Nis gardhëzimi dhe betonizimi i vijës bregdetare për sezonin e ri veror

657
Sigal

Shoqata e Hotelierëve të Durrësit letër Dakos dhe Gjermenit: Po dëmtohet biznesi i ligjshëm!

Shoqata e Hotelierëve të Durrësit i ka nisur një letër proteste kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako dhe ministres së Turizmit, Eglantina Gjermeni, ku kërkojnë marrjen e masave urgjente për të ndalur atë që ata e quajnë “bizneset pirate të bregdetit”. Pronarët e hoteleve përgjatë vijës bregdetare në Durrës, shprehen  të indinjuar për lajmin e keq të miratimit të dhjetëra e dhjetëra lejeve provizore për plazhet private. Plazhi publik në Durrës, pothuajse nuk ka vend për qytetarët  që nuk kanë financa për të paguar 3 deri 5 mijë lekë shezlogun në ditë, pasi Këshilli Bashkiak dhe  drejtuesit e Bashkisë, u kanë premtuar leje 3 mujore dhjetëra militantëve dhe komisionerëve  socialistë për sezonin e ri veror 2014. Shoqata e Hotelierëve në Durrës, përmes  një letre dërguar kryetarit të bashkisë, Vangjush Dako dhe ministres Turizmit, Gjermeni, kërkojnë marrjen e masave për një sezon sa më higjenik, me kushte normale për pushuesit vendas dhe të huaj, dhe jo mbushjen e plazhit me gardhe dhe rrugica nga persona që pretendojnë qysh tani se, “kanë leje nga Bashkia për gjithë sezonin”. Ata qysh tani kanë nisur vendosjen e gardheve, shkopinjve dhe mjeteve të tjera, duke synuar edhe bordura betoni, për të parcelizuar krejt vijën bregdetare nga dita e nisjes zyrtare të sezonit veror, deri në 31 gusht 2014. Pëllumb Idrizllari, anëtar i Shoqatës së Hotelierëve në Durrës u shpreh për “Telegraf” se: “Bashkia mbetet fajtore për  situatën e krijuar jo vetëm sivjet, por çdo vit, qeveria gjithashtu. Ne kemi mbi 10 vjet që debatojmë me institucionet e shtetit, ministritë, bashkitë e komunat bregdetare të qarkut dhe nuk po gjejmë zgjidhje. Aktualisht, nga zoti Dako kërkojmë që të ndalë dhënien e leje për militantët e “Rilindjes”, të cilët ashtu si edhe ata të para 23 Qershorit, i janë sulur bregdetit dhe po falimentojnë bizneset e ligjshme që paguajnë taksat dhe të gjitha detyrimet ndaj shtetit”. Zoti Idrizllari tha se: “Edhe nga zonja Gjermeni, si ministre e Turizmit, kërkojmë angazhimin maksimal për sezonin veror 2014 në Durrës, të kthejë sytë edhe nga ne, pasi plazhi dhe krejt vija bregdetare shpesh pastrohet nga mjetet  tona, sepse bashkitë e komunat janë mbuluar nga  korrupsioni. Sezoni po afron të çelet zyrtarisht dhe këto institucione që e kanë për detyrim ligjor të marrin masa radikale për mbarëvajtjen e tij, nuk kanë nisur asgjë konkrete, duke u ndalur spontanisht tek largimi i leshterikëve”. Vija bregdetare e qarkut të Durrësit llogaritet në afro 67 km, dhe mbetet një zonë e lakmuar deri diku për pushuesit  vendas dhe turistët e huaj. Por ajo kërkon investime dhe parametra europianë, duke nisur nga rrugët, kanalizimet, pastërtia e rërës, e ujit të detit, higjiena në pallate e vila pushimi, si dhe largimin përgjithmonë të gardhiqeve, si simbol i mungesës së qytetarisë dhe vizionit  bashkëkohor për sezonin turistik. Shoqata e Hotelierëve në Durrës, i bën apel pranë bashkisë, kryetarit të saj z. Dako dhe ministres së Turizmit, Gjermeni, për një vëmendje maksimale ndaj zonave bregdetare të këtij qarku. Bregdeti në Durrës, prej 24 vitesh, vazhdon të marrë goditje të fuqishme shkatërruese, duke nisur nga bllokimi hapësirave, betonizimi tyre, prishja e brezit të rërës, ndotja e detit, mungesa e higjienës, duke krijuar imazhin e keq për pushuesit vendas dhe turistët e huaj. Janë mbi 964 hotele,  motele dhe objekte të tjera që paguajnë rregullisht detyrimet fiskale ndaj shtetit, por që padrejtësisht  konkurrohen nga bizneset e paligjshme, të cilat përfaqësohen me gardhiqet e tyre, duke të kujtuar plazhet e mesjetës së dikurshme.