Nis shkrirja e piramidës “Kurum”

930
Kompania “Kurum” e krijoji “pashallëkun” e saj në Shqipëri me shkrirjen e skrapit dhe prodhimin i hekurit, duke u futur në biznesin shqiptar nga “kanalet e pista” të korrupsionit nëpërmjet pazareve me krim ekonomik-financiar e shtetëror, të bërë me qeverisësit e politikanët e lartë shqiptarë të kohës kur erdhi e në vazhdim, deri pak ditë më parë kur “Sudja” me emrin “Kurum” përfundoi edhe vetë si “skrap”! Fuqia e “pashallëkut” të “Kurum”, zgjati deri pak ditë më parë kur shpalli rënien prej falimentimit financiar të këtij biznes-pisnesi piramidal i cili nisi dhe u ngrit me afera e u shkërmoq prej mashtrimit, falsitetit, trafiqeve, evazionit fiskal, kontrabandës, prodhimit me cilësi të dobët dhe prej borxheve ku u zhyt “kokë e këmbë”! Kompania “Kurum” e cila u fut në Shqipëri si “pushtuese” asetesh të blera me afera korruptive, duke paguar “1 metër” dhe duke zaptuar me afera disa qendra prodhuese gjigante të ekonomisë strategjike shqiptare deri në Energji dhe shërbimet portale monopol në Portin e Durrësit, tashmë është shkërmoqur duke iu dorëzuar falimentimit financiar. Nëpërmjet një kërkese bërë drejtësisë shqiptare dhe institucioneve zyrtare të licencimit, “kështjella” me mure korrupsioni, kontrabande e borxhesh ka kërkuar shpalljen e falimentimit në Gjykatën e Tiranës, regjistruar si “Kërkesë për falimentim” në datën 26 shkurt 2016. “Sulltani” i firmës “Kurum” në Shqipëri, ka deklaruar se falimenti kishte si shkak borxhin 170 milionë euro ndaj kontraktorëve. Në fakt, falimenti i “Kurum” ka si shkak borxhe që shkojnë deri në 800 milionë euro ndaj firmave kontraktuese, bashkëpunuese, borxhlinjve ilegalë me fajde dhe detyrime fiskale si taksa lokale e qendrore, gjoba mjedisore e tatimore, pagesa të pashlyera uji e sidomos energjie elektrike, që vetëm konsum real pa kamatëvonesat kapin vlerën 1.6 milionë euro, nga të cilat 751 milionë po i kërkohen me proces gjyqësor nga shteti shqiptar! Çfarë po ndodh me borxhet “gropë e zezë” që ka firma “Kurum”? Burime të gazetës Telegraf”, bëjnë me dije se krahas procedurave gjyqësore të falimentimit, në “portën” e firmës “Kurum”, në gjykatë dhe në sportelet e bankave e të QKR janë vërsulur disa kompani përmbarimore shqiptare me “dosje borxhesh” në duar, për të bërë sekuestrot e pasurive, lëndëve të para, produkteve, aktiviteteve të biznesit, trojeve dhe llogarive financiare në favor të klientëve të tyre brenda e jashtë Shqipërisë, të cilët “magjistari” turk “Kurum” i ka zhvatur dhe i ka mashtruar me mos shlyerje detyrimesh kontraktore, me kredi të zeza, apo borxhe ilegale të marra me deklarata fajdexhinj tip “defterë bakalli”! 
