Ngarkim-shkarkimi në Portin e Durrësit: kompanitë në konflikt, hapet hetimi

77
Tregu i shërbimit të ngarkim-shkarkim për mallrat rifuxho në Terminalin Lindor të Portit të Durrësit dhe ku veprojnë disa kompani paraqet probleme të shumta.
Një prej shoqërive, “Albanian Stevedoring Company (ASC)” është ankuar pranë Autoritetit të Konkurrencës, kundrejt ndërmarrjeve: “EMS-Albanian Port Operator (EMS APO)” sh.p.k; “German Albanian Logistic Agency” sh.p.k (“GALA”); si dhe shoqërisë “EMS Shipping & Trading” Gmbh (“EMS”).
Ankesa lidhet me refuzimin për të ofruar shërbime/produkte, refuzimi për të lidhur kontrata si edhe zbatimi i kushteve të pabarabarta për veprime të njëjta me palët, duke i vendosur ato në kushte të pabarabarta konkurrence.
Nga provat e administruara rezulton se ndërmarrja që ka objekt menaxhim-operimin (koncesionari EMS APO) e terminalit lindor të Portit të Durrës, është licencuar për kryerjen e shërbimit stivador dhe ka të njëjtën licence dhe të njëjtin objekt të aktivitetit me shoqëritë e tjera të ngarkim-shkarkimit dhe aktivitetet e lidhura me to për mallrat rifuxho, “ASC” Sh.p.k, “Liburnët 1″ dhe “Egnatia-1″, të cilave i’u është refuzuar aksesi për të operuar në terminalin lindor nga ana e Koncesionarit.
Autoriteti i Konkurrencës ka konstatuar se nga analiza e provave të administruara nga ana e shoqërisë Ankuese ASC sh.p.k; rezultateve të nxjerra në raportin e auditimit në Portin e Durrësit nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit; provave të siguruara nga ana e korrespondencës me Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës; si edhe monitorimit të realizuar nga Grupi i Punës, rezulton se: mund të jemi para shkeljes së ligjit të konkurrencës, ku përcaktohet se përbën abuzim nga ana e një ndërmarrje me pozitë dominuese: refuzimi për të ofruar shërbime/produkte, refuzimi për të lidhur kontrata si edhe zbatimi i kushteve të pabarabarta për veprime të njëjta me palët, duke i vendosur ato në kushte të pabarabarta konkurrence.
Për këtë arsye, Komisioni i Konkurrencës vendosi hapjen e Procedurës së Hetimit Paraprak në tregun e shërbimit të ngarkim-shkarkimit dhe aktivitetet e lidhura me to për mallrat rifuxho në Terminalin Lindor të Portit të Durrësit. Hetimi Paraprak do të përfshijë periudhën kohore nga dita e nesërme e nënshkrimit të Kontratës Koncesionare, datë 6 Maj 2013, me objekt “Menaxhimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Terminalit Lindor në Portin e Durrësit”, me palë “EMS Shipping & Trading GmbH” dhe Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, deri më datë 28.02.2017.