Niko Peleshi: Ju rrëfej magjinë e Korçës, mitet dhe legjendat e saj

5572
“Korça është një qytet që të habit. Është i pastër, shumë i pastër, madje qyteti më i pastër që kam parë në Perandorinë Turke, me rrugë të drejta të shtruara mirë, pa qen dhe plehra nëpër këmbë… Korça është e qytetëruar”.
(Edit Durham)
Në bisedën paraprake që patëm me ju z. Niko Peleshi, si një nga personalitet më të spikatur të politikës në vend, dhe si ish-kryeministër, por mbi të gjitha si njeriu që i është përkushtuar Korçës për ta shndërruar atë në një rajon të suksesshëm, vutë në dukje se, deri më sot është shkruar kryesisht për Voskopojën, Dardhën, Prespën etj, por gjithnjë duhet bërë më shumë për prezantimin dhe riprezantimin e vlerave historike, kulturore dhe turistike të rajonit të Korçës, kudo që ndodhen ato: në Korçë, Devoll, Pogradec, Kolonjë, Leskovik, Gorë, Opar e deri në Skrapar, pa lënë mënjanë, mitet dhe legjendat, të cilat janë stoli që ia shtojnë shkëlqimin këtij rajoni.
I
– Atëherë po e nisim me pyetjen e parë: Nisur nga ato sa thatë më sipër, mos doni të 
thoni se për Voskopojën, Dardhën etj, është shkruar mjaft, ndërsa, vëmendja e gazetarëve tashmë duhet të përqendrohet më shumë në vlera të tjera, të cilat prej kohësh qëndrojnë nën pluhurin e harresës? 
Jo, nuk thashë këtë gjë. Për Voskopojën, Dardhën, Prespën etj, duhet shkruar gjithnjë. Voskopoja shkëlqen me historinë e saj. Goditjen e parë e mori në vitin 1769 në kohën e kryengritjes së Orlofit. Ata që panë çfarë ndodhi me të, lanë dhimbjen e tyre të shkruar mbi muret e manastirit të Shën Jovanit: “O Voskopojë! O Voskopojë ku është bukuria jote që kishe gjer më 1769”. Më pas, pësoi edhe dy djegie të tjera: njëra më 1773 dhe tjetra më 1789. Ishte qytet me akademi, (ndërtesë trikatëshe), me 40 dhoma e sallë studimi; pranë saj gjendej konvikti, jetimorja, spitali dhe biblioteka. Po kështu edhe Dardha është fshat i bukur, piktoresk, me klimë të freskët, çlodhës, me bibliotekë të krijuar nga shoqëria dardhare “Shpresa”, dhe emigrantët e Amerikës; kisha e Shën Gjergjit ruan një kodik të vjetër të vitit 1856, ndërsa ka edhe një muze që pasurohet gjithnjë. Megjithatë e vërteta është se ekzistojnë edhe shumë vlera të tjera që duhen promovuar. Korçës nuk i mungojnë pasuri të tilla, madje as gojëdhënat dhe legjendat.

– Kjo na jep të kuptojmë se ju jeni njohës i mirë i historikut të Korçës?
Besoj se po. 
– Atëherë, z. Peleshi, kemi rastin që ju vetë të na tregoni diçka më shumë për pellgun e 
Korçës.
Me kënaqësi. Korça trashëgon qytetërimin e shumë qyteteve të moçme, si Emboriumi 
(Mborja e sotme), Vandhi (Braçi i sotëm), Pelioni (Piluri i sotëm), Selasfori (Zvezda e sotme), e të shumë qyteteve të tjera, si Vithkuqi, Nikolica, Zahari, Arëza, Shipska, Zagradeci etj. Potgozhani ka qenë qendër episkopale e Mokrës, kurse Voskopi, sipas testamentit të Gjon Muzakës, njihej si vend (qytet i shenjtë), por i kthyer në rrënoja që para vitit 1510. Duket se njerëzit e asaj kohe kishin nderim të veçantë për këtë vend. Vende të tilla janë të kërkuara prej turistëve, pasi ndezin imagjinatën e tyre dhe të kujtdo tjetër. 
II
– Pak a shumë, këto ish-qytete që përmendët, – si emra, – janë të njohura nga njerëzit, ju ç’mund të na thoni ndonjë gjë më tepër, z. Peleshi, veçanërisht për ato vende që ndodhen pranë Korçës?
