Niko Naska/ “Autostradat” e linjave të tubacioneve me ujë

904
Në tetor të vitit 2012, ish Ministria e Punëve Publike dhe e Transportit në Bashkëpunim me Shoqatën e Ujësjellës Kanalizimeve të Shqipërisë prezantuan “Strategjinë kombëtare të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve 2011-2017” botuar në VKM Nr.643, datë 14.09.2011, me titull “Për miratimin e strategjisë kombëtare sektoriale të shërbimeve të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve” që është përkufizim më i saktë dhe që lidhet vetëm me këtë sektor. Sipas kësaj strategjie parashikohet një normë konsumi prej 150 litra ujë në ditë për frymë si dhe një tolerancë prej 20% humbje teknike, pra llogaritjet bëhen për 180 litra ujë në ditë për frymë si dhe të gjitha investimet të kryhen vetëm në sektorin e shërbimeve të ujësellës kanalizime. Por realiteti flet ndryshe, pasi aktualisht ky rrjet shfrytëzohet edhe nga sektorët e tjerë apo të pa parashikuar në projektet e studimet urbane. Kështu gjatë viteve të fundit si rezultat i ndërtimeve të shumta dhe me lartësi të madhe është rritur densiteti i banorëve për hektar, është prishur regjimi i punës të linjave të ujësjellësave ndërkohë që rrjeti dhe sasia e furnizimit me ujë ka mbetur kostant si më parë. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe (1992-2015) është ndryshuar struktura e ndërtimeve ekzistuese ku bodrumet e pa shfrytëzuara, katet përdhe të banimit, janë kthyer në lokale e ambiente podrumi të cilat konsumojnë sasi të konsiderueshme uji etj. Në këto kushte është në të mirë të ekonomisë të vendit që investimet të ishin kryer dhe të parashikohen jo sektoriale por në kompleks, me shumë funksione dhe t’i shërbenin të gjithë sektorëve, sipas nevojave, kërkesat të zhvillimit në perspektivë, pa ndërprerje të furnizimit me ujë dhe të rrjetit të kanalizimeve të nevojshme për largimin në kohë të ujrave të ndotura (të përdorura). Sigurisht kjo kërkon një studim dhe punë komplekse nga të gjithë aktorët që lidhen me nevojat për ujë në punën e tyre të përditshme e të përhershme.
Varientet e përshtatshme
Një ndër variantet e shumta që mundet të paraqiten është edhe variant i ndërtimit të “autostradave” të linjave të tubacioneve për furnizimin me ujë. Këto “autostrada” do të furnizojnë me ujë qendrat e banuara (nevojat vetiake e publike), institucionet shëndetësore, arsimore, social-kulturore, turistike, ndërmarrjet industrial (përpunimin e naftës, industrinë mekanike, metalurgjike, të drurit, të pasurimit të mineraleve), industrinë e lehtë dhe ushqimore, objektet bujqësore (stallat, pularitë, objektet ndihmëse), ndoshta edhe për ujitjen e zonave të veçanta ku kalojnë këto “autostrada”, industrinë e prodhimit të materialeve të ndërtimit, për nevojat e larjes e lagies së rrugëve dhe zonave të gjelbërta, për objekte të veçanta etj. Duke patur parasysh parimet: e burimeve të ujit (të ketë sasinë e nevojshme të ujit, të ujit cilësor, të jetë sa më jetëgjatë), të linjave të jashtme të tubacioneve (më shumë se dy linja, kalime në vende të përshtatëshme. Për ndërtim-mirëmbajtje-riparim-kontroll-montim), së bashku me stacionet e pompimit dhe paisjet e tyre, me nënstacionet elektrike dhe të linjave përkatëse për furnizimin me energji elektrike të ketyre stacioneve të pompimit dhe të objekteve të tjera që lidhen me to, propozoj këto variante kalimi të ndërtimit të këtyre “autostrada”:
1.Grupi i linjave të tubacioneve fillon në bjefin e poshtëm të hidrocentralit të Vaut të Dejës dhe vazhdon në Lezhë – Milot – Laç – Fushë Krujë – Vorë – Shijak – Durrës – Golem –Kavajë – Rrogozhinë.
2.Grupi i linjave të tubacioneve fillon në bjefin e poshtëm të hidrocentralit të Banjës dhe vazhdon në Cërrik – Elbasan – Papër – Peqin – Rrogozhinë.
3.Grupi i linjave të tubacioneve fillon në bjefin e poshtëm të hidrocentralit të Kalivaçit (prandaj duhet përshpejtuar përfundimi i punimeve të ndërtimit të këtij hidrocentrali. Ai ka 18 vjet që ka filluar dhe sipas kontratës së parë duhet të ishte vënë në punë në vitin 2002. Përfundimi i digës së këtij hidrocentrali në afatet e përcaktuara në kontratë do të zvogëlonte në mënyrë të ndjeshme pasojat dhe dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e ndodhura në muajt e parë të këtij viti), vazhdon me disa segmente “autostradash” të linjave të tubacioneve të furnizimit me ujë, si:
a)Kalivaç – Nartë – Vlorë – Orikum.
b)Kalivaç – Ballsh – Fier – Ura Vajgurore – Berat.
c)Kalivaç – Fier – Lushnjë – Rrogozhinë.
d)Kalivaç – Memaliaj – Tepelenë – Gjirokastër – Dropull – Kufi.
Për të gjitha këto variante e nën variante “autostradash” të linjave të tubacioneve të furnizimit me ujë, burimi i ujit është plotësisht i garantuar në sasi, cilësi dhe jetëgjatësi. Numuri i tubacioneve të furnizimit me ujë, diametri i tyre dhe materialet përbërës përcaktohen në varësi të nevojave, kërkesave të perspektivës për secilin konsumator të parashikuara në studimet përkatëse të zhvillimit të këtyre zonave ku këto “autostrada” linjash tubacione uji kalojnë (përshkruajnë) Nëpërmjet impianteve të pastrimit uji kalon dhe depozitohet në rezervuarët përkatës vëllimi i përgjithshëm i të cilëve llogaritet në përputhje me standartet dhe kushtet teknike për secilin konsumator (qendër banimi, vepra industrial, bujqësore etj).
Sigurisht që këto projekte duhet të paisen edhe me sistemet informative teritoriale (GIS) nëpërmjet të cilit bëhet një analizë e plotë e kompleksit të tubacioneve të “autostradave” të linjave të furnizimit me ujë dhe të objekteve të tjera që i përbëjnë ato. Ndarja e re teritoriale e vendit në zonat ku kalojnë këto linja, kërkon një bashkëpunim ndërmjet Bashkive, Ministrive, Akademisë së Shkencave, Shoqërive të ndryshme e private për të bërë realitet furnizimin me ujë në cilësi, sasi dhe sipas kërkesave dhe nevojave pa ndërprerje gjatë njëzet e katër orëve. “Kur shtëpia ka etje nuk ke pse e derdh ujin pa e përdorur atë”. Aktualisht derdhen në dete 42 miliard m3 ujë në vit.
Sigal