Hyqmet Zane: Muret e “Berlinit” që nuk shemben në Shqipëri

117

Nga Hyqmet Zane 

Vitaliteti gjerman ka qenë gjithnjë i njohur dhe potencialisht edhe si makineri pushtuese, por edhe si makineri ndërtuese. Ata, gjermanët e pësuan nga lufta e tyre për pushtimin e vendeve të tjera. Ata i pushtoi nazizmi dhe kur u çliruan nga kjo ideologji, ditën të çliroheshin nga ideologjia e së keqes dhe fituan Gjermaninë. U ndanë në dy copa të mëdha dhe përsëri mbetën gjermanë të fortë dhe me karakter, vitalë, edhe pse të ndarë me një mur të cilësuar “Muri i Berlinit” që e ndau kryeqytetin dhe vendin në dy botë: atë Lindore dhe atë Perëndimore.

Kaluan shumë dekada dhe një ditë ata e rrëzuan murin e ndarjes dhe rifituan Gjermaninë dhe sot janë një fuqi evropiane me nam në botë për vitalitetin e tyre si punëtorë dhe ngadhënjyes mbi të keqen duke manifestuar forcë dhe në një farë forme edhe supermaci. Rënia e Murit të Berlinit u bë një mesazh i madh për Lindjen komuniste që e shembën ideologjinë sunduese social-komuniste dhe rikthyen sytë nga ndërtimi i një jete të re me parime demokratike. Këtu qëndron edhe vlera e gjermanëve që ditën të rrëzojnë murin e tyre ideologjik më shumë se muri fizik dhe që u bënë shembull pozitiv për të rrëzuar shumë lloj muresh fizikë, mendorë, psikologjikë, shpirtërorë dhe ideologjikë. Në Shqipëri gjithashtu u ça bunkerizimi i vendit dhe sistemit dhe u tha që u ndryshua nga diktaturë në demokraci. Nga 1991 e deri më sot kanë kaluar plot 28 vjet dhe, nëse shqiptarët u çliruan nga ideologjia diktatoriale dhe fituan lirinë e lëvizjes, të shprehjes dhe të mendimit, bashkudhëtare me këtë realitet pozitiv na kanë shoqëruar si hije pas shpine intrigat e Sigurimit të Shtetit që me njerëzit e tyre kanë ngritur bunkerë të rinj. Por vit pas viti këta shqiptarë që iu gëzuan këtij lloj “çlirimi” si më 1944 nga pushtuesit italianë dhe gjermanë, nuk ka se si të mendosh se para shqiptarëve janë ngritur mure të rinj që i kanë penguar për të shkuar në Evropë. Me keqardhje them se shqiptarët kanë ngritur mure në mendjet e tyre ngaqë realisht ndryshoi sistemi, por nuk ndryshuan njerëzit. Një fjalë e urtë thotë se për të ndryshuar një shoqëri, para së gjithash, gjithçka duhet të fillojë nga ndryshimi i çdo njeriu në mendjen dhe në shpirtin e tij, si në teorinë e këndvështrimit të realiteteve dhe në praktikën e sjelljes në këtë shoqëri. Me dëshpërim përjetojmë se para shqiptarëve herë pas herë ngrihen mure të natyrave të ndryshme, që janë muret e krimit, muret e trafikimit, janë muret e kanabizimit, por më shumë se kaq janë ngritur muret e keqpërdorimit të pushtetit dhe muret administrativë që troç duhet thënë se janë muret e korrupsionit. Shumë vonë, edhe pse në vitin 2019, shqiptarët kuptuan se këto mure nuk i ngriti sistemi, por njerëzit, qeverisja, mendësia e ideologjisë paranojake me reminishencat e së shkuarës.

Përpjekjet e shqiptarëve dhe qeverive të njëpasnjëshme në këto 28 vjet për të shkatërruar muret që kishte ngritur diktatura me ideologjinë e saj dhe me simbolet e saj bunkerët e luftës donkishoteske, duket se kanë sjellë zhgënjime sa e ka shkruar aq bukur i madhi Dritëro në poezinë “Trishtimi”, ku poetizon :

“Po iki me trishtim, i zhgenjyer nga miqtë,
E mbylla dhe derën qe rrinte e hapur
Për lajkatarët, për rrenacakët e smirëzinjtë
Që shtireshin engjëj të dashur”.

Në vargjet e këtij gjiganti të fjalës ka aq shumë mesazhe dhe aq shumë detaje për të portretizuar njerëz dhe qeveri, për të tipizuar sjellje dhe mendësi që ngritën mure të paqenë, por shkatërrues më shumë se Muri i Berlinit. Nëse Muri i Berlinit u rrëzua se ishte fizik, material, këto mure që u janë ngritur shqiptarëve janë më të vështirë për t’u rrëzuar, se janë të futur në gjak, në tru, në shpirt e në zemër dhe këto mure nuk ka doktor që i shkul, nuk ka ilaç çudibërës që t’i “rrëzojë’. Truri i shpërlarë për 45 vjet dhe ndërtimi i njeriut të ri sipas idealeve komuniste po jep sot frytet e këndvështrimeve sipas ideologjisë së ndarjes mes nesh dhe atyre, si armiq mes shqiptarësh që ngrenë mure që po na zënë sytë dhe po na shtypin dëshirat. Ndaj dhe shqiptarët kanë gjetur një mënyrë për të shpëtuar nga këto mure: Të ikin e të ikin, veç të mos mbeten peng i mureve të qeverisjeve. Por a është kjo zgjidhja për të rrëzuar muret? Jo, se ato mure do mbeten po brenda vendit, duke i ndarë shqiptarët si dikur në partizanë e ballistë, në socialistë dhe demokratë dhe, duke mos gjetur gjuhën e mirëkuptimit, sepse një palë ka psikologjinë e bunkerizimit sipas idesë së njëshit, ndërsa pala tjetër nuk po gjen forcën e rrëzimit të këtyre mureve dhe shkatërrimit të bunkerëve që ende edhe sot e kësaj dite na është servirur një i tillë, simbolikisht në mes të Tiranës si për të na thënë se “këtu në bunkerizim do futeni të gjithë ju që do rrini në Shqipëri”.

Nobelisti indian Rabindranad Tagora ka pohuar – Ai komb i cili nuk i ndreq gabimet e kaluara, duke ndёrtuar tё tashmёn, nuk ka se si tё ketё tё ardhme, është i destinuar tё zhduket”. Ndoshta jemi kombi i vetëm në Evropë që nuk kemi menduar asnjëherë për të ndrequr gabimet, por i kemi thelluar keq e më keq ato si të thuash, kemi nostalgji për kohën e gabimeve të bëra dhe na duket se mbi të kaluarën ngrihet e ardhmja duke ngritur mure e bunkerë sepse jemi ushqyer nga idea e privacimit nga ndryshimi për t’i shembur ato mure e për t’i shkatërruar këta bunkerë që na kanë zënë frymën dhe po na marrin jetën.