Atëherë, po ndalem shkurtimisht te disa prej tyre. (Gjithnjë flasim për çfarë është 
shkruar, thuhet dhe mendohet, që për turistët mbeten magji dhe kureshtje e madhe). Në lindje të fshatit Mborje, në krye të malit Morava, në lartësinë e 1331 metrave, gjenden gërmadhat e qytetit të dikurshëm (Emborium). Sipas studimeve dhe shkrimeve të hershme, bëhet fjalë për fortesa të ndërtuara në kohën e venecianëve. Në Mborje gjendet edhe kisha e “Lartësimit të Zotit” (Kisha e Ristozit), ndërtuar në kohën e bizantëve më 896 pas Krishtit. Ka qenë një qytet i madh tregtar me banorë të pasur.
– Po për Vandhin (Barçin e sotëm), i cili gjendet shumë pranë me Korçën, dhe nga turistët
mund të vizitohet lehtësisht, çfarë mund të na thoni?
Referuar rrënojave që gjenden aty, mendohet se ka qenë qytet i madh me 12 mijë 
shtëpi. Saktësimi dhe plotësimi i tyre do të bëhet nga kërkimet dhe studimet arkeologjike. Nëse vende të tilla vizitohen nga të huaj dhe vendas, mundësia për zbulime të papritura dhe vëmendje, bëhet më e madhe
– Ka ndodhur ndonjëherë kështu?
Po, në vitin 1935, mësuesi i katundit Kuç i Zi, rreth një orë larg nga fshati, te vendi i 
quajtur “Varri i Kaurit”, zbuloi një kishë të vogël , pranë saj u gjetën edhe shenjat e një kalaje. Shtypi i kohës e vlerësoi gjetjen e mësuesit. Sipas gojëdhënave aty kishte qenë kalaja e një prijësi që sulmonte dhe mbrohej nga ushtria turke. Mbi Kuçin e Korçës u gjet edhe një ndërtim, që më pas u quajt “Kapela e Kuçit”, e cila kishte qenë banesë e një asketi.
III
– Zoti Peleshi, tashmë mund të ndalemi sadopak edhe në zonën e Devollit, për të cilin 
tregohen mjaft legjenda?
Patjetër, Bilishti është qytet mjaft i hershëm, vërtetuar kjo nga rrënojat që 
gjenden edhe sot e kësaj dite; flet kalaja e Bilishtit, e Trenit e Vranishtit etj. Luftërat më të mëdha në këtë zonë ndodhën gjatë sundimit të mbretit roman, Trajan, i cili shkatërroi qytetin e famshëm të “Ventrokut”, shtrirja e të cilit niste në fshatin Tren e përfundonte në Pilurin e sotëm. Sipas shkrimeve të hershme, pas shkatërrimit të qytetit mbetën gjallë dy vëllezër; njëri u vendos në Bilisht dhe tjetri në Plasë, të cilët, pasi ikjes së romakëve, mbretëruan në këto dy vende (Bilisht e Plasë), si principatë e Devollit, deri në ardhjen e turqve.
– Edhe për Plasën ka mjaft të dhëna apo nuk është kështu? 
E vërtetë. Qyteti i Plasës mendohet të ketë patur 10 mijë shtëpi dhe fortesa, 
gjurmët e të cilave janë edhe sot. Mendohet gjithashtu që Plasa të ketë qenë ndërtuar prej banorëve të Pilurit, të cilët e braktisën fshatin e vet në vitin 385 p.e.s. gjatë përplasjes së Aleksandrit të Madh me mbretin e Ilirisë Gjenço. Plasën e përmend edhe William Martin Leake. Gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri, më 1805 Leak (lik) pas shëtitjes në një pjesë të Maqedonisë Jugperëndimore, hyri në Bilishti dhe që andej u ndal në Plasë, ku i tërhoqi vëmendjen pallati i madh i Mehmet Pashë Plasës, kurse revista “Leka” 1932, nr.7-8, përmend fisin e Sinan Pashës si sundimtarë të Plasës dhe si pashallarët më të fuqishëm të Toskërisë. Gjithashtu bejlerët e Plasës i kishin banesat e tyre të fortifikuara me mure rrethuese dhe hendeqe. 
IV
– Edhe Kolonja është e pasur në histori e legjenda, çfarë do të veçonit, ju zoti Peleshi si më interesanten?
