Nga sot rriten çmimet për përdorimin e transportit urban

695
Duke filluar nga dita e sotme, pra nga data 1 shkurt 2016, qytetarët e Tiranës do të paguajnë më shtrenjtë për të udhëtuar në linjat e transportit urban. Përkatësisht një biletë do të kushtojë 40 lekë nga 30 lekë që ka qenë. Rritje kanë pësuar edhe abnoetë mujore të të gjitha linjave. Miratimi për rritjen e çmimit për përdorimin e transportit urban është bërë nga Këshilli Bashkiak i Tiranës në datën 30 dhjetor 2015, ku me propozim të Bashkisë së Tiranës u përcaktuan dhe çmimet, përkatësisht bileta do të rritej me 33%, pra, nga 30 lekë që ishte shkon 40 lekë. Aboneja e përgjithshme nga 1.200 lekë, tashmë kushton 1.600 lekë, ndërkohë që aboneja e një linje nga 900 lekë, tashmë kushton 1.200 lekë. Rritje nuk ka pasuar aboneja e studentit, e cila kushton aq sa ishte, pra 600 lekë, edhe pse ky shërbim për fat të keq nuk ofrohet për studentët, pasi këto abone në shumicën e rasteve shiten në treg të zi, ose u shiten studentëve nga faturinot me çmim shumë herë më të lartë nga sa është normalisht, çmim që shkon deri në 1.000 lekë. Kjo situatë ka penalizuar të gjithë studentët, që nuk kanë mundësi të sigurojnë dot një abone të përgjithshme me çmimin aktual. Ndërkohë që numri i këtyre të fundit është dhe i limitur, pasi aktualisht nxirren në shitje vetëm 300 të tilla. Lidhur me këtë fakt, studentët janë ankuar për mungesën e aboneve të studentit në pikat e shitjes së aboneve. 
Qytetarët nuk pranojnë rritjen e çmimit të biletës dhe abonesë
Rritja e çmimit të biletave dhe aboneve nga ana e bashkisë, nuk është pritur aspak mirë nga qytetarët, të cilët shprehen se kjo që po ndodh nuk është e drejtë, pasi çmimet po rriten, por kushtet e shërbimit janë mizerabël. Asnjë nga kushtet e përcaktuara nga bashkia nuk respektohet nga thuajse të gjitha linjat. Duke rënduar në kurrizin e të gjithë qytetarëve që paguajnë aq sa u thuhet, por nuk u ofrohet shërbim cilësor, ashtu siç pretendohet nga bashkia. Qytetarët shprehen se do e kundërshtojnë këtë vendim duke mos paguar biletën dhe duke mos blerë abonetë mujore deri sa kjo situatë të rregullohet dhe që kushtet e premtuara të ofrohen, duke mos i lënë ato të shkruara vetëm në letër. Sipas qytetarëve shërbimi i transportit urban lë shumë për të dëshiruar, duke pasur shumë probleme në ofrimin e shërbimit, duke filluar nga mosrespektimi i orareve, pasi urbanët mbushen tej kapacitetit të lejuar, sjellja e personelit të linjave apo dhe kushtet higjienike që në shumë raste janë skandaloze. Qytetarët, të indinjuar shprehen se, çmimet rriten me një të rënë të lapsit, ndërsa kushtet e ofruara për qytetarët mbeten mizerabël.
Çmimet – Ishin – Bëhen
– Bileta 1-udhëtimshe nga 30 lekë në 40 lekë;
– Aboneja për një linjë nga 900 lekë në 1.200 lekë;
– Aboneja e përgjithshme nga 1.200 lekë në 1.600 lekë;
– Aboneja e studentit 600 lekë (nuk ndryshon);
Nënkryetari Arbian Manziku: Gjobë dhe heqje licence për çdo linjë transporti, që nuk respekton rregullat e vendosura
Nga njëra anë janë qytetarët, që kundërshtojnë rritjen e çmimit të biletës, duke e konsideruar atë të padrejtë për shkak të mungesës së kushteve bazë dhe nga ana tjetër bashkia e Tiranës me rritjen e çmimit premton se do sjellë edhe përmirësim të shërbimit. Në një prononcim, nënkryetari i Bashkisë, Arbian Mazniku ka bërë publike 10 masat që duhet të merren nga çdo linjë transporti. Për të siguruar këtë, nënkryetari ka theksuar se Bashkia e Tiranës do vërë në terren policinë Bashkiake Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit për të parë ecurinë. Sipas tij, AMK dhe Policia Bashkiake do të kenë për detyrë kontrollin në mënyrë të vazhdueshme të të gjitha linjave. Nënkryetari Mazniku është shprehur se, në rastet kur do të evidentohet shkelje e këtyre kushteve, do të merren masa ligjore ndaj kompanive respektive, masa që mund të shkojnë deri në heqjen e licencës, në rast se shkeljet përsëriten. 
10 kushtet për kompanitë e transportit publik
1. Të respektohet me rigorozitet orari i fillimit dhe mbarimit të shërbimit;
2. Të respektohet frekuenca në stacionet e autobusëve;
3. Të respektohet shpejtësia e lëvizjes së mjeteve, në mënyrë që mjetet të mos lëvizin më ngadalë se ajo që duhet;
4. Gjatë kryerjes së shërbimit, mjetet do të qëndrojnë në çdo stacion të linjës, për të mos kapërcyer stacionet, siç ndodh ndonjëherë;
5. Të gjithë mjetet e transportit publik qytetas të udhëtarëve do të jenë të pajisura me emrin e linjës, ngjyrën, numrin e dokumentacionit të nevojshëm në mjetet dhe shenja të tjera të identifikimit;
6. Mjetet e transportit publik duhet të jenë të pajisur me kondicionerë funksionalë, të cilët duhet të jenë gjithmonë në punë;
7. Mjetet e transportit publik duhet të jenë të pastër, si nga jashtë ashtu edhe nga brenda;
8. Kompanitë do të vendosin në mjediset e jashtme të transportit, informacionet për oraret, itineraret dhe frekuencën e lëvizjes, si dhe duhet të pajisin mjediset e brendshme të mjeteve me informacione për oraret, itineraret dhe frekuencën e lëvizjeve;
9. Personeli i mjeteve të transportit publik duhet të jetë i pajisur me uniformë, elementë identifikimi përkatës;
10. Përmirësimi i marrëdhënieve me qytetarët, nuk do të tolerohet asnjë keqkomunikim me qytetarët.
Sigal