Ngrohja globale “godet” temperaturat

604
Evropa po përjeton këto ditë një mot ekstrem, me valët e të nxehtit afrikan dhe përmbytje. I nxehti ekstrem ka shkaktuar zjarre në vendet e jugut të kontinentit si Kroacia, Italia, Mali i Zi, Portugalia apo jugu i Francës, ndërkohë që thatësira ka sjellë probleme të furnizimit me ujë në shumë zona. Pas valëve të të nxehtit që vijnë nga Afrika Veriore, shërbimet e urgjencës i kanë paralajmëruar të moshuarit dhe njerëzit që vuajnë nga sëmundjet kronike të zemrës që të mos dalin nga shtëpia në oraret e pikut. Zjarri i muajve të fundit në qytetin bregdetar të Splitit shkatërroi mijëra hektarë pyje, tokë bujqësore dhe të paktën 15 shtëpi. Shumë qytete bregdetare u goditën nga stuhitë dhe dallgët e detit arritën lartësi të pazakonta.

Gjendja duket më e qetë më në veri të kontinentit. Në kryeqytetin çek, Pragë, vendasit dhe turistët përpiqen të freskohen sadopak, duke lundruar varka në lumin Vltava. Instituti Meteorologjik i Çekisë paralajmëroi se vala e të nxehtit mund të vazhdojë deri në fund të javës. Organizata Botërore e Meteorologjisë me bazë në Gjenevë thotë se moti ekstrem, si ky këtë vere, është i pazakontë. “Gjen pak raste të ngjashme në 150 vitet e kaluara, por tre dhjetëvjeçarët e fundit, kemi shënuar përherë e më shumë situata ekstreme klimatike, si kjo e këtij viti”, thonë ekspertët. Organizata thotë se temperaturat do vazhdojnë të rriten, nëse nuk kufizohen aktivitetet që kontribuojnë në ngrohjen globale. Ajo bën thirrje që njerëzit të marrin masa për t’u mbrojtur nga kushtet ekstreme të motit, duke krijuar sisteme paralajmëruese, strehë dhe ekipe të ndërhyrjes së shpejtë.
Sigal