Nga 593 ‘bejlerët’ e komunave, vetëm 7 prej tyre deklaruan pasurinë

782
Beteja politike për dekriminalizimin e politikës e shtetit shqiptar, duhet të ketë vetëm një start: Ajo duhet të nis me “skanerin” e pasurive të shtetarëve e zyrtarëve me status të dekretuar, të emëruar apo të zgjedhur nga populli dhe të çfarëdo niveli detyre qofshin, që nga presidenti, ministrat, shefat e policisë e deri tek kryetarët e komunave! Mjafton të bësh këtë dekriminalizim dhe zbulon krimin gjigand që është bërë me financat dhe pasuritë kombëtare shqiptare prej “ushtrisë” së politikanëve, shtetarëve, pushtetarëve lokalë dhe zyrtarëve të tjerë qendrorë e lokalë të cilat kanë pasur e kanë në dorë “vulë e firmë” vendimesh e urdhrash. Pjesë e kësaj “ushtrie” shtetarësh të babëzitur janë kryetarët e komunave, të cilët në vitet e sundimit të tyre si “bajraktarë” të zonave, kanë krijuar prona, biznese e llogari bankare të shumta, por që pas 23 qershorit (pas riorganizimit të pushtetit lokal) dorëzuan detyrën “pa ua hapur thesin” e pasurive…! Këtë “punë” që nuk e bëri ILDKP, rezulton se kanë nisur ta bëjnë organet hetimore të krimit ekonomik-financiar, të cilët kanë kërkuar informacion të detajuar për çdo kryetar komune, lidhur me pasuritë që kanë pasur përpara marrjes së detyrës, gjatë viteve të mandatit dhe pas lënies së detyrës më 23 qershor 2015. 

Para marrjes së mandatit ishin varfanjakë, sot janë… “agallarë”?! 

Në këto 23 vite tranzicion me emrin “demokraci” (i thënçin), konstatohet fakti tronditës, që shtetarë e të zgjedhur në çdo nivel, sa janë bërë ministra, drejtorë, shef doganash, hekurudhe, rrugësh, tatimesh, policie, ushtrie, universitetesh, pyjesh, bregdeti, zyrash pune, hipotekash, arsimi, arkivash, ujësjellësish, portesh detare, spitalesh, kulture, drejtues inspektoratesh kontrolluese, mediash zyrtare, drejtues ushqimi, aeroportesh, energjie, minierash apo prefekturash, qarqesh, bashkie e komunash, brenda pak ditëve kanë ndryshuar “lëkurën” (nivelin e jetesës)! Ka një fakt që e dinë gjithë banorët e zonave ku kanë jetuar kryetarët e komunave: Përpara se të “gradoheshin” në funksione zyrtare, ata kanë pasur nivel jetese të ulët, ose mesatar, madje edhe me reputacion dhe me nivel të ulët intelektual e arsimor (afro 70% me dëftesa gjimnazi e diploma false)! Por të kandiduar për kryetar komunash vetëm “për merita” si familjarë, fis, militantë partie, si qokaxhinj, drekaxhinj e zvarranik pervers ndaj shefave të tyre politikë e shtetëror, apo si blerës të “kolltukëve” me dhurata trojesh e “zarfash financiar” për “bosët” e partive e të ministrive. Ndërsa po njihesha me dosjen hetimore për pasuritë e krye-komunarëve “sheikë”, pyeta në disa zona dhe më thanë: – “Përpara se të gradoheshin drejtues komunash, ata kanë jetuar me bukë me listë, me veshje të blera tek firma “Gabi”, me borxhe nëpër komshinj, me abone autobusi në xhep, me shtëpi me tavane, dritare e dyer të kalbura, me këpucë të riparuara, me avlli pa gardhe, me fëmijë, që nuk mbushnin dot barkun me bukë… e madje laheshin me kanoçe”! Ndërsa pas hipjes në kolltukët e pushtetit, janë bërë “agallarë” me pasuri “sulltanësh” me troje, toka bujqësore, biznese, apartamente në qendër të qyteteve e në plazhe, me rezidenca gjigande e luksoze në fshatrat e tyre dhe në fshatrat turistikë! Ata kanë në pronësi hotele e motele, vreshta, fabrika agro-ushqimore, ferma bagëtish, makina luksoze, linja inertesh e fëmijë që studiojnë në universitetet më të shtrenjta të botës! Si arritën këta 308 kryetarë komunash të deri 23 qershorit 2015, që 1 natë përpara marrjes së mandatit të ishin “me opinga lopësh”, ndërsa tashmë në fund të 1, 2 e 3 mandateve të jenë… “agallarë”?! 

