Ngricë dhe dëborë. Vështirësi në qarkullim dhe ndërprerje energjie

Reshjet e dëborës që kanë zbritur deri në qytetin bregdetar të Durrësit, Kavajës, por edhe në Tiranë, ia kanë lënë vendin ngricave në pjesën më të madhe të territorit të vendit.

Situata më e rënduar paraqitet në verilindje dhe juglindje. Akset rrugore Bulqizë-Peshkopi dhe Bulqizë-Burrel kalohen me zinxhirë me shumë vështirësi. Ura e Çerenecit-Klenjë është e bllokuar. Disa fshatra janë bllokuar dhe janë pa energji. 

Probleme me qarkullimin ka edhe ne aksin Elbasan-Librazhd -Qafë Thanë. E bllokuar nga bora është njësia administrative Stëblevë, ku trashësia arrin 50 cm. Është bllokuar qarkullimi në kthesën e Murrashit, në rrugën Librazhd-Elbasan. Reshjet e borës në këto momente janë të përqendruara në verilindje dhe juglindje të vendit me intensitet të ulët.  

Në mesditë, reshjet e borës do të ndërpriten, por do të ketë erë të ftohtë, që do të shkaktojë dallgëzim të fortë në bregdet deri në 8 ballë.

Pritet të ketë dhe rënie të ndjeshme të temperaturave në mesditë në zonat malore.