Nikë Neçaj/ Guvernatori Fullani dhe full-naja e politikës

540
Sigal

Ka kohë që u zbulua akti i rëndë i vjedhjes në thesarin e Bankës së Shqipërisë, nga punonjësit e Bankës. Kjo është më shumë se vjedhje, është vetëvjedhje. Politika e institucionet e pa varura po lëkunden mes, mungesës se kompetencës për të dhënë një gjykim, mbrojtjes së Guvernatorit e Këshillit të Bankës e ndëshkimit të tyre. Në ditët e para pas zbulimit të skandalit, Guvernatori Fullani në daljen e tij publike, u përpoq të sigurojë opinionin se Banka është në përmbushje të detyrave e funksioneve të saj, se ky akt nuk cenon autoritetin e Bankës e të tij si drejtues i saj. Edhe vetë e kishte të vështirë besimin në ato qe tha. Sa është vjedhja? Shifrën e saktë nuk e dinë as ata që kanë marrë pjesë në këtë vjedhje. Ata janë ujqër dhe ujku ha pa llogari. Nga prokuroria thuhet se stoku nuk është inventarizuar për 3 vjet. Ndoshta janë vjedhur shumica e kartëmonedhave te dëmtuara që janë nxjerrë nga qarkullimi dhe përsëri janë hedh në qarkullim, e përsëri nxjerr, e përsëri hedhë, e kështu disa cikle. Aty ku ka munguar kontrolli i brendshëm, ky fenomen mund të ketë ndodhë pa problem. Prokuroria tani ka vetëm letrat, e letrat thonë për 713 milion lekë. Edhe Guvernatori Fullani në daljen e fundit para mediave tha po kaq . Si për të zbutur zemërimin që është ngritur ndaj tij nga ky skandal u kujtua të na japë lajme të mira për ekonominë. Edhe në se është kështu, Fullani nuk ka ndonjë meritë. A është i besueshëm ky Guvernator për ato që na thotë !? E ç’ sekret shtetëror tejet të klasifikuar përbëka lista emërore e punonjësve të Bankës dhe funksionet që ata kryejnë, të cilën u dashka të shkojë Komisioni i Ekonomisë e ta shohë atje në Bankë? Vërtetë, Komisioni dhe Parlamenti duhet të shkojnë e të ulen shtruar për të parë mirë jo vetëm listat por gjithë aktivitetin e Bankës, pasi ajo nuk është e Guvernatorit dhe e Këshillit që i mban ison atij, as e të tjerëve që e mbrojnë atë, por e qytetarëve të këtij vendi. A është Prokuroria e aftë të nxjerrë saktë sasinë e vjedhur e njerëzit e përfshirë? Shpresojmë e dëshirojmë, por për ngjarje më të lehta në disa raste përfundimet nuk kanë qenë bindëse.                                                          Kryetari i Komisionit të Ekonomisë në Parlament është i vetmi politikan i cili këmbëngul që zbulimit të shkaqeve që kanë çuar në këtë skandal, si dhe nxjerrjes së përgjegjësive për këdo, të shkohet deri në fund. A janë me këtë mendim Guvernatori dhe Këshilli? Në se po, pse nuk japin informacionin e kërkuar në Komision ? Është fjala për Komisionin e Parlamentit e jo për gazetë apo rrugë. Hezitimet për një gjë të tillë vetëm shtojnë dyshimet për fshehjen jo vetëm të këtij realiteti, por dhe të realiteteve të tjera që mund të ketë atje. Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Parlament, Spartak Braho, në një konferencë për shtyp, deklaron se siguria kombëtare është tronditur dhe vazhdon:“Si deputet e si qytetar, unë nuk jam për shkarkimin e Guvernatorit. Dorëheqja është një gjë personale e që varet nga konceptimi moral i tij. Pas këtij konceptimi ai u bën thirrje tre anëtarëve të Këshillit të Mbikëqyrjes (Prof.Dhori Kule, Prof.Ardian Civici dhe Prof.Ermelinda Meksi ) që të japin dorëheqje, pasi këta edhe pse nuk kanë qenë të ngarkuar me menaxhimin e bankës e nuk mund të kenë asnjë përgjegjësi, janë personalitete me integritet të lartë qytetar, shkencor e moral!  