Po, në vitin 1805, Kolonja është vizituar enkas edhe nga Pukëvili, sepse kishte dëgjuar që 
në fshatin Kodras, poshtë Ersekës, jo shumë larg nga Starja, gjendej një shpellë ku ndodheshin disa skulptura të gdhendura në shkëmb, por edhe pse u përpoq ta gjente vendin, nuk ra dot në gjurmë të tij. Pukëvili erdhi duke kaluar nga Konica, së pari u ndal në afërsi të Starjes, por pati frikë të hynte në fshat, sepse njerëzit do ta kuptonin që ishte i huaj dhe mund të revoltoheshin. (Duket që Pukëvili nuk ishte i mirinformuar). Qëllimi i tij ishte të vizitonte “Guvën e Tubës, afër Kodrës”, ku, i kishin thënë se gjendej celula me sarkofagë të gdhendur në shkëmb, ishte një katakomb i madh (galeri e nëndheshme). Kjo gjë mund të merrej si e besueshme, sepse në Romën e vjetër, në galeri të tilla të nëndheshme, të krishterët e kohëve të para fshiheshin, kryenin shërbesa fetare ose varrosnin të vdekurit, ndaj edhe Pukëvili ishte i interesuar ta vizitonte. Në Kolonjë Pukëvili qëndroi shumë pak, sepse kolonjarët i shihte si njerëz të pabindur që rronin në anarshi dhe u frikësohej të papriturave. Për sa u përket vlerave historike, kulturore dhe arkeologjike, Kolonja ka mjaft.
V
– Korça ka një numër të madh monumentesh kulture, cilat prej tyre mbajnë datimin më 
të hershëm?
Po, në Korçë gjendet fortifikimi më i hershëm i trojeve ilire, i quajtur “Muri i Zvezdës”, 
550 metra i gjatë, i ndërtuar me gurë, pa llaç, pa lidhje mes tyre e pa faqe anësore, me lartësi nga 2.20 – 3 metra, i cili zbret në të dy krahët e rrugës, që lidhte fushën e Korçës me territoret pranë liqenit të Prespës së Madhe dhe të Maqedonisë. Në raste rreziku, fortifikimi mbyllte rrugëkalimin në Qafën e Zvezdës. Kjo periudhë përkon me krijimin e federatave fisnore prej enkelejtëve dhe taulantëve në shek. VII p. e. r. Fortifikimi u vinte në ndihmë banorëve të shumë vendbanimeve të zonës. Muri pengues duhet të ketë shërbyer deri në mesin e shek. IV p.e.r. Kurse fortifikimi më i hershëm me ledhe guri (gurë të thyer, të vendosur grumbull, pa lidhje mes tyre dhe pa faqe anësore), me gjerësi 1.70 m dhe lartësi të ruajtur 0.40 m, gjendet në Kamnik të Kolonjës, te vendi i quajtur “Shkëmbi i Kamnikut”, i përket neolitit të vonë, rreth viteve 2800-2700 p.e.r. Fortifikimet vijojnë në kohë: ai i Gradishtës së Symizës daton në periudhën e vonë të bronzit 1500-1200 vjet p.e.s, kurse fortifikimi mbi shpellën e fshatit Tren në fillim të epokës së hekurit. Për sa u përket vendbanimeve, më i hershmi mbetet ai i Vashtmisë, 6000 vjet p.e.s. dhe dy vendbanime palafite (të ngritura mbi shtylla), mbi të cilat vendosej një platformë druri; i Dunavecit, i cili i përket neoliti i mesëm dhe i Maliqit, i periudhës së eneolitit, rreth 2600 p.e.r.
VI
– Korça rrethohej edhe nga 11 kala të tjera, (sot monumente kulture), cili ka qenë roli 
specifik i çdonjërës prej tyre?
Po e nis me kalanë e Trajanit, (në Devoll), pasi ajo bën pjesë në vendbanimet e fortifikuara 
prehistorike më të mëdha që gjenden në trojet e Ilirisë; ndodhet mbi fortifikimin e shpellës së Trenit, mbi një kodër 400 m të lartë. Brenda mureve të saj, me një gjatësi prej 3 km, përfshihet një sipërfaqe prej 22 ha. Trashësia e mureve shkon në 3.5 metra. Një prej faqeve të kodrës zbret drejt e mbi liqenin e Prespës së Vogël. Jashtë kalasë, te qafa që lidh kodrën e kalasë me një kodër tjetër, ngrihet një mur 500 metra i gjatë në mbrojtje të banorëve që jetonin jashtë mureve të kalasë. Gërmimet arkeologjike në këtë kala do të zbulojnë një prej qyteteve ilire më të përmendura në Shqipërinë e Jugut, pasi deri më sot nuk janë bërë kërkime; objektet e gjetura te një tumë aty afër datohen në shek. VIII-VII p.e.r. 
