Nis aplikimi për Lotarinë Amerikane

690
Lotaria Amerikane, shpallen datat e reja dhe mënyra e aplikimit
Departamenti i Shtetit njofton se prej 3 tetorit, shqiptarët mund të plotësojnë formularët online. Këshillat dhe elementët që duhen pasur kujdes
Prej datës 3 tetor 2017, shqiptarët do të kenë mundësi të provojnë sërish fatin, duke aplikuar për Lotarinë amerikane të Vizave. Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se të martën e tetorit, në orën 18:00 (sipas orës së Tiranës) do të hapet portali i aplikimit për Programin e Vizave të Diversitetit, pavarësisht një angazhimi publik të presidentit Donald Trump për të ndryshuar kushtet e tij. Edhe këtë vit, asgjë nuk do të ndryshojë dhe deri të martën, më 7 nëntor 2017, në orën 18:00 (sipas orës së Tiranës), të gjithë do të kenë mundësinë të aplikojnë për të emigruar në “tokën e premtuar”. DV-2019 do të ketë në dispozicion 50 mijë viza emigrimi për fituesit e lotarisë amerikane në mbarë botën. Përzgjedhja, si përherë është rastësore, përmes një shorti kompjuterik.
Numri i vizave shpërndahet mes 6 rajoneve gjeografike dhe asnjë vend nuk mund të marrë më shumë se 7% të totalit të vizave të shumëllojshmërisë, të dhëna në një vit për këtë qëllim. Shqipëria hyn në mesin e shteteve që kualifikohen si përfituese të lotarisë dhe çdo nga vendi ynë shpallen rreth 3 mijë fitues. Këshilla, megjithatë, është të mos pritet deri në ditët e fundit për të aplikuar, sepse kërkesat e shumta e rëndojnë faqen përkatëse të internetit. Për t’u regjistruar për lotarinë nuk ka asnjë tarifë. Tarifa e vizës paguhet ditën e intervistës në konsullatë, vetëm nga ata që do të rezultojnë të përzgjedhur. Para aplikimit për lotarinë duhet të kontrollohen kërkesat për kualifikim, si arsimi ose puna e specializuar. Kërkesa për arsim të mesëm të barabartë me arsimin e mesëm në Shtetet e Bashkuara është shumë e prerë dhe profesionet për të cilat përvoja e punës mund të përdoret për t’u kualifikuar janë të kufizuara. Këto kualifikime nuk shqyrtohen para datës së intervistës për vizë, kështu që përzgjedhja për lotarinë nuk do të thotë gjithmonë se aplikanti do të kualifikohet për vizë.
Pranueshmëria për të aplikuar:
Kërkesa nr. 1
Individët të lindur në një vend, vendasit e të cilit kualifikohen për të aplikuar për programin e lotarisë, mund të jenë të pranueshëm për të aplikuar. Nëse nuk keni lindur në një vend tё pranueshëm për të aplikuar për lotarinë, ka dy mënyra me anë të të cilave ju mund të kualifikoheni.
A ka lindur bashkëshorti/ja juaj ka në një vend tё pranueshëm për të aplikuar për lotarinë? Nëse po, ju mund të deklaroni vendin e lindjes së bashkëshortit/es nё regjistrimin për lotarinë— me kushtin që emri juaj dhe i bashkëshortit/es tё jetё i renditur në aplikimin e përzgjedhur, t’ju lëshohet viza, dhe të hyni në SHBA në të njëjtën kohë.
A keni lindur në një shtet, vendasit e tё cilit nuk janё tё pranueshёm pёr tё aplikuar pёr lotarinё, por asnjëri nga prindërit tuaj s’ka lindur, apo s’ka qenё rezident i ligjshёm atje në kohën kur ju keni lindur? Nëse po, ju mund të deklaroni si vendlindje një nga vendlindjet e prindërve tuaj, nëse ky vend është vend i kualifikueshëm për programin e DV-2019.
Kërkesa nr. 2 
Çdo aplikant duhet të plotësojë ose kërkesat e arsimit ose kërkesat e eksperiencës së punës të programit të lotarisë, si vijon:
OSE
– Një arsim të shkollës së mesme apo ekuivalentin e tij, përkufizuar si përfundim me sukses i 12 viteve edukim të plotë zyrtar 9-vjeçar dhe i mesëm;
OSE
– dy vjet përvojë pune brenda pesë viteve të kaluara në një punësim që kërkon të paktën 2 vjet trajnim ose eksperiencë për ta ushtruar. Për të përcaktuar nëse përvoja e punës kualifikohet për lotarinë, do të përdoret Baza e të Dhënave të Departamentit Amerikan të Punës O*Net OnLine.
