Nishani merr pjesë në Forumin Global të Bakusë: Bota po përballet me sfida

566
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka marrë pjesë në hapjen e Forumit të 5-të Global të Bakusë, me temë: “E ardhmja e marrëdhënieve ndërkombëtare: pushteti dhe interesat”. Gjatë fjalës së tij në panelin e parë të këtij forumi të përbërë nga Presidentë të vendeve të ndryshme, Nishani vlerësoi tematikën e përzgjedhur nga organizatorët duke përfshirë folësit dhe auditorin, pasi lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me sistemin aktual të marrëdhënieve ndërkombëtare që rregullon marrëdhëniet mes shteteve, rajoneve dhe organizatave të ndryshme.
Kreu i Shtetit theksoi ndër të tjera, se që pas Luftës së Dytë Botërore, ky sistem e ka mbajtur botën në paqe dhe stabilitet, por se gjithashtu, në momentin aktual nuk po arrin do të parandalojë apo t’i japë zgjidhje shumë çështjeve e sfidave të shoqërisë sot. Duke shtruar disa pyetje retorike, Presidenti Nishani theksoi gjithashtu se: “prej disa vitesh tashmë, bota dhe shoqëritë tona po përballen me kriza, sfida e zhvillime të jashtëzakonshme e shumë të shpejta, por edhe me pasojat dhe efektet që ato kanë prodhuar”.

Në mënyrë të veçantë Presidenti Nishani iu referua: zhvillimeve teknologjike, që kanë prekur horizonte të papara; turbulencave të fuqishme ekonomike, në shkallë shumë më të gjerë se krizat e mëparshme; ndryshimeve klimatike; konflikteve dhe luftrave lokale me implikimet e rrezikshme etnike, fetare e rajonale; terrorizmit dhe valëve të refugjatëve nga zonat në konflikt; respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut; globalizimin e shoqërisë së sotme; etj. Në këtë apsekt, Presidenti Nishani theksoi se: “nëse këto sfida e kërcënime do të arrijnë të ndikojnë e orientojnë politikat tona lokale, rajonale apo globale, atëherë zgjidhjet do të jenë shumë më të vështira”.

Presidenti Nishani e njohu auditorin gjithashtu edhe me implikimin dhe kontributin e Shqipërisë në përballimin e këtyre sfidave e kërcënimeve, duke theksuar se, Shqipëria, proporcionalisht me mundësitë dhe kapacitetet që ka, po jep kontributin e saj si në nivel rajonal ashtu edhe në kuadrin e zhvillimeve të ndryshme ndërkombëtare. Në mënyrë të veçantë, Presidenti theksoi se “angazhimi i vendit tim në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe ekstremizmit të dhunshëm ka qenë aktiv dhe domethënës. Brenda vendit janë ndërmarrë veprime të shumta ligjore e sociale, për të ç’kurajuar elementët ektresmistë, si dhe promovuar idetë dhe programet që nxisin respektin dhe bashkëjetesën ndër-fetare. Ndërsa në nivel rajonal, është rritur bashkëpunimi me vendet fqinje për shkëmbim informacioni dhe koordinim veprimesh.

Duke iu referuar eksperiencës së hidhur të rajonit të Ballkanit, veçanërisht pas konflikteve të dhunshme etnike e fetare pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, Presidenti Nishani theksoi se sot të gjitha vendet janë të përfshira në dialog me njëri-tjetrin dhe se agjendat e tyre janë të orientuara drejt pajtimit, bashkëpunimit dhe zhvillimit të përbashkët.

Presidenti Nishani vlerësoi gjithashtu se referencat dhe metaforat, shpesh negative, kanë bërë që edhe sot ky rajon të vijojë të merret si shembull në marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe të jetë arenë e interesave të shumta. “Fatkeqësisht, ka ende fuqi dhe interesa të mëdha që e pengojnë këtë rajon të shkëputet tërësisht nga e kaluara, të cilat shfrytëzojnë marrëdhëniet delikate ndëretnike, nacionalizmin primitiv që shfaqet hera-herës, instalimin e frikës përmes terrorizmit, nivelin ende të ulët të zhvillimit dhe të ndërlidhjes mes vendeve të rajonit dhe qytetarëve të tyre, por edhe rënien e vëmendjes së strukturave të BE-së dhe NATO-s për shkak të sfidave të shumta, për ta kthyer atë në ditët e tij më të errëta” – u shpreh Presidenti Nishani.

Në mbyllje të fjalës së tij, Presidenti Nishani u shpreh se: “e ardhmja e marrëdhënieve ndërkombëtare do të varet shumë nga mënyra se si shoqëritë dhe vendet tona do të përballojnë dhe adresojnë sfidat dhe kërcënimet aktuale, si në nivel lokal dhe rajonal, ashtu edhe në nivel global”.

Më pas Presidenti Nishani dhe presidentët e tjerë në panel iu përgjigjën interesit të auditorit, duke shprehur disa qëndrime lidhur me nevojën e reformimit të sistemit aktual, apo respektimit të tij pa dy standarde.
Sigal