatkeqësisht bllokoi nëntokë në krye të detyrës tre minatorë, duke plagosur edhe tre të tjerë, për më tepër qytetarë kinezë, të cilët punonin dhe jetonin në vendin tonë, duke u përpjekur të ndërtojnë një të ardhme më të mirë, më ngjalli një ndjenjë ankthi të parrëfyer për fatin e tyre”.
“Gjej rastin të përsëris apelin tim institucional, por edhe njerëzor, që të merren të gjitha masat e nevojshme teknike në mënyrë që ngjarje të tilla të rënda e tragjike të mos përsëriten më në galeritë e minierave shqiptare si dhe të vënies para përgjegjësisë së shkaktarëve të mundshëm. Me këtë rast të dhimbshëm dëshiroj të shpreh si Kryetar i Shtetit, por edhe në emër të gjithë qytetarëve, ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin për familjet dhe të afërmit e viktimave dhe të ndaj me ta solidaritetin e mbarë popullit shqiptar për ata tre njerëz punëtorë dhe të sakrificave”, shprehet Nishani.
Sigal