Kreu i Shtetit në pritjen tradicionale të Vitit të Ri 2017 me përfaqësuesit e mediave

Kreu i Shtetit në pritjen tradicionale të Vitit të Ri 2017 me përfaqësuesit e mediave: Askush nuk mund t’i ruajë më mirë dimensionet e lirisë, të demokracisë dhe të drejtave se sa komuniteti i medias!

 

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani dha një pritje zyrtare me botues, drejtues dhe përfaqësues të mediave shqiptare, edhe nga trevat e banuara nga shqiptarët në rajon, duke mikpritur në Institucionin e Kreut të Shtetit kryeredaktorë, gazetarë, editorialistë, opinionistë, analistë, kameramanë si dhe fotografë të shumtë.

 

Kreu i Shtetit, pasi përshëndeti të pranishmit duke iu uruar një Vit të Ri sa më të mbarë e të suksesshëm, nënvizoi se: “gjatë viteve të mia në Zyrën e Presidentit të Republikës jam përpjekur ta respektoj këtë traditë shumë pozitive dhe shumë të mirë, duke nisur vitin me njerëzit e medias, me urimin për komunitetin e atyre njerëzve që ndonjëherë me pa të drejtë nuk u vlerësohet dhe nuk u njihet kontributi i një pune të përditshme, nganjëherë edhe 24 orë në ditë, një punë e cila kërkon një produkt sa të kualifikuar dhe profesional, aq edhe pranë realitetit dhe gjithnjë pranë terrenit dhe qytetarëve dhe njerëzve ku zhvillohen dinamika e jetës së përditshme. Më mirë dhe më shumë se sa njerëzit e medias vështirë të besosh se mund të ketë aktorë të tjerë që e bëjnë këtë punë përditë 24 orë në ditë pa u ndalur”.

 

Duke shfrytëzuar këtë takim të parë të vitit me përfaqësuesit e medias, Kreu i Shtetit u shpreh se: “nga pozicioni i Presidentit të Republikës që kam pasur fatin, nderin dhe privilegjin ta përfaqësoj në këtë periudhë, dëshiroj t’ju shpreh falënderimet dhe mirënjohjen më të thellë për këtë punë dhe për këtë kontribut të madh që jepni për shoqërinë, qytetarët dhe për shtetin. Gjej rastin që të uroj një vit sa më të mbarë me dinamikën që pa dyshim juve ju karakterizon dhe me produktin shumë të rëndësishëm që realiteti shqiptar, qytetarët shqiptarë, jeta politike, sociale, shoqërore e përditshme e të gjithë aktorëve të shoqërisë pret nga bota e medias!”

 

Një falënderim të përzemërt Presidenti Nishani ua kushtoi gazetarëve dhe njerëzve të medias që kishin ardhur nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Presheva, duke u dërguar një përshëndetje të veçantë të gjithë atyre që dërguan mesazhe, që për shkak të vështirësive të rrugës dhe të motit nuk mundën të mbërrinin këtë pasdite në Tiranë nga këto vise: “Dua që edhe atyre t’u dërgoj urimet e mia më të përzemërta, më të mira në emrin tim, në emrin e Institucionit dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe mirënjohje e respekt të veçantë për punën e jashtëzakonshme që bëjnë çdo ditë.”

 

“Presidenti i Republikës nuk është një pushtet, është një institucion kushtetues. Ju jeni pushtet, dhe jeni pushtet shumë i rëndësishëm krahas pushteteve të tjera dhe me këtë dua të them që keni pushtet, keni kontribute të larta të jashtëzakonshme në kontekstin e të qenit një pushtet, ashtu siç keni dhe përgjegjësitë e mëdha në raport me shoqërinë në kontekstin e të qenit një pushtet, ashtu siç meritoni të keni dhe vlerësimet dhe respektet në kontekstin e të qenit një pushtet, por nga ana tjetër duke qenë një pushtet, edhe ju si pushtetet e tjera, jeni një target i sfidave të ndryshme, i sfidave të cilat përballen me pushtetin e medias, atakojnë herë pas here pushtetin e medias, tentojnë të bëhen pjesë e pushtetit të medias për të deformuar herë-herë pjesë të pushtetit të medias, prandaj i gjithë ky angazhim i juaji është në syrin, veshin, mendjen dhe në shpirtin e opinionit publik. Si kudo në botë, dimensioni i medias edhe në Shqipëri ka dimensionin e madh të orientimit të shoqërisë dhe një shoqëri është me fat kur pushteti i medias udhëhiqet dhe në tërësinë e tij përbëhet nga njerëz profesionistë, njerëz të cilët besojnë tek vlerat e lirisë në radhë të parë, kontribuojnë për konsolidimin e vlerave të demokracisë dhe ruajnë dhe pasurojnë dhe më shumë vlerat e integritetit që duhet të ketë një shoqëri.”

