Nishani e Lu-partive: Largoni individët e përfshirë në krime

476
Presidenti Bujar Nishani iu ka bërë thirrje partive politike të largojnë çdo element kriminal për të ndërtuar një të ardhme sa më të mirë. Në një aktivitet për 24 vjetorin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, Nishani tha se krimi dhe korrupsioni nuk duhet të gjej vend në një shoqëri demokratike.
“Kanosja e krimit dhe korrupsionit nuk duhet të gjej vend në një shoqëri demokratike si duam ta ndartojmë ne. Duke iu referuar marrëveshjes së fundit mes palëve, partitë duhet largojnë pa ekuivok individët e përfshirën në veprimtari kriminale, të vendosin një barrierë që këta elementë të mos jenë pjesë e Kuvendit apo Adiminstratës. Këta njerëz duhet të përballen vetëm më ligjin. I bëj thirrje drejtësisë të mos bjerë pre e presioneve dhe favoreve nga këta elementë. Shqiptarët e duan lirinë dhe një jetë më të mirë, ne nuk duhet ta dështojmë demokracinë, ne duhet ta ndihmojmë atë të rritet sipas modelit perëndimor. Ne duhet të mbrojmë të ardhmen e brezave të rinj të shqiptarëve”, tha presidenti Nishani.
Duke sjellë në kujtesë shembjen e regjimit komunist, Nishani deklaroi se nëse me atë rrëzim ikën tiranët e diktaturës, sfida e sotme e vendit është shembja e bunkerëve të krimit dhe korrupsionit. 
“Çerek shekulli pas rënies së perdes së hekurt shqiptarët larguan tiranët e diktaturës, shembëm bunkered, sfida jonë sot është të shembim bunkerët e krimit dhe korrupsionit, bunkerët e rinj, që vendosen kundër popullit dhe kundër partnerëve strategjikë, i bëj apel klasës politik e të gjithë shoqërisë se kanosja e krimit dhe korrupsionit nuk duhet të gjej vend e jo më strehim në shoqërinë e lirë e demokratike si duam ta shndërrojnë ne vendin” , theksoi Nishani. 
Në fjalën e tij Presidenti e vlerësoi SHBA-në, partnerin më të ngushtë strategjik dhe vendin më të dashur për shqiptarët. Ai vuri në dukje se ndjenjat e thella të mirënjohjes ndaj SHBA-së janë të vërteta dhe të sinqerta.
“Rivendosja e marrëdhënieve me SHBA-në në vitin 1991 përbënte një ngjarje historike për shqiptarët. Mirënjohja ndaj mbështetjes që SHBA dhanë në rivendosjen e sistemit demokratik në Shqipëri shprehet më së miri në imazhin më spektakolar të pritjess madhështore që iu bë sekretarit të Shtetit James Beker, në vitin 1991″, u shpreh Presidenti në fjalën e tij.
Sigal

Lu: SHBA nuk beson tek një parti e veçantë politike apo tek një udhëheqës por tek shqiptarët

Edhe ambasadori amerikan Donald Lu ishte në një linjë me Kreun e Shtetit. Ai theksoi se politika shqiptare duhet të luftojë çdo ditë me krimin dhe korrupsionin në Gjykata por edhe në Parlament. Sipas tij populli shqiptar vazhdon të ndeshet me trashëgiminë e komunizmin, megjithatë tha ambasadori Lu “jam besimplotë se Shqipëria do të përballet me këtë sfidë pa frikë”.
“Populli shqiptar sot vazhdon të ndeshet me trashëgiminë e komunizimit. Ata duhet të luftojnë me forcat e krimit dhe të korrupsionit çdo ditë, në shkollat, bizneset gjykatat e tyre madje dhe në parlamentin e tyre. Shqiptarët janë një popull i fortë dhe ne jemi besimplotë se Shqipëria është e gatshme të përballet me këtë sfidë pa pasur frikë. SHBA beson tek Shqipëria, jo nga një parti e veçantë politike apo nga një udhëheqës të vetëm politik, por tek aftësia e shqiptarëve guximtarë për të mbëshetur ndryshimin dhe për të bërë sakrificën për veten dhe fëmijët e tyre.Mbetem besimplotë se në fund të ditës pjesa më e madhe e shqiptarëve që përkrahin ndershmërinë dhe integritetin do të triumfojnë mbi ata që përkrahin krimin, korrupsionin. Unë zotohem që shqiptarët do të vazhdojnë të kenë mbështetjen e SHBA-së në këtë betejë të rëndësishme”, tha ambasadori amerikan Donald Lu. 