Këshilla
Jeni tё inkurajuar të plotësoni vetë formularin e regjistrimit, pa ndihmën e një “këshilltari për viza”, “agjenti të vizave” ose personave të tjerë që ju ofrojnë ndihmë. Nëse është dikush tjetër që ju ndihmon, duhet të jeni të pranishëm në momentin e përgatitjes së regjistrimit, në mënyrë që t’u përgjigjeni të gjitha pyetjeve në mënyrë sa më të saktë, të merrni faqen e konfirmimit dhe numrin e konfirmimit. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të pajiseni me faqen e konfirmimit dhe numrin e konfirmimit. Pa këtë informacion, nuk do të jeni në gjendje të hyni në sistemin online, i cili do t’ju informojë mbi statusin e regjistrimit tuaj. Duhet të jeni të kujdesshëm në rastin kur dikush ofrohet të ruajë faqen tuaj të konfirmimit dhe numrin tuaj të konfirmimit. Ju gjithashtu duhet të keni akses tek posta elektronike që keni vendosur tek regjistrimi juaj në E-DV. Pasi të keni dorëzuar elektronikisht regjistrimin e plotë, do t’ju shfaqet një faqe konfirmimi, e cila përmban emrin tuaj dhe numrin unik të konfirmimit. Printojeni këtë faqe dhe ruajeni. Duke filluar nga maji 2018, ju do të mund të kontrolloni statusin e regjistrimit tuaj në faqen zyrtare www.dvlottery.state.gov, duke klikuar mbi Kontrollin e Statusit të tё Regjistruarit dhe duke futur numrin unik të konfirmimit dhe informacionin personal. Kontrolli i Statusit të tё Regjistruarit do të jetë e vetmja mënyrë informimi mbi përzgjedhjen tuaj për Lotarinë DV-2019, duke ju dhënë udhëzime se si të vazhdoni mё tej me aplikimin tuaj dhe duke ju njoftuar mbi takimin për vizë emigrimi. 
Ndryshimet që kërkon Trump
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka mbështetur një muaj më parë një masë legjislative që synon të ulë në mënyrë drastike numrin e imigrantëve të pakualifikuar që pranohen në Shtetet e Bashkuara. Projekt-ligji propozon një sistem me pikë, ku aplikantët të renditen në bazë të aftësive që zotërojnë. Presidenti Trump shprehu në fillim të gushtit mbështetjen për projekt-ligjin që synon të reduktojë 50% imigracionin e ligjshëm në Shtetet e Bashkuara. Presidenti Trump e cilësoi propozimin “reforma më e rëndësishme në gjysmë shekulli për sistemin tonë të imigracionit”. “Ky propozim dëshmon se ne e kuptojmë gjendjen e familjeve amerikane në vështirësi. Ata kanë nevojë për një sistem që vë në plan të parë interesat e tyre dhe të Amerikës,” tha presidenti.
Senatorët propozues Cotton dhe Perdue thanë se dyndja e imigrantëve pa kualifikim ka sjellë rënien e pagave për punëtorët amerikanë. “Të gjithë e pranojmë se synimi i sistemit tonë të imigracionit duhet të jetë të mbrojmë interesat e punëtorëve amerikanë, përfshirë të imigrantëve, të mirëpresim individë të talentuar që vijnë këtu në mënyrë të ligjshme për të punuar dhe për të ndërtuar një jetë më të mirë,” tha senatori David Perdeu. Këshilltari i presidentit, Stephen Miller, shpjegoi se një element i rëndësishëm i propozimit është se eliminon të ashtu-quajturin “imigracion zinxhir”. “Individët që fitojnë lejen e qëndrimit të përhershëm aktualisht mund të sjellin një të afërm të moshuar, i cili automatikisht fillon të përfitojë nga asistenca sociale nëse nuk është në gjendje të përballojë nevojat vetë. Ai person më pas mund të sjellë një të afërm tjetër, i cili sjell një të afërm tjetër… prandaj quhet imigracion zinxhir,” tha Miller. Sistemi i propozuar favorizon aplikantët që flasin anglisht, të cilët kanë kualifikim dhe fonde të mjaftueshme për të mbajtur veten. 
Ndryshimi mes programit amerikan e kanadez
Çdo vit dhjetëra mijëra shqiptarë aplikojnë për të përfituar nga Lotaria e Vizave të Emigrimit. Në rast të përzgjedhjes në Lotarinë e Vizave, aplikantët fitues pajisen me “Kartën e Gjelbërt” (Green Card), duke iu krijuar mundësinë e punësimit dhe qëndrimit në Shtetet e Bashkuara. Në këtë program përzgjedhja e fituesve është tërësisht rastësore, ndërsa paketa e re, në rast se do të miratohet, do të vendosë një selektim në bazë të aftësive. Një program i ngjashëm zbatohet nga Kanadaja për të marrë çdo vit mijëra emigrantë. Në këtë përzgjedhje, përparësi marrin profesione dhe mosha të caktuara. 
Sigal