Nis betonizimi i bregdetit shqiptar

572
Sigal

Ish-pushtetarë dhe ish-deputetë privatizojnë plazhin. Bashkia: Nuk jemi pyetur fare, fajtore KKKP dhe ish-KRRTRSH

Pushtetarë dhe deputetë kanë mundur të gllabërojnë troje dhe pjesë të plazhit të virgjër të Currilave, duke nisur prej disa muajsh hedhjen e plinteve në rërë, duke synuar të hapin bizneset e tyre për sezonin turistik 2014. Veç ndonjë ish-deputeti, aktualisht gara ka nisur me pushtetarët e sotëm, miq dhe farefis të tyre, të cilët i janë sulur trojeve në bregdet dhe nuk po reshtin së pushuesi edhe në ditët me shi, duke futur betonierët cep më cep. Por, duket se i menjëhershëm ka qenë reagimi i bashkisë. Burimet nga ky institucion deklaruan për “Telegraf” se: “do të ketë nisma për pastrimin e bregdetit të Currilave dhe nuk do të jepet asnjë leje qoftë edhe provizore”. Por faktet vijnë nga burime tepër të sigurta nga ZRPP dhe Kadastra, duke u mbështetur mbi regjistrimin e atyre trojeve të grabitura me vendime gjykatash dhe falsifikime tapish nga ish-deputetë, ish-ministra dhe zv/ministra, të cilët kanë planizuar të depozitojnë në KRRT-në e bashkisë dosjen e marrjes së lejeve të ndërtim pallati, hoteli dhe lokali tjetër shërbimi. Por, fillimisht ata kanë nisur punën me kioska dhe mbulimin e shesheve me masive fare pranë brezit ranor. Duke ecur përgjatë bregdetit  në zonën e Currilave do të konstatosh se, më shumë se 2.5 km plazh atje ka dalë jashtë përdorimit për shkak se është mbuluar nga blloqet, mbeturinat inerte, dhe së fundi edhe me kioska. Ndotja është mbi normat e lejuara. Bregdeti nga Currilat deri te blloku i lokaleve pranë Bërrylit është pushtuar nga inerte, të cilat presin shumë shpejt pas “OK” nga mbledhja e KRRT bashkisë, të kthehen në origjinën e dikurshme. Është një  proces dhe dhunim, i cili ka nisur vite më parë për të ardhur deri në ditët e sotme, duke i marrë bregut të detit një vijë të konsiderueshme plazhi. Askush nuk përpiqet ta sqarojë këtë që ka ndodhur në këtë plazh, i cili nga durrsakët e vjetër ka qenë më i preferuari.  Nga burime konfidenciale bëhet e ditur se: “grumbullimi i mbeturinave inerte në këtë pjesë të bregut të detit nuk ka qenë i rastësishëm dhe i detyruar nga nevoja që ndërtuesit kanë pasur të depozituar mbeturinat pas hapjes së themeleve të pallateve, por ky depozitim ka pasur si qëllim krijimin e territoreve mbi rërën e plazhit, e cila më pas ju është dhënë personave të caktuar në formë kompensimi, për pronat që ata kanë pretenduar se kanë pasur brenda territorit të qytetit të Durrësit”. Po sipas këtij burimi, këta pronarë të rinj, të cilët kanë pushtuar territore në këtë pjesë të bregdetit të Durrësit kanë mundur që të komprometojnë ish-Komisionin e Kthimit të Pronave, duke gllabëruar territore të tëra në bregdet, e madje kanë mundur që të shiten në dorë edhe certifikatat e pronësisë nga zyra e hipotekës. Këta pronarë të rinj janë ish-pushtetarë të disa viteve më parë, ish-deputetë e persona të tjerë pranë tyre. Kjo grabitje e tillë, duke përdorur pushtetin dhe mandatet, ka shkaktuar jo pak indinjatë te banorët e qytetit të Durrësit, të cilët prej vitesh i kanë kaluar ditët e nxehta pikërisht në këtë plazh, i cili ka qenë pronë publike. Por procesi vazhdon edhe gjatë këtyre ditëve, kur në orët e natës makina me mbeturina inerte vazhdojnë të shkarkohen në breg të detit. Ndërkohë, qeveria i ka të gjitha instrumentet ligjorë që t’i shpronësojë pronarët e rinj nga trojet e pushtuara në mënyrën më të padrejtë të mundshme. Qytetarët e Durrësit i kanë bërë thirrje Bashkisë së Durrësit, që të nisë aksionin në bashkëpunim me firmat e ndërtimit që ta çlirojnë plazhin, dhe të denoncojnë me kurajo qytetare ish-pushtetarët dhe ish-deputetët që kanë privatizuar me forma antiligjore troje në bregdetin e Currilave dhe më gjerë. Skandalin pritet ta bëjë publike edhe Prokuroria e Durrësit, e cila duhet të deklarojë publikisht emrat e atyre që janë përzierë në skandalin më të ri të trojeve në bregdet.