 

Presidenti vuri në dukje se: “Praninë tuaj e konsideroj si një vlerësim dhe respekt adresuar Institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Për mua kjo është një pjesë e rëndësishme e kulturës sonë shoqërore, të cilën ne duhet ta emancipojmë gjithmonë e më shumë në raportin e sjelljes së shoqërisë me simbolet, institucionet e shtetit shqiptar. Për pasojë ky respekt domosdoshmërisht e vë Institucionin në radhë të parë në raportin e përgjegjësisë për sjellje të përgjegjshme jo vetëm ndaj njërit prej aktorëve të rëndësishëm, siç jeni ju sot, por në tërësi në raport me shoqërinë.”

 

Duke përshkruar vitin që sapo u la pas, Presidenti Nishani theksoi: “Viti që shkoi ishte një periudhë që e keni ndjekur, keni qenë të përfshirë, keni qenë aktorë, edhe kontribues në shumë prej zhvillimeve, ngjarjeve dhe arritjeve që u shënuan në të. Duhet të mos i neglizhojmë as mos i nënvlesojmë të gjitha arritjet tona si shoqëri, si shtet, si vend, arritje të cilat pa dyshim meritojnë një vëmendje dhe analizë më të madhe në kontekstin e standardit që ato kanë patur në mbërritjen e tyre edhe në kontekstin e sfidave që këto arritje patën gjatë procesit të realizimit të tyre dhe mënyrën e kohezionit se si shoqëria, të gjithë aktorët e shoqërisë sonë u sollën me këto sfida, me procesin e përballjes të këtyre arritjeve që kemi sot. Unë besoj dhe mendoj dhe e kam nënvizuar dhe dua të përfitoj nga rasti edhe sonte këtu me ju si njerëz të cilët elaboroni opinionin, e zhvilloni më shumë, edhe e përçoni tek perceptimi qytetar dhe njerëzve që ngjarje të veçanta që ne patëm vitin e kaluar do të kenë një impakt shumë të madh ndoshta në dekada. Kulmimi i shenjtërimit të Nënë Terezës, pavarësisht dimensionit të madh botëror të saj, ishte një rast i mirë që kombi shqiptar, shqiptarët në tërësi, ta prezantonte origjinën e saj, përkatësinë e saj të gjakut, siç ajo vetë e kishte deklaruar, në këtë eveniment dhe në këtë vëmendje të madhe botërore. Edhe ngjarja me karakter sportiv pa dyshim: Kampionati Evropian i Futbollit ishte një ngjarje, e cila i dhuron botës së sportit dhe shoqërisë një moment harmonie, gëzimi. Besoj jo vetëm për shkak se Shqipëria ishte për herë të parë në një arritje të tillë, por duke qenë edhe vetë dëshmitar i ngjarjeve të caktuara të këtij evenimenti, nuk kishte kënaqësi më të madhe se sa kur imazhi i shqiptarëve dhe i Shqipërisë prezantohet jo thjesht ndryshe, por në fund të fundit, ashtu siç është në realitet.”