Fakti/ 593 drejtues komunash të 12 viteve të fundit, me pasuri e llogari bankare të mëdha

Sot po ndalemi tek “Dosja speciale” me titull “Pasuritë e krye-komunarëve” e cila është skeduar nga zyrat e krimit ekonomik-financiar policor, prej prokurorisë në rrethe e qarqe dhe prej shërbimeve të tjera hetimore, lidhur me pasuritë e drejtuesve të komunave, 55% e të cilave kanë vila e biznese, deri në SHBA. Dosja përmban të dhëna konkrete për pasuritë e ish-kryetarëve të 308 komunave të 20 viteve të fundit, numri i të cilëve ka qenë 1117 drejtues. Lënda kryesore, i përket hetimit të bërë për pasuritë e 593 kryetarëve që kanë drejtuar komunat në 12 vitet e fundit në të 308 komunat e Shqipërisë! Hapja e dosjes së pasurive të kryetarëve të komunave, do të nis me pasuritë e 308 kryetarëve të 308 komunave, që kanë lënë detyrën më 23 qershor 2015, nxjerr jashtë loje prej ri-organizmit të territorit të vendit me 61 bashki. Skedimi i pasurive të secilit është bërë mbi vëzhgimet në terren, mbi evidentimet në zyrat hipotekore e banka, mbi verifikimet tek zyrat avokatore e noteriale për të zbuluar transaksionet, mbi bazën e informacioneve të grumbulluara e servirur prej SHISH dhe prej agjentëve të krimit ekonomik të hedhur për veprim në zona. Raporti hetimor për pasuritë e kryetarëve të komunave, pranon se deri tani janë zbuluar vetëm 40% e pasurive reale që kanë kryetarët e komunave, mbasi ato janë fshehur me mënyrat që tashmë dihen e lejohen edhe ligjërisht! Sipas raportit, rezulton se kryetarët e komunave janë pasuruar duke dhënë licenca e tapi tokash me 3-5 mbivendosje emrash e pronash. Janë pasuruar duke dhënë leje ndërtimi abuzive, duke shitur troje, duke dhënë licenca për dru që zhdukin pyjet, duke dhënë licenca për gurore që kanë zhdukur kodrat, duke zhvatur tokat e banorëve, duke dhënë licenca për rërë e zhavorr që kanë zhdukur lumenj e përrenj, licenca për tregje që kanë qelbur zonat, licenca për depozitim e përpunim plehrash që kanë helmuar dhe kancerizuar qendrat e banimit, licenca për varreza makinash e gjithçka që “prodhonte” miliona për ta e për shefat në krye të shtetit e partive, paçka se krijonte “xhungël” mjedisore e krim ndaj ligjit dhe ndaj jetës së komunitetit! Në “letrat zyrtare” të 308 komunave në Shqipëri, ka skandale me përmasa krimi ekonomiko-financiar gjigand, të bërë prej krye-komunarëve. Askush prej tyre, nuk deklaron pasuritë reale që ka. 

Në 12 vite, vetëm 7 nga 593 “bejlerët” e 308 komunave kanë deklaruar pasuritë!

