Nis hetimi për koncesionet e 133 HEC-ve mbi lumenj, objekt është marrja dhe shitja i licencave

568
Beteja politike me akuza dhe kundër-akuza mes palëve, po shoqërohet këto ditë edhe me hapjen e një dosjeje tjetër të para vitit 2013, për koncesionet e dhëna për ndërtim HEC-esh mbi lumenj. Ky sinjal presioni i mazhorancës ndaj opozitës, ish-qeverisje e para vitit 2013, u hodh disa ditë më parë, me publikimin e numrit dhe listës së koncesioneve, që janë dhënë nga të dy qeverisjet. Fillimisht, u konsiderua si mjet presioni mes palësh, por tashmë duket, se hapja e dosjes së koncesioneve të dhëna deri në muajin gusht 2013, thuhet se është futur në rrugë të hetimit ligjor. Sipas burimeve, një ekip i shërbimit të krimit ekonomik, ka sekuestruar dosjet e koncesioneve të HEC-ve që janë dhënë për t’u ndërtuar mbi lumenj, për të zbuluar se cilët janë personat, subjektet apo kompanitë, që i kanë përfituar këto licenca, qofshin vendës apo të huaj. Në “filtër”, do të kalojnë dosjet e 133 koncesioneve të HEC-ve, dhënë për t’u ndërtuar mbi rrjedha lumenjsh, kryesisht në zonat skajore të vendit, të cilët kanë qenë më të preferuara për investim, për vet strukturën fizike-gjeografike të shaptoreve të maleve dhe luginave të lumenjve. Këto dosje HEC-esh, kanë nisur të hapen dhe brenda tyre, konstatohet se licencat u janë dhënë firmave klienteliste të pushtetit, deputetëve, ministrave, drejtorëve qendror, të cilët kanë pasur fuqi në Komisionet e Vlerësimit të Ofertave, madje edhe disa politikanëve të huaj, që kanë monitoruar zhvillimet shqiptare e deri selive fetare në Shqipëri! Pas evidentimit të përfituesve të parë të këtyre koncesioneve, do të nisë faza e dytë e hetimit, që ka lidhje me shitjen dhe tjetërsimin e këtyre licencave, në individë dhe subjekte të tjerë. Këto tjetërsime, thuhet se janë bërë në 133 koncesionet që po hetohen. Sipas të dhëna të para nga grupi hetimit, rezulton se ish-shtetarë e politikanë, por edhe familjarë të tyre, që kanë mundur të marrin koncesione për HEC-e mbi lumenj, i kanë shitur ato 1-2 muaj pas lidhjes së kontratave koncesionare me shtetin, duke i përdorur këto “copëra letrash me vlerë” me fuqi ligjore, si biznes milionash, pa harxhuar asnjë copë tullë! Të dhënat konfirmojnë, se ka deputetë dhe ish-deputetë, ministra dhe ish-ministra, politikanë e familjarë të tyre, por edhe “miq” të huaj të shtetarëve shqiptarë, të cilët kanë marrë nga 2-3 e madje edhe nga 5 licenca koncesionesh për HEC-e. Pas marrjes së tyre, i kanë shitur tek individë e firma private ose vendase. Por ka edhe raste, kur kanë mbajtur edhe pjesë aksionesh në këto HEC-e, si burim të ardhurash, nga prodhimi dhe shitja e energjisë elektrike!
Sigal