Apeli i Presidentit të Republikës drejtuar të pranishmëve ishte: “Edhe për shkak të përvojave të mia, fatit dhe privilegjit që pata në shumë e shumë pozicione në administratën e shtetit shqiptar, duke kulmuar me atë të Presidentit, që të flas, të prezantoj dhe të jem prezent në ambiente ndërkombëtare kryesisht ku diskutohen dhe paraqiten vizionet, imazhet e vendeve, popujve dhe shteteve të ndryshme dua t’ju them që si qytetar, më shumë këtë radhë, i këtij vendi se ju keni një mision të madh dhe unë do t’ju lutesha që këtë mision të jashtëzakonshëm që keni për të përçuar në mënyrë reale, të vërtetë imazhin e shqiptarëve dhe Shqipërisë për të përballur ato sfida që shpeshherë janë të padrejta në krijimin e perceptimeve jo të vërteta dhe jo reale për Shqipërinë dhe shqiptarët. Pikërisht evenimenti kulturor, evenimenti sportiv i dha një shans shumë të madh për ta demonstruar imazhin, kulturën pse jo dhe kapacitetin e shqiptarëve ne nivelin evropian, aty ku pa dyshim kemi jo vetëm ambicien, objektivin, por dhe destinacionin si komb, si vend dhe si popull. Dëshiroj njëkohësisht të shpreh besimin në mënyrë shumë të sinqertë, por dhe dëshirën e madhe për ta parë komunitetin e njerëzve të medias, përfaqësuesen e këtij pushteti të jashtëzakonshëm në mënyrën e bërjes, maturisë dhe pjekurisë së një shoqërie dhe mënyrës së sjelljes së një shoqërie për të patur çdo ditë në mendjen, preokupimin tuaj, angazhimin dhe kontributin tuaj, ruajtjen, pasurimin dhe përçimin e vlerave që ka dimensioni i lirisë, demokracisë dhe i të drejtave. Askush nuk mund t’i ruajë më mirë këto dimensione se sa bota dhe komuniteti i medias. Askush nuk mund t’i pasurojë më shumë sesa njerëzit e medias dhe askush nuk mund t’i transmetojë ato më shumë sesa instrumetet që kanë njerëzit e medias. Për ne si një vend që kemi dalë nga një e shkuar ekstremisht e izoluar pasojat e së cilës për fatin e keq ende i vuajmë sot e kësaj dite qoftë në dimensionin kulturor, ekonomik dhe dimensione të tjera. Kjo nuk do të thotë që ne të mbetemi peng i këtyre standardeve të trashëguara për fat të keq nga e shkuara jonë, përkundrazi ajo që ne kemi kaluar për shkak të izolimit, vetizolimit tonë kërkon sot një dinamikë akoma më të madhe. Ashtu siç të gjithë e konstatojmë kur miq, partnerë nga bota e biznesit, politikës apo qytetarë të thjeshtë e vizitojnë dhe kontaktojnë për herë të parë Shqipërinë si vend, si territor, si shoqëri, si komunitet, e kanë reagimin shumë të fortë për shkak të diferencës së madhe që ekziston tek këta individë midis perceptimit dhe realitetit që gjejnë. Natyrisht që ne nuk pretendojmë dhe nuk themi që kemi një realitet, i cili është në dimensione të ndryshme nga vende të tjera, por është një realitet i cili pa dyshim ka diferenca të mëdha nga perceptimi që ka trashëguar dhe ka lënë e shkuara kryesisht tek të tjerët ndaj nesh. Apo ndonjëherë për fat të keq për shkak të zërave jo dashamirës ndaj Shqipërisë që kanë folur në emër të Shqipërisë apo dhe kur shqiptarët nuk flisnin dot për veten e tyre. Ne kemi nevojë të tejkalojmë këto barriera dhe më mirë se sa ju që keni kapacitetet intelektuale në radhë të parë, keni dhuntitë profesionale, edhe dinamikën që ju jep profesioni që keni zgjedhur, dhe të investoni dhe t’i përkushtoheni nuk mund ta bëjë askush tjetër. Kjo pa dyshim kërkon edhe suport, edhe mbështetje të të gjitha llojeve dhe shteti, institucionet duhet ta marrin shumë seriozisht mënyrën sesi mund ta ndihmojnë botën e medias, pushtetin, njerëzit e medias, për t’i shërbyer këtyre interesave të mëdha të kombit, vendit dhe qytetarëve. Dimension tjetër shumë i madh është patjetër analiza në kontekstin e realitetit dhe zhvillimit ekonomik të dashur miq. Askush nuk ëshë dyshues dhe nuk mund të kontestojë ndryshimet që ka pësuar Shqipëria në dy dekada e gjysëm të fundit në kontekstin ekonomik. Nëse ne bëhemi më racionalë dhe marrim përgjegjësitë që na takojnë dhe duhet t’i marrim për të bëra analiza dhe diferenca midis resurseve që posedojmë, me të ardhurat dhe standardin e jetesës që ne gëzojmë, besoj që kjo është një sfidë e madhe që na kërkon të gjithëve ne, më shumë se nga kushdo tjetër, ju njerëzve të medias për të gjithë ato që unë përmenda në radhë të parë, për të konsideruar si të padrejta, diferencën e madhe që ne kemi midis të ardhurave që ka kjo shoqëria jonë, ky vendi ynë me resurset e tij, sepse jemi i vetmi vend në rajonin ku është Shqipëria që posedojmë dhe tregtojmë produktet dhe burimet e naftës që asnjë vend tjetër i rajonit nuk e ka këtë kapacitet dhe burime që e ka Shqipëria. Jemi vendi më i zhvilluar dhe më i pasur për sa u takon burimeve ujore, për fatin e keq një pjesë e madhe e këtyre resurseve ose nuk shfrytëzohen ose shfrytëzohen keq. Një pasuri e jashtëzakonshme që kuotohet si pasuri sot në botën e civilizuar në botën e zhvilluar dhe resurse të tjera, pasuria e madhe e hapësirës detare e klimës e burimeve minerare. Të gjitha këto i posedojmë në raporte diferencialisht të mëdha krahasur me vende të tjera përreth nesh apo larg nesh, por për fatin e keq standardet ende mbeten më të vogla se sa të gjitha këto vende dhe kjo është një padrejtësi që kërkon reflektim nga të gjithë neve dhe më mirë se kushdo nga ju analizën për këtë padrejtësi që ekziston prej vitesh dhe vitesh dhe në mënyrën se si duhet ta orientojmë ne shoqërinë tonë të përbashkët, shtetin tonë të përbashkët, vendin tonë të përbashkët, të ardhmen tonë të përbashkët për ta gëzuar dhe shijuar në një dimesion më të mirë, që besoj se nuk mund ta bëjë askush tjetër. Në se do të flasim për objektiva të tjera të shtetit ne njerëzit që drejtojnë institucionet, njerëzit e përfshirë në politikë janë po aq të angazhuar sa ç’jeni edhe ju ndoshta herë pas herë ju jeni edhe më të angazhuar edhe më të përfshirë. Unë dua që sot të shpreh të gjithë vlerësimet e mia për të gjithë ato vende mike e partnere, të cilat kanë inkurajuar rrugëtimin evropian të Shqipërisë.