Ka një skandal që ka lejuar kryetarët e komunave, të mos japin asnjë shpjegim për pasuritë prej “sheikësh”, që kanë vendosur brenda 1, 2 e 3 mandatesh vetëm me… pagën mujore si kryetar komune! Fakti është ky: Pasuritë e kryetarëve të komunave, nuk janë hetuar, nuk janë investiguar dhe nuk janë kontrolluar as nga SHISH, as nga Këshillat e Qarqeve, as nga prefekturat, as nga tatimorët, as nga qeveria, as nga ministria e pushtetit lokal, as nga shërbimi i krimit ekonomiko-financar. Nuk e dimë, se përse është heshtur ndaj këtij “batalioni boshibozukësh” të babëzitur të vendosur në krye të 308 komunave, të cilët kanë zhvatur prona dhe kanë gëlltitur miliarda lekë fonde publike të paguara nga taksat e shqiptarëve për shërbime social-ekonomike e infrastrukturore ndaj komunitetit. Por dimë faktin, që “çetë” në krye të shtetit, politikës e drejtësisë që ka sunduar në këto 23 vite, ka heshtur me qëllim, që “raca hajdute” e kryetarëve të komunave të lihet e lirë të bëjë batërdinë me pasuritë dhe financat kombëtare, duke i kthyer në pasuri e llogari personale, por edhe në “qoka” për “shefat e shtabit”. Një tjetër fakt skandaloz me heshtjen ndaj deklarimit, kontrollit dhe verifikimit të pasurive të kryetarëve të komunave është fakti, që qysh në 12 vite, qysh nga dita e krijimit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), 593 “bejlerë” komunash në 308 komunat e Shqipërisë, kanë deklaruar pasuritë vetëm 7 kryetarë komunash. Ndërsa 586 të tjerët, jo vetëm nuk kanë bërë deklarime, por as u është kërkuar deklarim dhe as janë “shqetësuar” prej Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), për të zbatuar ligjin, qoftë edhe formalisht, mbasi të dy palët si “bejlerët” e paprekshëm të komunave edhe “komanda” e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) e ka detyrim zbatimin e ligjit. Sipas informacioneve që disponon gazeta “Telegraf”, vetëm 20 ditë më parë, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), vendosi një “tufë” me gjoba ndaj ish-kryetarëve të komunave dhe i detyroi ata për deklarim të pasurive, por kjo ndodhi në fillim të shtatorit 2015, pra 2 muaj pasi ata u zbritën nga “kolltukët” e tashmë vazhdojnë jetën në bizneset e tyre, ndërkohë që 35% e tyre janë “graduar” në zyra e funksione të tjera shtetërore po prej shefave të partisë e të qeverisë, të cilët i kanë “ushqyer” në vitet kur komandonin komunat. 
————————————————————-
Ja 7 kryetarët e komunave, që kanë deklaruar pasuritë
1. Agron Agalliu-Golem
2. Besnik Fuçia-Kashar
3. Besnik Abedini-Ksamil
4. Dashnor Aliko-Lazarat
5. Fatbardh Plaku-Farkë
6. Kujtim Qefalia-Dajt
7. Ylli-Kupi-Petrelë
————————————————
Ja disa nga komunat, ku drejtuesit e 12 viteve të fundit, janë pjesë e dosjes “Abuzim dhe pasurim kriminal”
Rrethi Gjirokastër
1. Komuna Picar
2. Komuna Cepo
3. Komuna Dropull i Poshtëm
4. Komuna Lazarat
5. Komuna Lunxhëri
6. Komuna Qendër
Rrethi Fier
1. Komuna Levan
2. Komuna Libofshë
3. Komuna Qendër
4. Komuna Ruzhdije
5. Komuna Zharrëz
Rrethi Tiranë
1. Komuna Bërxullë
2. Komuna Farkë
3. Komuna Krrabë
4. Komuna Ndroq
5. Komuna Paskuqan
6. Komuna Petrelë
7. Komuna Vaqar
8. Komuna Zall-Bastar
Rrethi Dibër
1. Komuna Kala e Dodës
2. Komuna Lurë
3. Komuna Maqellarë
4. Komuna Muhur
5. Komuna Zall-Dardhë
Rrethi Berat
1. Komuna Kutalli
2. Komuna Otllak
3. Komuna Poshnje
4. Komuna Velabisht
5. Komuna Vërtop
Rrethi Bulqizë 
• Komuna Fushë-Bulqizë
• Komuna Ostren
• Komuna Shupenzë
• Komuna Trebisht
• Komuna Zerqan
Rrethi Delvinë
1. Komuna Finiq
2. Komuna Vergo
Rrethi Devoll
1. Komuna Miras
2. Komuna Progër
3. Komuna Qendër (Bilisht)
Rrethi Vlorë
1. Komuna Brataj
2. Komuna Kotë
3. Komuna Novoselë
4. Komuna Qendër (Vlorë)
5. Komuna Sevaster
6. Komuna Shushicë
7. 
