Nisen në Ankona e përfundojnë në Bari. Tragetit ju fik motori gjatë lundrimit

350

Skandalet në tragete s’kanë të sosur. Flet Hysni Aruçi, kapiten i portit të Durrësit: “Duhen dëmshpërblyer pasagjerët”

Skandalet nuk kanë të sosur me kompanitë e lundrimit dhe tragetet që lidhin Durrësin me portet italianë. Vetëm pas pak ditësh nga tmerri që përjetuan qindra pasagjerë, kur tragetit “IONIS”, i ra porta e imbarkimit të pasagjerëve dhe makinave në basenin ujor, pas mesnate dhe trageti i kthye mbrapsht për të shmangur tragjedinë, trageti tjetër i Kompanisë “Adria Ferris”, është nisur me 12 orë vonesë drejt destinacionit, Portit të Ankonës, por 1500 pasagjerët i ka zbritur në Bari. Trageti mbërriti me 12 orë vonesë në portin e Durrësit duke i lënë në pritje 1500 pasagjerët prej mesditës deri në mesnatë, por edhe pas mesnate nuk është nisur, duke pritur orën 7:00 të mëngjesit, kur mori lejen e largimit nga porti i Durrësit. Nga burime konfidenciale mësohet se trageti mbërriti me vonesë për shkak të një motori, i cili ishte fikur, gjatë mbërritjes për në Durrës. Por si të mos mjaftonte e gjithë kjo situatë, pa riparuar plotësisht defektin dhe pas 7 orësh nga mbërritja niset sërish në lundrim për në Ankona, një lundrim që zgjat minimalisht 20 orë deri në destinacion. Por sapo ka kaluar ujërat territoriale kapiteni ka ndryshuar destinacion, duke i lënë pasagjerët në portin më të afërt, Barin, që është 8 orë larg nga Durrësi.

 Destinacioni

Pasagjerët e kanë mësuar fatin e tyre vetëm pasi janë ankoruar në Bari dhe nga kapiteni i tragetit u është kërkuar të largohen për në Ankona në veri të Italisë, pa u dhënë minimalisht dëmshpërblim për biletat e paguara. Ndryshimi i destinacionit ka bërë që pasagjerët që u detyruan të zbrisnin në Bari nga  trageti “Klaudia Prima”, të kërkojnë dëmshpërblim nga kompania. Pasagjerët i kanë prerë biletat për të mbërritur në Ankona, por gjatë udhëtimit destinacioni i tyre është ndryshuar pa i lajmëruar. Ndërkohë, pasagjerët bënë me dije se nuk kanë asnjë informacion apo ndihmë nga shteti italian dhe i bënë kërkesë  qeverisë shqiptare që të mos anashkalojë raste të tilla diskriminimi. Hysni Aruci kapiten i portit të Durrësit tha se shkak i ndryshimit të destinacionit ka qenë avaria, megjithëse Kapiteneria shqiptare lejen për lundrim e kish dhënë në orën 7:00 të mëngjesit për në Ankona dhe jo në Bari.

Kapiteni, Aruçi

“Mësuam nga Kapitaneria e Barit se trageti pësoi defekt gjatë rrugës në motor dhe për këtë arsye është vendosur të ndryshohet destinacioni. Ne nuk mund të kemi komunikim me kapitenin e anijes jashtë ujërave territoriale të vendit, lejen për ankorim në Bari e kanë marrë nga pala italiane. Megjithatë operatori privat në këtë rast që është Kompania “Adria Ferris” duhet të sigurojë udhëtimin për në destinacion të pasagjerëve dhe jo t’i lërë në mes të rrugës”,- tha Aruçi i pyetur nga “Telegraf”.

Kompensimi

Sipas ligjit kompania duhet të dëmshpërblejë në kosto të plotë të biletës së udhëtimit të gjithë pasagjerët, por edhe t’i çojë në destinacionin e tyre, gjë e cila nuk ndodh pavarësisht se abuzimi me pasagjerët shqiptarë është i hapur. Në muajin korrik e njëjta gjë ndodhi me tragetin “Late” të kompanisë “Anek Lines”, ku trageti pësoi avari dhe pasagjer ishte edhe ish presidenti. Tragetet që lundrojnë nga Durrësi drejt Italisë nuk kanë asnjë siguri, duke i lënë pasagjerët, ku të munden.