 

Unë e kam deklaruar në mënyrë të herëpasherëshme dhe duhet ta nënvizoj, duke përfituar nga prania juaj, që mendoj dhe gjykoj dhe kjo nuk është një zgjedhje personale. Kjo është një zgjedhje dhe përcaktim i shumicës dërmuese të shqiptarëve që për Shqipërinë dhe shqiptarët nuk ka alternativë tjetër përpos intergrimit në Bashkimin Evropian. Për Shqipërinë nuk ka një alternativë B, një alternativë C dhe me radhë padyshim që procesi do të jetë një proces i vështirë, nuk do të jetë një proces i shkurtër do të jetë një rrugëtim, i cili në bazë të themeleve të saj ka padyshim përpjekjet më të mëdhaja që të gjithë ne duhet bëjmë që të arrijmë standardet që kërkohen dhe ju jeni një pjesë ekstremisht e rëndësishme të mënyrës për të analizuar, vlerësuar edhe për ta adresuar, për të ecur në këto drejtime, sepse e përsëris: Keni kapacitetin intelektual, keni dhuntinë profesionale, keni dinamikën që keni fituar nga angazhimi i përditshëm. Unë dua dhe kërkoj, edhe për shkak të eksperiencës personale që qytetarët shqiptarë, qytetarët e thjeshtë shqiptarë ta njohin dhe ta vlerësojnë më shumë kontributin dhe sakrificën e njerëzve të medias, sepse është një kontribut intelektual, i cili bëhet përditë që ka impaktin ditor dhe impaktin afatmesëm dhe afatgjatë dhe kjo është çështje e kulturës, është çështje e civilizimit, raportet e vlerësimit të mirënjohjes.

 

Shqipëria, për fatin e mirë dhe shqiptarët sot kanë raporte shumë të rëndësishme edhe në aspektin ndërkombëtar, veçanërisht në atë rajonal. Dhe unë dua sot të shpreh gjithë kënaqësinë dhe vlerësimin tim për shtetin shqiptar por edhe për shqiptarët kudo ku ata jetojnë edhe ndodhen, në Maqedoni, në Malin e Zi, në Kosovë, në Luginën e Preshevës përqendrimet që kanë patur në kontekstin e politikës rajonale, por edhe politikave të tyre globale për të ridimesionuar faktorin shqiptar dhe për të treguar realisht rëndësinë që ka kontributi i shqiptarëve në rajonin, i cili sot gëzon standarde të paimagjinueshme një dekadë apo një dekadë e gjysëm të shkuar dhe për ne mbetet i rëndësishëm forcimi dhe konsolidimi i stabilitetit rajonal. Shqiptarët kanë qënë dhe do të vazhdojnë të mbeten garantues të rëndësishëm të këtij stabiliteti, kontributorë të pazëvendësueshëm të këtij stabiliteti.