Edhe kala e Trojanit, e Bellovodës, e Gjonomadhit, e Bllacës etj, të ndërtuara në qafa malesh, në gryka lumenjsh, ashtu si fortifikimet e Zvezdës, kishin si funksion parësor mbylljen e vendkalimeve që lidhnin Korçën dhe Devollin me krahina të tjera. Kalaja e Menkulasit kontrollonte rrugën përgjatë luginës së lumit Devollit, në juglindje të tij; e Dishnicës kish për mision hapësirën nga Zvezda deri në grykën e Cangonjit, kalaja e Symizës dhe Gopeshit mbanin nën vëzhgim pjesën tjetër; kur lumi i Devollit delte nga fusha e Korçës, survejimin e luginës e merrte kalaja e “Hijes së Korbit”. Krahas fortifikimeve që sapo përmendëm, rol të veçantë luante edhe kalaja e Zaradishtës, 8 km në perëndim të Korçës. Edhe pse e ndërtuar në terren të sheshtë ishte e aftë tu përgjigjej sulmeve, pasi ishte një kala me konstruksion mjaft të fortë. Pranë saj janë gjetur gjurmë mozaikësh, mbishkrime dhe një kolonë dritareje e një kishe paleokristiane.
VII
– Shumë të dhëna për vendin e tyre, shqiptarët i kanë siguruar nga të huajt, po për 
Gorën dhe Oparin, a është thënë gjë prej tyre?
Ashtu si për shumë qytete shqiptare edhe për Gorën, Oparin e deri në Skrapar, gjejmë të 
dhëna të ofruara enkas nga të huajt. I tillë është studimi i Jacques Bourcart i vitit 1922: “Gora në Niça ka më tepër pyll se Gora në Voskopojë. Në Niça pyjet janë fort të bukura dhe të mëdhenj, katundet janë piktoreske dhe të pasur, lopët të mëdha gjejnë një kullotë të majme në verë mbi brigjet e lartë…”, shkruan Bourcart. 
Sipas tij, ashtu si Morava edhe Gora mund të kthehen në vende pushimi të këndshme për banorët e fushës së Korçës dhe Starovës (Pogradecit). Ai e beson ketë gjë sepse ka vënë re që banorët e zonës janë inteligjentë, punëtorë, të shkathët, dhe të përparuar ashtu si njerëzit e krahinave fqinje, të zotë për të arritur gjithçka. Në Opar i tërheqin vëmendjen pyjet e bredhit të “Bofnjes”, të “Varrit të Lamit”, drurët shekullorë të ahut dhe kreshtat e mbuluara me kullotë si ato të alpeve. Nëse njerëzit do të kishin treguar më shumë kujdes, pyjet do të ishin më të mëdhenj, më të bukur e më të begatë. “shpyllëzimi i jep vendit fytyrë të egër”, konkludon Boucart. Bukuria e vendit s’ka fund. Nëse del në Llëngë thotë ai, vështrimi zgjatet deri në Adriatik, m’atanë brigjeve të Vërçës, Sulovës dhe Fushës së Myzeqesë, ku nga Juga është Tomorica dhe Sinja.” Boucart e shtrin studimin e tij deri në Skrapar. Zona ka klimën e kontinentit, thotë ai, Tomorica dhe Vërça janë ngjitur, ndjejnë influencën e Adriatikut; ulliri shfaqet që në Dobran. Në dimër ndërrimi i motit është i përnjëhertë. Kur vjen nga Gur’ i Prerë dhe zbret nga Opari plot dëborë, Tomoricën e gjen mbuluar me lule. Pra nga sa më sipër, mund të themi se shtrirja nga Korça në Skrapar është një mrekulli.
VIII
– Z. Peleshi, Keni ndonjë ide, cili nga të huajt ka qenë me realist kur ka shkruar për 
Korçën?
