Ngjarje e rëndë në spitalin e Çorovodës, 22-vjeçarit i rrezikohet jeta nga mungesa e një gjilpëre

701
Bashkim Kapinova 
Kaos në spitalin e Çorovodës, 22-vjeçarit i rrezikohet jeta nga mungesa e një gjilpëre
Një ngjarje e rëndë dhe e pa precedent ka ndodhur vetëm dy ditë më parë në dyert e spitalit të Çorovodës. Dyer të mbyllura dhe mungesa të theksuara mjekësh dhe medikamentesh. Në mesditën e ditës së premte 22-vjeçari R. M. ka qenë duke punuar në arë dhe teksa ka shkuar për të marrë një termus me ujë që e mbante me vete në vendin ku punonte, teksa e ka ngritur po në atë moment e ka pickuar një gjarpër tepër helmues (nepërka), në gishtin e dorës majtë. Në momentin që ka parë zvarranikun dhe e ka kuptuar se helmi i saj është shumë i rrezikshëm për jetën, R. M., menjëherë ka marrë makinën dhe ka shkuar në ambulancën që ndodhej në zonë, pas këtij momenti kanë qenë të tjerë njerëz që kanë marrë 22-vjeçarin me makinë dhe e kanë shoqëruar për në spitalin e qytetit të Çorovodës, ku ka ndodhur dhe kaosi. Familjarët e alarmuar kanë shkuar në dyert e spitalit me djalin e tyre, por dyert e tij kanë qenë të mbyllura, madje për momentin nuk ka qenë edhe roja. Një nga familjarët ka dashur të shqyejë derën teksa një nga infermieret apo sanitare i shpjegonte se derën kryesore e ka mbyllur drejtoria dhe ne e të sëmurët hyjnë nga dera e pasme e spitalit. Madje sipas të afërmve të pacientit një nga familjarët ka dashur të shqyejë derën pasi mungonte çelësi dhe gjendja e birit të tyre nuk priste. Ky ka qenë dhe momenti fatal i kaosit të krijuar që nuk ka përfunduar me kaq në spital nuk ka mjek të anti-helmit, toksikolog, kirurg apo infeksionit, pasi në këtë spital mungoj shumë mjekë. Më kryesorja është se në këtë spital mungonte edhe gjilpëra e cila mund t’i vinte në ndihmë pacientit. E ndërsa gjendja e të sëmurit përkeqësohej nga momenti në moment, askush nga personeli nuk dinte se çfarë të bënte. Fati e ndihmoi 22-vjeçarin sepse në moment erdhi mjeku pensionist Muharrem Nona që nga përvoja e tij mundi të bënte një gjilpërë ndihmëse por jo Anti-Vibera, pasi ajo mungon prej shumë vitesh në këtë spital, por jo vetëm në Çorovodë, pothuajse edhe në shumë spitalet tjera. Ka qenë mjeku Nona ai që ka vendosur dërgimin e pacientit në spitalin Rajonal të Beratit. Më pas në këtë spital mjeku Beni Konomi ka mundur të gjejë gjilpërën Anti Vibera (antihelmin) dhe ka filluar mjekimin intensiv të pacientit që ka mundur të dalë nga ajo gjendje kome vetëm në mëngjesin e djeshëm. Tashmë pacienti ka nisur komunikimin me prindërit dhe të afërmit e tij. Në paraditen e djeshme mjeku Konomi ka pohuar se gjendja e të sëmurit është ende e rëndë por gjithsesi jashtë rrezikut për jetën. Familjarët por dhe shumë qytetarë të qytetit të Çorovodës, por dhe të afërm të djalit 22-vjeçar R.M. kanë pohuar për gazetën se gjendja në spitalin e qytetit ku ata jetojnë lë për të dëshiruar. Në këtë spital mungojnë gjerat me elementare. Nuk gjen një gjilpërë, mungojnë mjekët, spitali është kthyer si një “burg”, me dyer të kyçura si në rastin në fjalë. Titullari, i cili vjen nga dy drejtori të shëtitura më parë si titullar, por nuk manifeston një performancë të kënaqshme, madje nën zë, (dhe po të doni mundet t’i verifikoni këto që po dëgjoni), personeli është si në “terror”, pasi puna e parë që përmendet për çdo problem është largimi nga puna, edhe pse ka punonjës me mbi 30 vjet përvojë pune si infermierë, sanitare apo dhe në sektorët ndihmës. Po nën zë të pohojnë se edhe ato pak shtrime në këtë spital bëhen “fiktive”, madje i njëjti “burim” pohon se të gjitha këto që dëgjoni janë më se të verifikueshme. Vlen të përmendet, se para viteve ’ 90 gjilpërat kundër helmit i mbanin dhe veterinerët, kur bagëtitë i pickonte një zvarranik (gjarpër apo nepërkë) veterinerët i kishin me vete gjilpërat Anti Vibera, me një fjalë, ato vite kjo gjilpërë nuk mungonte për bagëtitë, ndërsa tani mungon për njerëzit duke u rrezikuar jetën.



Sigal