Rrethi Durrës
1. Komuna Ishëm 
2. Komuna Katund i Ri 
3. Komuna Maminas 
4. Komuna Rrashbull 
5. Komuna Xhafzotaj 
Rrethi Elbasani
1. Komuna Bradashesh
2. Komuna Funarë
3. Komuna Grekan
4. Komuna Gjinar
5. Komuna Mollas
6. Komuna Shalës
7. Komuna Shirgjan
8. Komuna Shushicë
9. Komuna Zavalinë
Rrethi Gramshi
1. Komuna Kodovjat
2. Komuna Kushovë
3. Komuna Shenepremte
4. Komuna Skënderbegas
5. Komuna Tunjë
Rrethi Kavajë
1. Komuna Golem
2. Komuna Gosë
3. Komuna Kryevidh
4. Komuna Synej
Rrethi Kolonjë
1. Komuna Barmash
2. Komuna Çlirim
3. Komuna Novoselë
4. Komuna Qendër (Ersekë)
5. Komuna Qendër (Leskovik)
Rrethi Korçë
1. Komuna Drenovë
2. Komuna Gorë
3. Komuna Pirg
4. Komuna Pojan
5. Komuna Qendër (Korçë)
6. Komuna Voskopojë
Rrethi Kuçovë
1. Komuna Kozare
2. Komuna Perondi
Rrethi Kukës
1. Komuna Bicaj
2. Komuna Shishtavec
3. Komuna Shtiqën
4. Komuna Terthorë
5. Komuna Topojan
Rrethi Kurbin
1. Komuna Milot
2. Komuna Fushë-Kuqë
Rrethi Lezhë
1. Komuna Balldre 
2. Komuna Blinisht 
3. Komuna Dajç 
4. Komuna Kallmet 
5. Komuna Shënkoll 
6. Komuna Zejmen 
Rrethi Tropojë
1. Komuna Fierzë
2. Komuna Lekbibaj
3. Komuna Margegaj
4. Komuna Tropojë
Rrethi Librazhd
1. Komuna Hotolisht
2. Komuna Qendër (Librazhd)
3. Komuna Qukës
4. Komuna Stravaj
Rrethi Lushnje
1. Komuna Dushk
2. Komuna Fier-Shegan
3. Komuna Golem-Lushnje
4. Komuna Karbunarë
5. Komuna Krutje
6. Komuna Tërbuf
Rrethi M. Madhe
1. Komuna Gruemirë
2. Komuna Kelmend
3. Komuna Qendër (M. Madhe)
Rrethi Mallakastër
1. Komuna Fratar
2. Komuna Greshicë
3. Komuna Hekal
4. Komuna Qendër
Rrethi Mati: 10 komuna
1. Komuna Derjan
2. Komuna Lis
3. Komuna Macukull
4. Komuna Suç
5. Komuna Ulëz
Rrethi Hasi
Komuna Golaj
Komuna Gjinaj
Rrethi Mirditë
1. Komuna Fan
2. Komuna Kaçinar
3. Komuna Orosh
Rrethi Peqin
1. Komuna Gjocaj
2. Komuna Pajovë
3. Komuna Përparim
Rrethi Përmet
1. Komuna Sukë
2. Komuna Ballaban
3. Komuna Çarshovë
4. Komuna Piskovë
Rrethi Pogradec
1. Komuna Buçimas
2. Komuna Çërravë
3. Komuna Udënisht
4. Komuna Velçan
Rrethi Pukë
1. Komuna Gjegjan
2. Komuna Fierzë
3. Komuna Qerret
Rrethi Sarandë
1. Komuna Aliko
2. Komuna Ksamil
3. Komuna Livadhja
4. Komuna Lukovë
5. Komuna Xarë
Rrethi Shkodër
1. Komuna Bërdicë
2. Komuna Bushat
3. Komuna Dajç
4. Komuna Guri i Zi
5. Komuna Postribë
6. Komuna Rrethinat
7. Komuna Velipojë
Rrethi Skrapar
1. Komuna Bogovë
2. Komuna Potom
3. Komuna Qendër
Tepelena: 2 bashki dhe 6 komuna
1. Komuna Buz
2. Komuna Memaliaj (Fshat)
3. Komuna Krahës
4. Komuna Kurvelesh
5. Komuna Luftinjë
———————————————————————-