Berisha e mbron Guvernatorin me arsyetimin se po sulmohet politikisht dhe fryrja e kësaj çështje mund të çojë në destabilitet. Së pari, Qeveria nuk po e sulmon. Së dyti, destabilizimi mund të ndodhë vetëm në se këtij problemi nuk i shkohet në fund. Berishës duhet t’i kujtohet mirë 1997, kur nga frika e destabilitetit ai i justifikoi piramidat, mbrojti qeverinë e guvernatorin. Por nga mos nxjerrja e përgjegjësisë në kohën e duhur, vendi u zhyt në atë destabilitet e kaos sa pasojat e tij do të ndikojnë negativisht dhe për shumë vite të tjera. Nga pësimet e mëdha , njerëzit e ditur nxjerrin mësime të mëdha. Berisha nuk është i paditur. Në prononcimin e tij ai nuk harroi të citojë vjedhjen e arit në vitin 2004, kur Guvernator ka qënë Ministri i sotëm i financave dhe Kryeministër ishte Kryetari i sotëm i Parlamentit. Ai i bëri thirrje prokurorisë të rihapë dhe një herë çështjen e vjedhjes së floririt. Dikush mund të thotë se janë shashkat e zakonshme të Berishës. Ndoshta po, ndoshta jo. Berisha e pati akuzuar Qeverinë socialiste të asaj kohe me Kryeministër Ilir Meta për vjedhjen e arit. Hetimi u mbyll. Në pushtet erdhi Berisha dhe për tetë vjet nuk u kujtua ta hape këtë problem. Mandatin e fundit qeverisi me Metën, duke e bërë këtë të fundit zv/Kryeministër, pra nuk ishte Ilir Floriri, por Ilir Meta si flori. Sot Meta ka kaluar në krahun tjetër. Spontanisht mban këtë qëndrim Berisha!? Ndoshta.  Kryeministri i vendit në konferencën e shtypit, tha mes të tjerash se nuk është kompetencë e tij të kërkojë dorëheqjen e Guvernatorit, pasi Banka është institucion i pa varur. Sipas tij, zbardhja e kësaj çështje është sfidë për prokurorinë, sfidë për Bankën e Shtetit, sfidë për Parlamentin e Qeverinë. Guvernatori dhe Këshilli Mbikëqyrës e kanë kaluar sfidën, pasi ata vjedhjen e kanë quajtur jo dobësi menaxhimi e kontrolli, por çështje e faktorit njerëzor! Në analizën që Këshilli Mbikëqyrës i ka bërë këtij aspekti, më shumë është mburrë për stabilitetin makroekonomik e financiar se ka mbajtur përgjegjësi për rastin në fjalë. Sfida e Prokurorisë duhet pritur. E dimë se në jo pak raste prokuroria nuk i ka hetuar çështjet me standarde të njëjta si për qytetarët ashtu dhe për pushtetarët, si për të varfrit ashtu dhe për të pasurit. E dimë gjithashtu, se jo një herë prokuroria është sfiduar nga vendimet e shtrembra të gjykatave të të gjitha niveleve. Të shpresojmë këtë radhë. Shtatori erdhi. Të shohim si do ta përballojë sfidën e vjedhjes së Bankës Parlamenti e Qeveria. Vërtetë Banka është institucion i pa varur, por nuk është respekt i pavarësisë, rrudhja e supeve e mos prononcimi kur atje nuk funksionon kontrolli,ka shpërdorime e luks të tepruar, ka nepotizëm marramendës, lidhje të stafit të lartë e të mesëm me segmente të caktuara politike, etje …etje. Nuk është konflikt me askënd thënja e gjërave drejt, hapur e me transparence.  