Nis të hënën projekti i ngritjes së asambleve dhe zgjedhjes së administratorëve të pallateve

501
Sigal

 

Veliaj: “70 koordinatorë në terren për të zgjedhur
administratorët e pallateve; nga e hëna nis ndarja në burim e mbetjeve”

 

Nga dita e hënë,
70 koordinatorë të zgjedhur të Bashkisë së Tiranës do të nisin në terren
procesin e ngritjes së asambleve dhe zgjedhjes së administratorëve të
pallateve. Bashkia e Tiranës ka nisur zbatimin e projektit të rëndësishëm për
harmoninë në komunitet, siç është ai i zgjedhjes së administratorëve të
pallateve, të cilët do të luajnë rolin e ndërmjetësit dhe zgjidhësit e problemeve
që banorët e pallatit kanë me njeri-tjetrin. Kryetari i Bashkisë së Tiranës,
Erion Veliaj zhvilloi një takim me përfaqësues të njësive administrative,
kryepleqtë e lagjeve dhe koordinatorë të zgjedhur, ku prezantoi në detaje
projektin e zgjedhjes së administratorëve të pallateve.

 

“Nëse bëjmë
gjëra dhe nuk i mirëmban askush, nëse një njeri mban peng një pallat të tërë se
nuk paguan faturën për djegien e pompës, nuk jep kontribut për të mirëmbajtur
ashensorin, s’ka vlerë. Ndaj, masa konkrete që marrim sot ka të bëjë me
vendosjen e administratorëve të pallateve në 5 mijë pallatet e Tiranës, që
njëherë e mirë në këtë qytet të ketë rregull, edhe pse jemi një milion banorë, dhe
të respektojmë secilin sikur të ishim një familje e vogël. Duke filluar nga
dita e hënë do të kemi 70 koordinatorë në terren, të cilët janë rekrutuar nga
Bashkia e Tiranës për të bërë një krehje të 5 mijë pallateve dhe për t’u
siguruar që ky projekt të dalë me sukses”, tha Veliaj. Ai shpjegoi hapat që do
të ndiqen në ditët në vijim, deri në zgjedhjen e administratorëve dhe fillimin
e funksionimit të tyre.

 

“Duke nisur
nga kjo fundjavë, banorët e Tiranës do të marrin një letër nga kryetari i
Bashkisë, ku shpjegohet procedura dhe nëse një nga punonjësit ose punonjëset me
etiketën që tregon që janë punonjës të bashkisë, troket në derën tuaj, është i
autorizuar t’ju shpjegojë se si do të funksionojë sistemi. Hapi i parë: do të
krijojmë një asamble të banorëve të pallatit. Asambleja e banorëve të pallatit
përbëhet nga të gjithë qytetarët që banojnë në atë pallat. Kush ka pronë ose
kush është me qira në atë pallat është automatikisht anëtar i asamblesë së
pallatit. Prania juaj fizike në atë banesë, në atë territor, ju bën
automatikisht sipas ligjit shqiptar, anëtar të asamblesë”, u shpreh Veliaj. Më
pas, të gjithë banorët do të mblidhen për të zgjedhur Asamblenë e Pallatit, e
cila nga ana e saj do të zgjedhë kryesinë.

 

“Hapi i dytë:
organizojmë zgjedhjet e asamblesë. Stafi i bashkisë është t’ju koordinojë, t’ju
njoftojë datën, vendin ku do takoheni për të bërë këto zgjedhje, dhe pastaj me
një votim demokratik të vendosni 3-5 veta, sipas ligjit, që do të jenë kryesia
e asamblesë. Hapi i tretë: kjo kryesi, me 3-5 veta, do të kontraktojë
administratorin e pallatit. Në disa vende tashmë është identifikuar dikush që e
bën këtë punë, por nëse ky është personi që doni atëherë do të bëni një
rekrutim zyrtar dhe kjo kontratë do të depozitohet në bashkinë e Tiranës”,
sqaroi kryetari i Bashkisë. Ai bëri të ditur se Bashkia e Tiranës, për të
krijuar mundësitë që projekti të jetë i suksesshëm, do të bëjë edhe trajnimin e
administratorëve, për t’iu shpjeguar atyre kompetencat, por edhe mënyrën sesi
duhet të menaxhojnë situatën në pallat. Mandej, administratori do të
certifikohet.

 

“Për këta persona,
përveçse është një mundësi pune, por është edhe një mënyrë se si Bashkia e
Tiranës ka një kontakt me secilin prej administratorëve, i cili vjen si një
autoritet shërbyes dhe ligjzbatues; pra, administratori, me ligjin tonë, do të
ketë mundësi të gjobisë atë që i hedh plehrat nga ballkoni apo që i harron
plehrat te ashensori, që uzurpojnë një vend parkimi etj”, theksoi Veliaj. Ai
shprehu besimin se brenda vitit tjetër do jenë zgjedhur të gjithë administratorët
e 5 mijë pallateve në Tiranë.

 

Veliaj tha se
nga kjo fundjavë nis edhe projekti tjetër ambicioz i Bashkisë së Tiranës, ai
për diferencimin e mbetjeve në burim. “Do të fillojë punë ndërmarrja publike Eco
Tirana, e cila ka nisur vendosjen e koshave të rinj nëpër rrugët e qytetit.
Secili prej banorëve do të duhet që t’i ndajë në dy qese mbeturinat e veta, ato
që mund të riciklohen për në koshin e gjelbër, dhe ato që nuk riciklohen për në
koshin blu. Nëse dikush ka pikëpyetje për një gjë kaq të thjeshtë mjafton të
pyesë fëmijët”, tha Veliaj.

 

Në kuadër
edhe të përgatitjeve për festat e fundvitit, Veliaj bëri të ditur se Bashkia e
Tiranës ka hapur edhe këtë vit një treg të posaçëm për gjelat e detit në
Baldushk, ndërsa theksoi se nuk do të lejohen më shitja e tyre në rrugët e
Tiranës. “Në datën 15 ose 16 do të jemi gati me tregun në Baldushk. Nuk mund të
vazhdojë më historia e shitjes në rrugët e qytetit të gjësë së gjallë”, shtoi
Veliaj. Në fund të takimit, Veliaj tha se të gjithë punonjësit e ndërmarrjeve të
Bashkisë së Tiranës që punojnë në terren, do të përfitojnë një shpërblim me
rastin e festave të fundvitit.