Historia e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA

Marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, u rivendosën më 15 mars 1991, pas një ndërprerje prej 52 vjetësh. Fillimisht marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve u vendosën më 28 korrik 1922.Në një vështrim të përgjithshëm, marrëdhëniet midis vendeve fillojnë me vitet e hershme të shekullit të XX, kur Presidenti amerikan Uillson, i ofroi mbështetjen e nevojshme dhe të domosdoshme shtetit të ri shqiptar, për njohjen e tij. Marrëdhëniet me SHBA-në mbeten të rëndësisë parësore dhe strategjike për Shqipërinë. SHBA-të, janë aleati i pazëvëndësuëshëm i demokracisë dhe i shtetit shqiptar.
Bashkëpunimi dhe partneriteti midis dy vendeve është i orientuar në drejtim të forcimit të stabilitetit, paqes dhe zhvillimit rajonal; konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës; integrimit Euro-Atlantik të Shqipërisë; thellimit të reformave dhe të zbatimit të ligjit në Shqipëri; të ekonomisë, tregtisë dhe konsolidimit të ekonomisë së tregut; të drejtat e njeriut, lufta kundër terrorizmit, lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale, etj.
Këto marrëdhënie të bashkëpunimit të gjerë dhe partneritetit të ngushtë, janë një bazë e sigurt që ato të përparojnë më tej në interes të dy vendeve dhe popujve tanë, në interes të paqes, sigurisë dhe zhvillimit të rajonit tonë e më gjerë.
Bashkëpunimi ekonomik
Duke vlerësuar edhe njëherë nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe, ekziston dëshira dhe vullneti i dyanshëm që edhe marrëdhëniet ekonomike të arrijnë në të njëjtin nivel. Aktualisht, në Shqipëri, janë të pranishme rreth 180 biznese amerikane të të gjitha përmasave dhe nga një spektër i gjerë i ekonomisë.
Janë krijuar të gjitha kushtet tashmë për një prani shumë më të dukshme të kapitaleve amerikane në Shqipëri, veçanërisht në sektorët strategjikë e ata prioritarë të ekonomisë sonë. Mbështetja substanciale që Qeveria amerikane i ka dhënë gjatë gjithë këtyre viteve Shqipërisë, nëpërmjet agjensive të saj, për ndërtimin e institucioneve dhe krijimin e parametrave të tregut të lirë, krijon kushtet për rritjen e investimeve të drejtpërdrejta amerikane.
Në kuadër të bashkëpunimit me agjensitë apo institucionet amerikane mund të përmendim: USAID, Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit, Fondi Shqiptaro-Amerikan për Ndërmarrjet, Dhoma Amerikane e Tregtisë, etj. Ndërsa si biznese private të pranishme në Shqipëri, apo pjesëmarrje në projekte mund të përmendim: Lockheed Martin, Bechtel, EximBank, etj, si dhe prania në projekte me partnerë të tjerë si ASG Power, Airport Partners, etj.
Marrëveshjet Shqipëri-SHBA
Ka rreth 24 traktate dhe marrëveshje midis Shqipërisë dhe SHBA-ve në fusha të ndryshme ku do të veçojmë, traktate në fushën e drejtësisë dhe policisë, ekonomisë, transportit, sigurisë dhe mbrojtjes, dhe fushës së kulturës.