Nga Prezenca e OSBE-së – Rezultatet e Indeksit të Transparency International për Shqipërinë përbëjnë shqetësim serioz

667
Rezultatet e Indeksit të Transparency International për Shqipërinë përbëjnë shqetësim serioz, thotë Kryetari i Prezencës së OSBE-së Ambasadori Bernd Borchardt
Transparency International publikoi rezultatet e Indeksit për Perceptimin e Korrupsionit për vitin 2017 më 22 shkurt 2018, duke e renditur Shqipërinë në vend të 91-të mes 180 vendeve dhe territoreve në këtë indeks, një rënie prej tetë vendesh që prej vitit 2016. Shqipëria shënoi 38 nga 100 pikë gjithsej.
Lufta ndaj korrupsionit në sektorin publik mbetet një nga sfidat më të mëdha të botës, ku shumica e vendeve u indeksuan si vende që kanë bërë “pak ose aspak progres” në luftën ndaj korrupsionit.
Në Evropën Juglindore, fusha si gjyqësori, zbatimi i ligjit, liria e shtypit dhe shoqëria civile janë më të prekurat.
Transparency South-Eastern Europe u shpreh se në Shqipëri është bërë progres sa i takon trajtimit të korrupsionit në nivele të ulëta në sektorin publik, por shumë më shumë duhet bërë për çështje më të mëdha si korrupsioni në gjyqësor.
“Fenomeni i korrupsionit në vend vazhdon të përbëjë shqetësim serioz,” tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Ambasadori Bernd Borchardt. “U bëjmë thirrje institucioneve publike dhe organeve ligjzbatuese në Shqipëri të vazhdojnë me zbatimin e reformave në drejtësi dhe reformave kundër korrupsionit në përputhje me rekomandimet dhe detyrimet ndërkombëtare të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit”.
Borchardt tha se institucionet publike duhet të jenë më llogaridhënëse për punën e tyre dhe zyrtarët duhet të jenë më transparentë në vendimmarrje: “Edhe qytetarët duhet të luajnë rolin e tyre duke mos e toleruar dhe përkrahur këtë fenomen”.
Korrupsioni mbetet veçanërisht i vështirë për t’u hetuar dhe për t’u ndjekur penalisht. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri bën thirrje për forcimin e llogaridhënies së administratës publike, institucioneve të pavarura dhe për hetim të pavarur të korrupsionit.
“Rezultati i Indeksit të këtij viti kërkon përpjekje të intensifikuara për ta luftuar këtë fenomen. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri shpreh keqardhjen që prirja pozitive që ekzistonte që nga viti 2013 (duke e çuar Shqipërinë nga një numër i vogël prej 31 pikësh në 39) u përmbys më 2017-ën dhe mbetet e përkushtuar ta mbështesë Shqipërinë në luftën e saj kundër korrupsionit,” tha Borchardt.
Sigal