Mund të jenë disa, por unë do të veçoj Mary Edith Durham, udhëtaren, artisten, 
shkrimtaren britanike që u bë e famshme për shkrimet e saj mbi jetën e shqiptarëve. Edit Durham. Sapo hyri në zonën e Korçës vuri re të bukurën; nuk u përpoq ta fshihte, e tha me zemër të hapur, ashtu siç e ndjeu. Këtu nuk ka kasolle prej balte, – do të shkruante ajo,- fshatrat janë të rregullta, me shtëpi prej guri e me tjegulla të kuqe, të ndërtuara mirë, toka e punuar bukur, rrugët shumë të mira, burrat ecnin me kokën lart. Ndërsa tekstualisht ka shkruar: “Korça është një qytet që të habit. Është i pastër, shumë i pastër, madje qyteti më i pastër që kam parë në Perandorinë Turke, me rrugë të drejta të shtruara mirë, pa qenë e plehra nëpër këmbë… Korça është e qytetëruar”. 
Më tej thekson: “Korçarët më pritën shumë mirë dhe u entuziazmuan me planin tim për udhëtimet me kalë nëpër Shqipëri. Familjet ku shkova ishin të gjitha shqiptare, shtëpitë ishin të rehatshme dhe të rregulluara me shije”
Edhe për Ersekën u shpreh me simpati: “Në han flitej vetëm shqip”, thotë ajo. Duket se kjo gjë e ka entuziazmuar. Edhe pse një fshat i vogël, me një grumbull shtëpish të vogla të vendosur mbi një pllajë të zhveshur, sërish gjeti njerëz për të komunikuar në anglisht. Kajmekani e ftoi në shtëpi, ku Durham, fal mikpritjes që i ofruan, e ndjeu vetën si në shtëpinë e vet. Edit Durham kujton në librin e saj “Brenga e Ballkanit” edhe miqësinë e përmetarëve me kolonjarët:
Përmetarët, shkruante ajo, kishin respekt për Kolonjën dhe akoma kujtonin ditën kur njëzet vjet të shkuara, nga malet pat zbritur një çetë e pati rrëmbyer një vashë. Lufta kishte qenë e ashpër, madje kishin luftuar edhe në lumë (asokohe s’kishte urë) e ishin mbytur disa luftëtarë.
Edhe bukuria e Leskovikut e la të mrekulluar. Te libri i saj, shkroi: “Leskoviku është një qytet i vogël, i ndërtuar mbi shkëmb dhe ngjan shumë me fshatrat e Uellsit Verior, por shumë i pastër dhe i rregullt… Qyteti eksporton pastërma, mish deleje mali, dhe importon pothuaj gjithë drithin. 
Atë pak tokë që kanë, leskoviqarët e punojnë mirë”
Megjithatë, këto që përmendëm deri tani janë vetëm një pjesë shumë e vogël e pasurive të mëdha shpirtërore dhe materiale që ka Korça.
IX
-Tashmë edhe dy fjalë për festën e Birra Korçës?
Festa e birra Korçës është eventi më i madh festiv në Shqipëri. Gjatë festimit të 5 ditëve marrin pjesë mbi 100,000 njerëz, vendas e të huaj. Festa u çel për herë të parë në vitin 2007. Numri i turistëve në rajon u rrit si asnjëherë më parë. Për këtë arsye, në vitin 2010, Ministria e Kulturës e nderoi festivalin me çmimin e Turizmit. Është një festë më shumë se e këndshme, ku njerëzit gëzojnë, pinë, provojnë shijen e kërnackave dhe mezeve të Korçës, dëgjojnë muzikë, vallëzojnë, këngëtarët nuk mungojnë asnjëherë, kënaqësia është e madhe, dëfrimi vijon deri në mëngjes, askund tjetër nuk ndodh kështu, njerëzit i zë mëngjesi pa e kuptuar as vetë sesi u ndodhi kështu. Për këtë vit vetëm natën e parë u pinë 60,000 gota birre. Këngëtarja Marsela Çibukaj, vëllezërit Prifti, grupi “NA” dhe dy grupet tradicionale të Korçës “Domino Band” dhe “Nostalgjia” mbajtën ndezur atmosferën e festës. Pas përfundimit të festës gjithkush largohet prej qytetit të bukur të Korçës me një ndjesi të bukur e të paharruar dhe me dëshirën për të qenë sërish i pranishëm vitin tjetër. Në Korçë të gjithë janë të mirëpritur!
Bisedoi, Vepror HASANI
Sigal