 

Ky vit është shumë i rëndësishëm në të gjitha aspektet dhe unë mendoj që të gjithë neve kemi obligim për të patur një zë të fortë, kemi obligim, për të patur një kontribut më të madh. Kemi obligim për të patur një angazhim më të drejtëpërdrejtë që të gjitha sfidat që kemi përpara në vitin që vjen t’i realizojmë në mënyrën më dinjitoze të mundshme dhe unë do të përfitoja nga rasti ta adresoja nga kjo foltore e Presidentit të Republikës që jo vetëm dëshirën, jo vetëm besimin, por edhe lutjen time për njerëzit e medias që të gjithë botuesit, editorët, analistët, gazetarët, të gjithë stafet mbështetëse që sfidat që kemi përpara dhe përgjegjësitë që ne duhet të ndajmë së bashku të mos i lëshojmë pës asnjë moment se janë dimesioni i përgjegjësisë dhe përditshmërisë që i takon. Ne jemi të gjithë aksionerë të së tashmes dhe të së ardhmes të këtij vendi, pavarësisht pozicionit që kemi si qytetar apo autoritetit publik dhe mendoj që e ardhmja ndërtohet mbi bazën e produkteve të së tashmes dhe ju më shumë se sa shumë e shumë aktorë të tjerë, si një prej pushteteve shumë të rëndësishme në vend, keni në dorën tuaj në mendjen tuaj në mundësitë tuaja absolutisht resurse dhe se çfarë mund të bëni për të ardhmen, mënyrën dhe formën që profesioni juaj e di më mirë se sa kushdo tjetër si ai mund të adresohet, si ai mund elaborohet dhe si ai mund të jetë ndikues.

 

Ky vit është një vit zgjedhor dhe padyshim në një vend të lirë, në një vend demokratik, proceset zgjedhore jane procese të mëdha që tregojnë maturinë e një shoqërie, por edhe japin prespektivën mënyrën se si shoqëria do të përballë zhvillimet e të gjithë fushave të tjera. Ështe tregues i rëndësishëm i përgjegjësisë dhe maturisë së gjithë aktorëve dhe padyshim që përgjegjësia në mendim tim është më e madhe tek ata aktorë që kanë fatin të jenë një hap më përpara se sa aktorë të tjerë qoftë në kontekstin e kapacitetit intelektual që gëzojnë, qoftë edhe të mundësive që rrethanat në të cilat ata ushtrojnë profesionin e tyre, kontributin e tyre apo angazhimin e tyre, japin. Standardet e zgjedhjeve të ardhshme janë të rëndësishme për secilin prej nesh për të gjitha forcat politike pa përjashtim, për të gjithë qytetarët e vendit pa përjashtim për të gjithë pushtet pa përjashtim. Por më duhet të them dhe të ndaj me ju edhe shqetësimin tim pasi evidenca serioze tregon se grupe të caktuara të botës së krimit do tentojnë të influencojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe ky është një problem, i cili duhet të na preukupojë të gjithëve. Në radhë të parë u bëj thirrje partive politike, lidershipit politik të vend që me përgjegjësinë që ka, ta adresojë me shumë kujdes këtë sfidë të madhe, sepse krimi dhe bota e krimit, veprimtaria kriminale, i dëmton, i kërcënon dhe i prek të gjithë pa përjashtim. Krimi nuk ka një ngjyrim, ai është vetëm i zi dhe kthehet në një dëm të madh për këdo pa dallim, prandaj është një përgjegjësi shumë e madhe të aktorëve politikë në radhë të parë për ta adresuar me shumë seriozitet këtë çështje, këtë situatë, por nga ana tjetër dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm të shoqërisë dhe posaçërisht media për ta monitoruar me kujdes, për të denoncuar në çdo rast çdo tentativë që bota e krimit do të mundohet të influencojë në jetën tonë politike, në jetën tonë ekonomike, në jetën tonë sociale, në jetën tonë kulturore. Le të dalim nga retorika e të shkojmë drejt realitetit! Më mirë se sa njerëzit e medias që janë çdo ditë në terren që për shkak të intesitetit të aktivitetit të tyre e kanë të mundur që ta prekin këtë realitet nga afër, mund t’i nxjerrin konkluzione, analiza dhe adresime edhe ndihma që i bëhet shtetit, që u bëhet institucioneve, që u bëhet aktorëve, ne të gjithë së bashku, fëmijët tanë, brezat që vijnë meritojmë padyshim një Shqipëri shumë herë më të mirë dhe ne i kemi të gjitha kapacitetet për të patur një Shqipëri shumë herë më të mirë nga ajo që kemi sot, pakrahasimisht nga ajo që kemi pasur në të shkuarën.

