Nis sot në Elbasan Festivali i 14-të i Teatrit. Ministria e Kulturës nuk jep fonde

673
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, drejtori i teatrit “Skampa”, Ilirjan Sulkja: “Të veçantat e këtij viti”

Nis ditën e sotme në teatrin “Skampa” të qytetit të Elbasanit, Festivali i 14-të i Teatrit Ndërkombëtar Bashkëkohor “Skampa 2012”. Në ‘të marrin pjesë trupa teatrale nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Turqia etj.. Në një intervistë për “Telegraf”, Ilirjan Sulkja, drejtor i tetarit “Skampa”, Elbasan bënë të ditur se, realizimi i këtij festivali ka qenë shumë i vështirë pasi Ministria e Kulturës “harroi” të ndihmonte financiarisht.

Zoti Sulkja të hënën (sot) fillon java e teatrit ndërkombëtar “Skampa 2012”. Çfarë mundet të na thoni për këtë eveniment?

Po siç është bërë traditë prej 14 vjetësh të hënën fillon Festivali i 14-të i Teatrit Ndërkombëtar Bashkëkohor “Skampa 2012”, një ide e krijuar nga drejtori artistik Andonis  Filipi, të cilën e ka krijuar që prej katërmbëdhjetë vjetësh dhe që nga ajo ditë e deri më sot po vendos themelet dhe emrin e madh të teatrit “Skampa” dhe të gjithë artdashësve elbasanas, artistëve dhe qytetarëve. Por sivjet është titulluar “Kontest”, për vetë faktin se këtë vit në Elbasan do të marri pjesë dhe Unioni Botëror i Teatrove, ku më datat 20-22 Nëntor 2012 do të mblidhet Asambleja e Përgjithshme Ndërkombëtare e Teatrove, e cila për herë të parë ka si qëllim: Diskutimin e problematikave të teatrove në botë, vvorkshop-et, konferencat e shtypit, trajtimin e politikave që teatrot duhet të ndjekin, hartimin dhe shqyrtimin e  projekteve, gjetjen e donatorëve dhe përshtatja me politikat e përgjithshme botërore etj..

Kush është donator i Festivalit të 14-të të Teatrit? Po probleme a keni hasur?

Pra 14 vjet më parë ishte ideja e Andonis Filipit dhe nën kujdesin e Bashkisë së Elbasanit si gjithnjë, një festival që po bëhet traditë për Elbasanin. Vitin e kaluar ishte vështirësia e djegies së godinës së tetarit, ku me gjithë vështirësitë realizuam festivalin, sepse ishte një premtim i qytetarëve, kurse sivjet i gjithë aktiviteti do të zhvillohet në godinën e teatrit “Skampa”. Janë mbi 20 milionë lekë që bashkia ka vënë në dispozicion për realizimin e këtij evenimenti kaq të rëndësishëm. Por më vjen keq që nga Ministria e Kulturës nuk kemi marrë asnjë donacion prej dy vjetësh për zhvillimin e këtij festivali, por neve i kemi dhënë fjalën qytetarëve elbasanas dhe do ta zhvillojmë bukur dhe mirë. Kemi aplikuar për projekte, por pa përgjigje nga ministria. Ndërkohë, do të doja të theksoja se këtë vit ky festival zhvillohet në 100-vjetorin e Pavarësisë, në 95-vjetorin e krijimit të tetarit “Skampa” dhe 50-vjetorin e Teatrit Profesionist, pra është një fat dhe risi që sivjet kemi gjithë këto festa dhe jemi krenarë që po zhvillojmë në një përvjetor të madhërishëm, aq më shumë ku në këto dyer e skena kanë performuar gjithë ajo plejadë artistësh e Qytetit të Elbasanit që me këtë rast dua t’i përshëndes.

Cila është e veçanta e këtij festivali dhe nga cilat vende marrin pjesë trupat teatrore?

E veçanta e këtij festivali është se, nga Shqipëria ka më shumë pjesëmarrës, sepse në festivalet e tjera kuota ka qenë e limituar vetëm një, kurse sivjet ka katër pjesëmarrës. Në këtë festival marrin pjesë trupa nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Armenia, Italia, Turqia dhe Rumania. Gjatë javës do të këtë konferenca shtypi, ku do të ketë të pranishëm kritikë arti, gazetarë, artistë, shkrimtarë etj..

Si do të fillojë nata e parë e javës së teatrit?

Atëherë, nata e parë sot, ditë e hënë do të fillojë më teatrin kombëtar të Shkupit i titulluar “Miss Xhuli” me regjisor Saulius Varnas. Fillimisht do të zhvillohet ceremonia e hapjes së festivalit, ku do të jetë i pranishëm Kryebashkiaku Qazim Sejdini. Në ditët në vijim do të vazhdohet sipas programit të hartuar nga stafi drejtues i projektit.

Po teatri “Skampa” i Elbasanit me çfarë do të prezantohet para artdashësve?

Trupa e teatrit “Skampa” para shikuesve do të prezantohet me një vepër shume të mirë, me “Emil” të Ruzhdi Pulahës, regjisor Alfred Trebicka, skenograf Fatbardh Marku dhe muzikë Klement Marku, ku dhe konkurroi javën e parë në Festivalin e Dramës Shqipe në Tiranë. Nga kritikët u vlerësua si shfaqja më e mirë. Në brendësinë e saj ka jetën e sotme, prezantohet realiteti shqiptar sot, problemet sociale, shoqërore dhe politike të shoqërisë shqiptare, por që publiku kur ta shikojë do të ndihet më mirë kur të jetë në sallë. Por tek të gjitha trupat teatrore që marrin pjesë të gjitha kanë të veçanta dhe mrekullitë e tyre, ku me këtë rast dua edhe t’i falënderoj për pjesëmarrjen.

Cilët janë personazhet e tragjikomedisë “Emil”që po vihet në skenë?

Në “Emil” luajnë aktorët më të mirë, ku mundet të përmend: Alfred Trebickën, Erjona Kakeli, Besmir Haliti, Dhimitër Topuzi, Eduart Cala, Rina Soeli, Antoneta Doko dhe Ilmi Belshaku. Pra është një tragjikomedi që ka jetën sociale të sotme të të gjithë shqiptarëve dhe aktorët janë më të mirët, ku dhe patëm vlerësimet më të mira nga kritika. Megjithatë do të jenë qytetarët që do të na vlerësojnë.  Ndërkohë që, edhe në tetarin “Anton Pan” Rumani të titulluar “10 Pyetje” shkruar nga Ana Maria Bamberger, regjisor është Andonis Filipi, ky është një vlerësim që i bëhet ideatorit të këtij festivali. Por të gjithë regjisoret e skenaristët janë më të mirët që përfaqësojnë trupat e tyre teatrore.