Fajdexhiu “Kurum” edhe pse i falimentuar, ka marrë 134 milionë euro kredi në banka
Po e nisim me një fakt: Dy vite më parë, drejtuesi doganor i anti-kontrabandës Denion Mejdani, në ushtrim të detyrës dhe në zbatim të ligjit, bllokoi sasi të mëdha hekuri e çeliqesh pa ftura dhe me fatura fallto në magazina. Pas këtij bllokimi, në vend që të ndëshkohej dhe penalizohej “Kurum”, u shkakrua nga detyra dhe u hoq nga shërbimi doganor zyrtari që zbuloi këtë veprim kontrabandë. Kujtojmë gjithashtu, që qeverisja “Rilindja”, pas ardhjes në pushtet në vitin 2013, nuk i riktheu 4 HEC-et që “Kurum” i bleu me afera korruptive, me çmim “5 lekë” dhe që i shlyeu jo me lekë në dorë, por me “shkëmbim borxhesh”, të sajuara sikur gjoja shtetit shqiptar i kishte firmës “Kurum” me pagesën TVSH, sajuar prej shefash të lartë të ish-pushtetit që kanë “hise” brenda pasurive e llogarive të “Kurum”. Edhe pse procesi i falimentit nuk ka marrë formë të prerë, kanë nisur më në fund sekuestrimet ndaj kompanisë piramidale “Kurum” e cila shpalli falimentin në 6 shkurt 2016, duke e thelluar absurditetin e saj, pasi ka vijuar të marrë kredi në bankat tona edhe në muajt e fundit të aktivitetit. Burime zyrtare, deklaruan se “Kurum” ka firmosur një kontratë kredimarrje me NBG-Bank e cila është lidhur në tetor të vitit 2015 edhe pse kjo kompani e import-shkrirjes së skrapit, prodhimit të hekur-çelikut, gëlqeres dhe energjisë elektrike kishte shpallur falimentin për gjoja “efekt të ristrukturimit”. Por më në fund, kanë nisur dhe kërkesat për sekuestrim nga kreditorët, ku e para është NBG-Bank. Prej dy ditësh është shoqëria përmbaruese “TDR-Group” e cila ka depozituar në QKR kërkesën për vendosjen e “masës së sekuestros conservative mbi të gjitha aksionet e zotëruara nga kompania “Kurum-International” për llogari të NBG-Bank”. Fjala është për një kontratë kredie bankare të datës 8.10.2015, e firmosur në NBG-Bank. Shoqëria përmbaruese “TDR-Group”, tha se “ndaj debitorit KURUM dhe dorëzanësve Hasmet Debii Kurum dhe Kurum Holding-SA, duhen kryer në mënyrë të menjëhershme, të gjitha veprimet proceduriale të cilat bëjnë të mundur ekzekutimin e detyrimit, ne kemi urdhëruar vendosjen e sekuestros konservative për KURUM-International, Hasmet Debii Kurum dhe shoqërisë “mëmë” në Turqi “Kurum Holding SA”. Kurum, kompania e pestë më e madhe në vend, sipas xhiros dhe eksportuesi i dytë më i madh, në mënyrë të papritur ka shpallur falimentin në gjykatë për efekt ristrukturimi në 6 shkurt 2016. Në bilancin e vitit 2014, “Kurum” ka raportuar se “kreditë afatgjata janë rreth 15.3 miliardë lekë, apo rreth 111 milionë euro, por nuk specifikohet se ndaj kujt është ky detyrim financiar”. Por pjesa më e madhe e kësaj huaje i përket institucioneve ndërkombëtar, pasi edhe banka më e madhe në Shqipëri nuk mund të japë më shumë se 30 milionë euro për një klient të vetëm, sipas rregullores së bankës. Pra një bankë nuk mund të japë më shumë se 20 per qind të kapitalit për një klient. Kompania “Kurum”, ka raportuar edhe për një hua afatshkurtër prej 3.2 miliardë lekësh apo rreth 23 milionë euro, që sipas shpjegimeve në bilanc janë “Overdraft” në banka të ndryshme, duke e çuar në total, në rreth 134 milionë euro totalin e huave afatshkurta dhe afatgjata. Kompania KURUM ka dhe llogari të pagueshme ndaj të tretëve në shumën e rreth 17.3 miliardë lekëve ose 125 milionë euro. Deri në fund të vitit 2014, KURUM renditej në operatorin e pestë më të madh sipas xhiros në vend, me një qarkullim vjetor 28 miliardë lekë, me rritje me bazë vjetore 16 per qind, si rrjedhojë e përfshirjes në aktivitetin e energjisë perms blerjes së katër hidrocentraleve në fund të 2013-s, Bistrica 1,2, Ulëz dhe Shkopet me fuqi totale të instaluar 76.7 MË. Kompania KURUM ishte gjithashtu eksportuesi i dytë më i madh në vend në 2014, me me shitje jashtë vendit prej 13.5 miliardë lekësh, me një rënie prej 16 per qind. Gjithashtu KURUM , rradhitej në 100 kompanitë më të mëdha sipas fitimit, ku ishte e 55-a, pas një rënie të ndjeshme të këtij treguesi në 309 milionë lekë nga 2.8 miliardë lekë vitin e mëparshëm. “Dyllosja” për borxhe, i është bërë edhe në dy uzinat e përpunimit të çelikut në ish-Kombinatin Metalurgjik që janë pronë e “Kurum”, gjë e cila ka lënë pa punë mbi 220 punëtorë prej afro 1 muaji. Veprimet zyrtare proceduriale ndaj “Kurum” do të vazhdojnë me ritme të shpejta dhe pa asnjë ditë ndërprerje, ndërkohë nuk dihet fati i uzinave dhe punonjësve të flakur në rrugë. Ndërsa shteti, si gjithmonë hesht edhe në rastin e “Kurum”!
