Nga shpërfillja e policisë, paralizohet në paraburgim një 28-vjeçar

498
Sigal

Një 28-vjeçar i paraburgosur në qytetin e Sarandës, nga një infeksion që ka marrë prej disa ditësh ka pësuar paralizim të pjesshëm. Bledi Ruçi, i dënuar për vrasje, dikur futbollist i Bistricës, nga paraliza që pësoi nuk shikon më nga njëri sy si dhe nuk flet dot. Familjarët e 28-vjeçarit akuzojnë drejtorin e paraburgimit të Sarandës për këtë gjendje të djalit. Nena e tij thotë se prej 1 jave djali ishte ankuar, por asnjë prej drejtuesve të paraburgimit nuk ishte përgjigjur për ta çuar për të kryer vizitat përkatëse. Sot ai ndodhet në spitalin e burgut në Tiranë, në gjendje të rëndë. “Në datën 19 ka marrë dënimin dhe pas 10 ditësh djali është sëmurur. Ka kërkuar ndihmë me ditë të tëra, një javë të tërë dhe nuk i dhanë asnjëlloj ndihme. Me merr në telefon dhe më thotë, mama jam sëmurë dhe këta nuk më çojnë për tu vizituar. Pastaj me sa duket ata dëgjuan bisedën që bëri me mua dhe e çuan në spitalin e Sarandës, por e kishin lënë në gjendjen që djali është i paralizuar. Ka të paralizuar gojën, syrin, është në gjendje të rëndë.”- deklaroi nëna e tij. “Jam shokuar në momentin e parë që kam parë vëllain në atë gjendje kritike. Nga djalë dy metra, i stërvitur ta gjesh në atë gjendje, për mua ka qenë shokuese”,- deklaron vëllai i 28-vjeçarit. Nëna e 28-vjeçarit kërkon që drejtori i paraburgimit të paguajë shpenzimet, pasi ajo nuk ka mundësi sepse është e papunë, dhe sipas saj, drejtori gjithashtu të mbajë përgjegjësi ligjore. “Dua ndihmë nga shteti tani. Ata që e bërën kështu, personi që e bëri, ai përfaqëson shtetin atje ku është, drejtori i paraburgimit të mbajë përgjegjësi. Unë dua djali të më shërohet, të vi unë të paguaj të tëra shpenzimet, ne jemi pa punë të tërë, babai u ka vdekur. Të gjejë mënyrën të ma shërojnë djalin. Të mbajë përgjegjësi ligjore.”-shprehet nëna.