 

Kjo Shqipëri e lirë që kemi arritur deri sot ka arritur falë kontributit të njerëzve, të gjithë aktorëve të shoqërisë, por edhe detyrimi i gjeneratës sonë që ajo që duhet të konsiderohet si sakrificë e gjeneratës sonë sot për t’i shërbyer të ardhmes së brezave të tjerë të merret në raportin më serioz që i takon. Prandaj unë do t’ju lutesha dhe të kërkoja prej jush një angazhim me kapacitetin e plotë intelektual që kemi, me dhuntitë e plota profesionale që zotërojmë, por edhe me përgjigjësitë qytetare që kemi, në fund të fundit na bashkojnë interesa të përbashkëta si qytetarë të këtij vendi, si anëtarë të kësaj shoqërie, por nga ana tjetër na ngarkojnë edhe me përgjegjësi, përgjegjësi padyshim të ndara, por askush nuk është i përjashtuar nga përgjegjësia.” – nënvizoi Kreu i Shtetit.

 

“Vitin që kemi përpara ka shumë prova për shoqërinë tonë, zbatimin e mjaft reformave. Reforma në drejtësi ka qenë pjesa më e debatuar e vitit që shkoi dhe besoj do të jetë pjesa më e debatuar gjithashtu përtej asaj që ka të bëjë me vitin zgjedhor të vitit që sapo kemi hyrë, sepse kërkon për herë të parë instalimin e një sistemi gati-gati të ri midis pushteteve të ndryshme, një mekanizëm i cili do të garantojë shumë liri dhe të drejta që kanë në themel shtetin e së drejtës, prandaj zbatimi i reformës në drejtësi që mbetet si sfidë jo vetëm për klasën politike, por mbetet si një sfidë për të gjithë shoqërinë, por natyrisht ne nuk mund t’i kërkojmë qyetarëve të thjeshtë të jenë ata përgjegjës të monitorimit dhe adresimit të tematikave dhe sfidave që do të ketë zbatimi i reformës në drejtësi, por pushtetit të medias, njerëzve dhe komunitetit të medias pse jo, madje patjetër, sepse ata kanë zgjedhur jo për shkak të dhuntisë, por edhe me ndërgjegje të plotë për t’i shërbyer shoqërisë dhe për t’i shërbyer realitetit të gjithë bashkë në këtë pozicion dhe është pikërisht komuniteti i medias që pavarësisht problematikës dhe sfidave e shikojnë në mënyrë në të ftohtë, të mundshme, më të barazlarguar të mundshme se të gjithë aktorët e tjerë proceset e reformave, kaq të thella dhe kaq dinamike e kaq të rëndësishme.” – u shpreh Presidenti Nishani.

 

“Ndaj unë edhe njëherë duke shprehur besimin maksimal në angazhimet tuaja, në vlerat tuaja dhe duke ju falënderuar në mënyrën më të përzemrët për gjithcka keni bërë deri më sot në të gjitha aspektet e angazhimit tuaj dhe duke vlerësuar maksimalisht jo vetëm në kapacitetet që keni, por edhe në atë çka do të vijë si kontribut i angazhimit tuaj edhe njëherë më lejoni t’ju uroj përzemërsisht dhe shumë sinqerisht të keni një vit sa më të mbarë në rradhë të parë në familjet tuaja tek të afërmit, tek të dashurit tuaj, të keni një vit që të keni dhe të merrni vetëm lajme të mira, të keni veç mirësi dhe gjithmonë të takohemi dhe të mblidhemi për të konstatuar arritje pozitive, pse jo të kemi gjithmonë edhe ambicie, të mbështetur mbi objektiva konkretë dhe objektiva të rëdësishëm që këtij vendi dhe kësaj shoqërie nuk kanë pse t’i mungojnë, përderisa e kemi arritur deri këtu ku kemi arritur dhe kemi ambicie për të shkuar shumë më përpara.” – përfundoi fjalën e Tij Presidenti i Republikës.