—————————————
“Kurum”, i kapur me kontrabandë hekuri turk në Kosovë, etiketuar me stampë “Hekur Elbasan”, shteti i mbylli dosjen
Është një skandal-krim ekonomik-financiar i organizuar nga kompania “Kurum”, zbuluar prej një kontrolli rutinë në kufirin e territorit të shtetit të Kosovës, por që është mbajtur i fshehtë e madje është zhdukur nga dosjet hetimore të shtetit e të drejtësisë shqiptare. Sipas dokumentit zyrtar shkresor të Doganës së Republikës së Kosovës, që tashmë e disponon gazeta “Telegraf”, rezulton se në datën 8 tetor 2012, në kufirin Kosovar, në pikën Doganore Vermikë është bllokuar sasi prej 320 tonë hekur prodhim turk, por që futej nga kufiri shqiptar për në Kosovë, si hekur i prodhuar në Shqipëri dhe i shitur prej kompanisë “Kurum-Elbasan”. Sipas procesverbalit të Akt-Kontrollit të doganës kosovare Vermikë, rezulton se sasia e hekurit ka kaluar pa asnjë pengesë kufirin dhe doganat shqiptare, gjoja “me letra të rregullta”, me stampën mbi hekur “Kurum-Elbasan” dhe me letra shitje me logon, firmën e vulën “Kurum”, me blerës e transportues firmën “Euro-Abi SHPK-VITI”, me Nr. Biznesi 70038769. Sipas Akt-kontrollit e vendimit të Doganës së Kosovës me Kod 05.2.1/730AI.H. dhe me Nr. 04.2.3.1/624, datë 08. 10. 2012, firma blerëse ka temtuar të çoj në territorin kosovar hekur, me letra false, pa treguar origjinën reale të mallit. Përballë doganës së Kosovës e për me tepër në ankimin për heqjen e gjobës dhe zhbllokimin e mallit, firma blerëse e transportuese e hekurit kontrabandë “Euro-Abi SHPK-VITI”, ka deklaruar se “hekurin e ka blerë pranë firmës “Kurum-Elbasan” në Shqipëri”. Edhe në letrat që shoqëronin hekurin prodhim turk, shkruhej sikur hekuri ishte prodhim “Kurum-Elbasan”, madje edhe faturat e shit-blerjes shoqëruese të hekurit kishin logon, vulën dhe firmën e kompanisë “Kurum-Elbasan”. Kjo lloj tregtie, sipas ligjit Kosovar e atij shqiptar të import-eksportit të produkteve, është bërë me qëllim që të mos paguhet detyrimi i taksës doganore kosovare prej 10% e vlerës së mallit dhe “Kurum”, nëpërmjet faturave false të shitjes false të një malli, që nuk e ka prodhuar vetë të përfitoj rimbursime fiskale fiktive.
—————————————————
Ja padia gjyqësore e KESH ndaj “Kurum” për borxhin 751 milionë lekë energji elektrike 
Kompania turke e çelikut KURUM, e cila vepron në zonën e Metalurgjikut të Elbasanit ka një borxh të madh ndaj KESH, për sa i takon faturave të pa paguara prej saj të energjisë elektrike. Mësohet se ky detyrim është në vlerën 751 milionë lekë.
Për këtë arsye KESH e ka paditur kompaninë turke, që vepron prej shumë vitesh në vendin tonë dhe ka kërkuar sekuestron e saj.
Ja të dhënat e Akt-Padisë
Nr. i Çështjes: 3851
Data e regjistrimit: 22.05.2015
Paditësi: Korporata Elektro-Energjitike Shqiptare, KESH
I paditur: (Kurum International Sh.a)
Lloji i Çështjes: Urdhër Ekzekutimi
Baza Ligjore: Neni 510-526
Objekti padisë: Lëshimin e urdhrit të Ekzekutimit për titujt ekzekutivë: Fatura të enërgjisë elektrike, me këtë numër serie: E1451584/Shkurt 2005, në ngarkim të subjektit “KURUM”, borxh detyrim blerje produkti (energji elektrike) me vlerë 75 milonë, 122 mijë e 510 lekë.