Banka është e Shqipërisë dhe Shqipëria e shqiptarëve. Presidenti hesht, Kryetari i Kuvendit hesht, Kryetari i opozitës hesht, ish Guvernatori hesht, … hesht….. heshtin . Nga prokuroria rrjedhin çereknjoftime çerek të vërteta, që turbullojnë zbulimin e përmasave të krimit dhe shkallën e përfshirjes në të. Kryetari i opozitës së bashkuar nuk flet për megavjedhjen, kurse për shkarkimin e deri një polici po e po disa herë. Përse?  A mos Berisha ka shprehur mendimet e Bashës! Spartak Braho i LSI-së, mbron hapur Guvernatorin dhe qenien në krye të Bankës e len në moralin e tij, ndërkohë që më të mirët e më të moralshmit e Këshillit të Bankës ( gjithnjë sipas tij ) duhet të dorëhiqen. Këto mendime Spartak Braho i ka të tij apo të dikujt tjetër?  Mos prononcimin e Presidentit e të Kryetarit të Parlamentit ta kuptojmë si mos ndërhyrje në institucionet e pa varura, apo !? Pra heshtje, rrudhje supesh, mbrojtje hapur e atyre që kanë lejuar këtë situatë, çerek të vërteta, mjegullnajë, spekulantë, hajdutë me kostume të shtrenjta, jaka të kollarisura me makina të tipit të fundit e shtetas te thjeshtë të këtij vendi të zhgënjyer sistematikisht për kohë të gjatë. Guvernatori, minimalisht, duhet larguar e mbajtur përgjegjësi për qëndrim te pakujdesshëm në detyrë me pasoja të rënda në ekonomi e në besueshmërinë e qytetarëve ndaj institucioneve të rëndësisë së veçantë siç është Banka e Shtetit. Guvernatorin, politika le ta vlerësojë si të dojë pasi ai është produkt i saj, kurse për qytetarët e thjeshtë ai është ngelës në menaxhim, përgjegjshmëri, transparencë bile edhe profesionalizëm. Ata shprehen se ky Guvernator, nuk mbron interesat e tyre e të ekonomisë, por vetëm të tijat e të politikës. Një gjë ndoshta e kanë kuptuar Nishani, Rama, Meta, Berisha, Basha, Dule, Mediu e Idrizi; se qytetarët e këtij vendi nuk mund t’i përdorin si turma. Kjo, për ata që duan ta kuptojnë, u bë e ditur në protestat kundër shkatërrimit te armëve kimike të Sirisë në vendin tonë. Protestuesit u shprehën hapur kundër atyre që deshën ta ngjyrosin politikisht protestën. Në se nuk ka transparencë e përgjegjshmëri nga politika për problemet që dalin si ky i fundit, vërtetë mund të ketë destabilitet. Gjithnjë e më shumë po kristalizohet mendimi se politikë bërja deri tani ka dështuar në mbrojtjen e interesave të qytetarëve e në formimin e shtetit, se politikanët mbrojnë vetëm interesat e tyre dhe shfrytëzojnë taksat për pasurimin e vet e të rretheve të tyre nepotike. Turmat nuk do të ju shkojnë me pas, por do të ju dalin përballë me rezistencë qytetare e të vendosur për të ndryshuar rrjedhën. Shkalla e besimit tek pjesa më e madhe e politikanëve asnjëherë nuk ka qenë kaq e ultë. Ata janë bërë jo vetëm të pabesueshëm, por dhe të neveritshëm. Mjaft me mashtrime. Mos mbroni shpërdoruesit, mos ju rrihni supet mashtruesve, dallkaukëve, servilëve, të pa aftëve e konformistëve ! Prishni lidhjet nepotike e farefisnore që i keni vënë ne sistem për 23 vjet jo vetëm në strukturat shtetërore, por dhe me krijimin e monopoleve në ekonomi! Në se ju jeni të drejtë, njerëzorë, transparentë e te ndershëm nuk mund të këtë destabilitet. Shumë pikëpyetje gjithandej e për të gjithë. Përballë kësaj tymnaje qytetarët e thjeshtë pa shpresë tek politika e drejtësia e politizuar. Ndoshta mund të bëjë dikush transparencë, ndoshta dikush do të bëjë drejtësi. Duhet prit, por sa ?!