Nis pas 60 vitesh rikonstruksioni i plotë i rrugës prej 4 km që lidh autostradën me Krrabën

490
Sigal

Veliaj: “Premtim i mbajtur, përfitojnë 3200 banorë; investime njësoj si në
qendër edhe periferi”

 

Banorët e Krrabës duhet të prisnin 60 vjet për të pasur një rrugë të re. Tashmë,
rruga që lidh autostradën me Krrabën, me gjatësi 4 kilometra, ka nisur të
rikonstruksohet plotësisht nga Bashkia e Tiranës, e cila po mban një tjetër
premtim të bërë në fushatë. Rikonstruksioni i segmentit që njihet me emrin
Mushqeta-Krrabë i shërben mbi 3 mijë banorëve. Punimet që kanë nisur prej gati një
muaji u inspektuan sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili
theksoi se kjo është një tjetër provë që tregon se për Bashkinë e Tiranës nuk
ka dallim mes qendrës dhe periferisë, sa i përket investimeve publike.

 

“Më vjen mirë që në fillimin e vitit tonë të dytë, po mbajmë një premtim që
dhamë një vit e pak më parë, për rrugën e Krrabës. Më vjen mirë për 3200
banorët që janë rezidentë në Krrabë dhe që çdo ditë duhet të komunikojnë me
Tiranën, disa herë pë të shkuar në spital, për të shkuar në shkollë, treg apo
disa herë për të shkuar në punë, të cilët do të kenë një lidhje dinjitoze me
kryeqytetin dhe besoj se në kohë rekord siç po punohet, do ta përfundojmë rrugën
përpara afatit 6 mujor”, tha Veliaj. Gjithashtu, kryebashkiaku theksoi se
investimet në infrastrukturë synojnë që të krijojnë mundësi të barabarta jetese
për të gjithë banorët e Tiranës, pavarësisht nëse jetojnë në qendër apo në
periferi. 

 

“Nëse rritet cilësia e jetës këtu, edhe Tirana sot është shumë herë më afër
se sa ç’ishte me një rrugë të shkatërruar, tregu është shumë herë më afër,
shkolla, spitali janë shumë herë më afër; atëherë nuk lind nevoja që dikush të
lërë të gjithë pasurinë e jetën e vet në Krrabë për të ardhur në Tiranë. Rritja
e infrastrukturës bën të mundur që më shumë njerëz të rrinë aty ku janë, të
shfrytëzojnë tokën, asetet, pasurinë e familjes, djersën
e ballit të tyre dhe gjithçka kanë investuar në jetë, pa u detyruar që për
shkak të një rruge të amortizuar të lënë gjithçka pas, të lënë gjithë mundin e
tyre për t’ia nisur sërish nga zero” theksoi Veliaj. Por, ai theksoi se krahas
punimeve për ndërtimin e kësaj rruge, bashkia do të vijojë që të nxisë
zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë në këtë zonë, ashtu edhe promovimin e
aseteve turistike.

 

“Duam të rigjallërojmë disa nga pikat turistike të zonës si Shpella e
Pëllumbasit, një “pajë” fantastike e natyrës, të cilën Zoti na e ka dhënë për ta
reklamuar e tërhequr turistë. Po ashtu, më vjen mirë që në disa prej zonave
bujqësore, kemi pasur kontaktet e para me fermerët se si mund të aksesojmë më
shpejt tregun në Tiranë. Pas dimrit duam të fokusohemi më shumë në promovimin
e  produkteve lokale dhe besoj se do ia
arrijmë në kohë rekord kësaj pune dhe t’i japim secilit mundësinë të jetojë me
dinjitet në shtëpinë e vet”, u shpreh Veliaj. Ai konfirmoi se ky vit i dytë i
mandatit të tij si kryetar bashkie do të fokusohet kryesisht në investimet në
zonat rurale, në mënyrë çdo qytetari të Tiranës t’i krijohet mundësia për një
jetë normale aty ku edhe ka vendbanimin.

 

“Viti ynë i dytë, siç ka nisur me ndërtimin e rrugës në Zall Herr apo këtu
në Krrabë, do të ketë fokusin më të madh në zonat rurale. Nuk mund të kemi një
Tiranë që ecën me dy shpejtësi; pra, me marshin e pestë në qendër, dhe me
marshin e parë në periferi. E vetmja mënyrë se si mund të arrijmë një Tiranë të
balancuar është fillimisht duke balancuar buxhetin, e dyta duke balancuar
investimet. Pra, të sigurohemi që sipas proporcionit të banorëve, të kemi edhe
proporcionin e investimeve”, shtoi Veliaj.

 

Një premtim të mbajtur e konsideroi edhe deputeti i PS, Xhemal Qefalia, i
cili falenderoi Bashkinë e Tiranës për këtë investim. “Do të doja që në emër të
banorëve të Krrabës t’ju falenderoja juve personalisht, që po i bëni realitet, pasi
kjo zonë ishte një zonë e lënë krejtësisht në harresë, si një ishull i veçuar,
ku fëmijët e kishin shumë të vështirë të kapnin orarin në shkollat në qytet,
kurse banorët e kishin shumë të vështirë të shkonin në Tiranë për të zhvilluar
pse jo, edhe ndonjë tregti të vogël”, tha Qefalia.

 

Me investimin e Bashkisë së Tiranës do të realizohet rikonstruksioni i
rrugës “Mushqeta-Krrabë” me gjatësi 4 kilometra, ku përfshihen edhe ndërtimi i
disa objekteve dhe veprave të veçanta, si dhe një urë me lartësi 10 metra. Përveç
punimeve në rrugë janë parashikuar të kryhen punime për kanalizimin e ujërave
të shiut, mure mbajtëse anësore dhe sinjalistikë. Rruga do t’i shërbejë pjesës
më të madhe të banorëve të Njësisë Administrative Krrabë, qoftë në lëvizjen më
të mirë dhe të shpejtë të njerëzve, por edhe të produkteve bujqësore dhe
blegtorale drejt Tiranës.