Statusi i dosjes: Në gjykim
Gjyqtari: Manjola Bejleri
—————————————————–
Shteti shqiptar ka zhdukur vendimin e bllokimit të aktivitetit dhe gjobën mjedisore 10 milionë lekë ndaj “Kurum”
“Kurum”, në datën 23 prill 2015, i ka kërkuar Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit, që afati për plotësimin e 3 detyrimeve mjedisore të veprimtarisë së saj në shkrirjen e skrapit dhe prodhimin e hekurit, gëlqeres dhe përpunimit të produkteve të naftës në Cërrik, të mos jetë data 20 maj 2015, por data 25 qershor 2015, duke paraqitur një plan-menaxhimi të mbetjeve, sipas të cilit ato do të depozitohen nga “Kurum”, në zonën e Spitallës, konkretisht në Porto Romano, sipas të cilës “Kurum” ka mashtruar se do të ndërtojë një impiant të mbledhjes dhe pastrimit të mbetjeve, madje për të “hedhur lumin”, edhe pa ndërtuar impiantin, ka paraqitur në Ministrinë e Mjedisit edhe një kontratë, me një kompani të tretë e cila do të bëjë transferimin e mbetjeve nga “Kurum”, në Porto-Romano. Siç duket me urdhër nga bosët e shtetit që “ngrohen” në furrat e Kurum, Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit ia ka pranuar kërkesën e firmës “Kurum”, duke i lënë si kusht, se nëse detyrimet nuk plotësoheshin deri në 25 qershor 2015, kompanisë “Kurum” do t’i hiqej licenca. Prej afatit 25 qershor 2015, të kërkuar nga “Kurum” dhe të miratuar nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, kanë kaluar 8 ditë. Sipas investigimit të bërë prej gazetës “Telegraf”, rezulton se kompania “Kurum” nuk ka plotësuar asnjë detyrë të lënë. Përkundrazi, ajo ka shqyer “drynin” e vendosur nga Inspektorati i Mjedisit, ka përdhosur ligjet e shtetit, ka hedhur në kosh vendimin për heqjen e licencës dhe po vazhdon e punon me këtë marifet: Ditën furnizohet me skrap nën hundën e shtetit e të Policisë së Shfrytëzimit të Mjeteve të Transportit që ka urdhrin për bllokimin e aktivitetit të firmës “Kurum”. Ndërsa natën, përpunon skrap dhe ndez furrat, duke prodhuar hekur e duke helmuar banorët! As licenca nuk i është hequr sipas vendimit zyrtar të datës 25 qershor 2015, as puna nuk i është bllokuar, as gjoba 10 milionë lekë nuk është paguar, as drejtësia nuk vepron, as shteti nuk i thotë gjysmë fjale!!! As Inspektorati i Mjedisit, pas 25 qershorit 2015, nuk ka guxuar të nis procedurat e të kërkoj heqjen e licencës sipas ligjit dhe detyrimit! Kush e mbron “oxhakun” helmues e kancerogjen dhe “përbindëshin” e korrupsionit dhe shkeljes së ligjeve shqiptare, me emrin “Kurum”?!
