Nis parkimi me pagesë në disa rrugë të Tiranës, ja zonat e prekura

569
Sigal

Nis parkimi me pagesë në disa rrugë të Tiranës. Bëhet fjalë për bllokun “Shushica”, në rrugët “Sulejman Delvina”, “Gjik Kuqali”, “Grigor Heba” e “Medar Shtylla”, si dhe “Komuna e Parisit”, “Gjin Bue Shpata” dhe “Emin Duraku”.

Në këto rrugë, nëse nuk je i pajisur me kartë rezidenti, atëherë duhet të paguash tarifën 100 lekë për një orë, në rrugët e vijëzuara me ngjyrë blu, ndërsa për ato të vijëzuara me ngjyrë të bardhë janë zonat e lira ku mund të parkohet pa pagesë. Këshilli Bashkiak e ka marrë këtë vendim rreth një vit më parë, ndërsa pritet që parkimet me pagesë të shtrihen në të gjithë qytetin. Për të siguruar kartën e rezidentit, çdo qytetar që është banor i një zone administrative duhet të dorëzojnë sa më parë pranë zyrave të drejtorisë së përgjithshme të “Tirana Parking” një listë dokumentesh që vërtetojnë se banon në një zonë të caktuar.

E konkretisht, certifikatë familjare, vërtetim banimi, kopje të certifikatës së pronësisë, të kontratës së qirasë ose të huapërdorjes, certifikatë për vërtetim pronësie të makinës, ose autorizim për përdorim automjeti, leje qarkullimi të automjetit që do të pajiset me kartë rezidenti, fotokopje e taksave vjetore të makinës, si dhe fotokopje të faturës së UKT-së ose të OSHEE-së. Karta e rezidentit duhet të vendoset në xhamin e parë të makinës, në të cilat do të shënohen targa, afati i vlefshmërisë, numri serial dhe ai i zonës ku banon.