Pa koment
Ja çfarë detyron ligji mbi deklarimin dhe kontrollin e pasurive të funksionarëve të shtetit
Ligji Nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive,, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, ndryshuar me Ligjin Nr. 9367, dt. 07. 04. 2005, me Ligjin Nr. 9475, dt. 09. 02. 2006, me Ligjin Nr. 9529, dt. 11. 05. 2006, me Ligjin Nr. 85/2012, datë 18. 09. 2012 dhe me Ligjin Nr. 45/2014, datë 24. 04. 2014
Neni 3-pika “ç”
ç) prefektët, nënprefektët, kryetarët e këshillave të qarqeve, kryetarët e bashkive, të njësive bashkiake dhe të komunave
Neni 4
Afati dhe objekti i deklarimit/ Subjektet e përcaktuara në nenin 3 të këtij ligji detyrohen të deklarojnë në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave brenda datës 31 mars të çdo viti, gjendjen deri më 31 dhjetor të vitit paraardhës të interesave private, burimet e krijimit të tyre, si dhe të detyrimeve financiare si më poshtë:
a) pasuritë e paluajtshme dhe të drejtat reale mbi to;
b) pasuritë e luajtshme, të regjistrueshme në regjistrat publikë;
c) sendet me vlerë të veçantë mbi 300 000 (treqindmijë) lekë;
ç) vlerën e aksioneve, të letrave me vlerë dhe pjesët e kapitalit në zotërim;
d) vlerën e likuiditeteve, gjendje në cash jashtë sistemit bankar, në llogari rrjedhëse, në depozitë, në bono thesari dhe në huadhënie, në lekë ose në valutë të huaj;
dh) detyrimet financiare ndaj personave juridikë dhe fizikë, të shprehura në lekë ose në valutë të huaj;
e) të ardhurat personale për vitin, nga paga ose pjesëmarrja në borde, komisione ose çdo veprimtari tjetër që sjell të ardhura personale;
ë) licencat dhe patentat që sjellin të ardhura.
f) dhuratat dhe trajtimet preferenciale, përfshirë identitetin e personit fizik ose juridik, prej nga vijnë apo krijohen dhuratat a trajtimet preferenciale. Nuk deklarohen dhurata ose trajtim preferencial kur vlera e tyre është më e vogël se 10 000 (dhjetë mijë) lekë, si dhe kur dy e më shumë dhurata ose trajtime preferenciale, të dhëna nga i njëjti person, së bashku, nuk e kalojnë këtë vlerë, gjatë së njëjtës periudhë deklarimi;
g) angazhime në veprimtari private me qëllim fitimi ose çdo lloj veprimtarie që krijon të ardhura, përfshirë çdo lloj të ardhure, të krijuar nga kjo veprimtari ose ky angazhim;
gj) interesa privatë të subjektit, që përputhen, përmbajnë, bazohen ose burojnë nga marrëdhëniet familjare apo të bashkëjetesës;
h) çdo shpenzim i deklarueshëm, me vlerë mbi 300 000 (treqind mijë) lekë, i kryer gjatë vitit të deklarimit.
Sigal