———————————————-
Shteti t’i kthej ekonomisë kombëtare 4 HEC-et e blerë me pazare e mashtrime prej “Kurum”
Privatizimi nga “Kurum” i 4 hidrocentraleve Ulёz, Shkopet, Bistrica 1 dhe Bistrica 2, duhet anuluar e ndëshkuar urgjentisht. Asnjёherё nuk ёshtё vonё, pёr tё ndëshkuar një krim me pasoja kombëtare. Privatizimi i kёtyre hidrocentraleve nuk ёshtё njё operacion politiko-financiar i dobishёm pёr buxhetin e shtetit, pёr ekonominё e vendit dhe pёr tё gjithё shqiptarёt. Pa kёto hidrocentrale prodhimi publik i energjisё elektrike nё vend është zvogёluar me 500 milionё këh nё vit. KESH sha, çdo vit importon ose blen nga prodhuesit privatё (tё energjisё elektrike) njё sasi energjie elektrike 1.5 deri nё 2.5 miliardё këh nё vit. Me shitjen/privatizimin e kёtyre hidrocentraleve kjo sasi do tё rritet edhe rreth me 0.5 miliardё këh nё vit ose 1.2 deri nё 1.33 herё mё shumё ndaj sasisё tё energjisё elektrike qё blihet/importohet pa kryer kёtё privatizim. Nё kushtet kur prej vitesh Sistemi Elektrik Shqiptar ёshtё mbёrthyer nga njё krizё financiare (e cila do tё vazhdojё gjatё!), burimet financiare pёr tё pёrballuar kёtё blerje/import tё energjisё elektrike janё pёrballuar nga Buxheti i Shtetit, siç ka ndodhur edhe nё vitin 2012. Pёr tё blerё kёtё energji elektrike shtesё, buxheti i shtetit do tё paguaj mё shumё 30 milionë euro çdo vit, duke filluar që nga viti 2013 dhe do tё ndodh kёshtu, pёr shumё vite tё tjerё. Qeveria arkёtoi 110 milionё euro nga privatizimi i kёtyre hidrocentraleve dhe nё rastin mё tё mirё pёr 44 muaj do ta nxjerr/paguaj kёtё shumё eurosh prej Buxhetit tё Shtetit. Buxheti i shtetit dhe shqiptarёt, po paguajnё njё humbje prej 30 milionё euro vit pёr vit, vetёm e vetёm, sepse firmës mafioze “Kurum”, iu shitën (iu falën) kёta katёr hidrocentrale. 
————————————————–
Raporti i KLSH/ 21 muaj pas privatizimit, KESH ka financuar “Kurum” me 853 milionë lekë investime për HEC-et Ulzë-Shkopet 
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të Programit të Auditimit Nr. 106/1 prot., datë 13.02.2015, për projektin “Fuqizimi i programit të sigurisë së digave”, ka konstatuar një sërë problematikash dhe shkeljesh të kryera nga ana e Njësisë së Zbatimit të Projektit në KESH sha, si më poshtë: Nga ana e Njësisë së Zbatimit të Projektit (NJZP), deri më datë 31.12. 2014, ishin kryer një sërë pagesash për blerje pajisjesh dhe instalime në favor të HEC-it të Ulzë-së dhe Shkopet-it, të cilat në vlerë totale shkonin në 85,396,083 lekë. Më konkretisht, për HEC-in e Ulzës ishin paguar gjithësej 67,990,573 lekë (31,996,511 lekë për blerjen e pajisjeve dhe 35,994,062 lekë për instalime), ndërsa për HEC-in e Shkopet ishin paguar gjithësej 17,405,510 lekë (8,609,873 lekë për blerjen e pajisjeve dhe 8,795,637 lekë për instalime).
Në kushtet kur HEC-et e Ulzë dhe Shkopet u privatizuan dhe shteti Shqiptar nuk zotëronte më aksione në lidhje me to, NJZP nuk duhet të kryente asnjë pagesë për blerje pajisjesh apo instalime, për të cilat tashmë përfitues nuk ishte më Qeveria Shqiptare, por subjekti privat i cili kishte privatizuar këto HEC-e. Kryerja e këtyre pagesave për dy HEC-et, të cilët nuk ishin më në pronësi të Shtetit Shqiptar është kryer në kundërshtim të plotë dhe flagrant me përcaktimet e bëra në Marrëveshjen e Financimit (të miratuar me Ligjin nr. 9801, datë 13.09.2007), me PAD-in dhe Ligjin nr. 8379, datë 29.07.1998, “Për buxhetin e shtetit”, duke shkaktuar një dëm ekonomik në shumën 85,396,083 lekë. Procesi i rivlerësimit të aseteve për projektin, ishte kryer pa bërë më parë transferimin e vlerave të inventarit në shumën 1,862,870 lekë (nga inventari i projektit në inventar të aparatit të KESH sha) mungonin urdhrat e titullarit për ngritjen e komisioneve për asgjësimin e pajisjeve të dala jashtë përdorimit; si dhe mungonin procesverbalet për asgjësimin e pajisjeve të nxjerra jashtë përdorimit me komision, një pjesë e të cilave gjendeshin ende në ambientet e Njësisë së Zbatimit të Projektit (NJZP). Nuk ishin kryer pagesat për detyrimet për shumat e kredisë së pa disbursuara (për periudhën Qershor 2013 – 6 mujori i dytë 2014), për normën e interesit dhe tarifës së angazhimit, në shumën prej 170,629 euro, të cilat japin efekte negative financiare duke rënduar koston e projektit etj…
————————————
Sigal