Nga 3 prilli, urgjenca mjekësore më e shpejtë, gati Qendra e Komandës

660
Përfundon instalimi i pajisjeve të Qendrës Kombëtare të Komandës, e cila do të marrë thirrjet e urgjencave në të gjithë vendin dhe më pas do të bëjë rakordimin me ekipet mjekësore, duke marrë parasysh vendndodhjen e urgjencës dhe autoambulancën që është më afër saj. Me riorganizimin e sistemit të urgjencës është parashikuar edhe ndryshimi i vendndodhjes së autoambulancave në të gjithë vendin, duke mos qenë më të stacionuara në një pikë të vetme, por të shpërndara edhe në periferi të qyteteve apo edhe fshatrave, të cilët janë në distancë të largët.

Ky ndryshim është marrë në mënyrë që ekipet mjekësore të jenë sa më pranë rasteve të urgjencës, për të shkurtuar kohën e pritjes dhe ofrimit të ndihmës mjekësore.

Kështu, nëse thirrja e një urgjence vjen nga autostrada Tiranë- Durrës, do të jetë autoambulanca e stacionuar në Vorë ajo, që do të merret me trajtimin e urgjencës, në mënyrë që të eliminojë kohën e shkuarjes së autoambulancës nga Tirana. Të gjitha thirrjet telefonike do të drejtohen në numrat pa pagesë 112 dhe 127, ndërkohë që Qendra Kombëtare e Komandës do të nisë funksionimin e saj të plotë në 3 prill.

Autoambulancat & Aparaturat
Këtë vit në të gjithë vendin do të jenë në funksion njëherësh 127 autoambulanca, nga 70 që kanë qenë deri më tani. Për pasojë është rritur buxheti për mirëmbajtjen e tyre si dhe shtimi i ekipeve mjekësore në mënyrë që të gjitha mjetet të jenë në funksion 24 orë. Ndërkaq, përveç shtimit të numrit të autoambulancave në sistemin e urgjencës, një risi tjetër është edhe pajisja e 20 prej tyre me aparatura të fjalës së fundit, siç janë defibrilatorët.

Kjo pajisje mjekësore bën të mundur kryerjen e EKG-së, njohjen e infarktit të miokardit, kryerjen e goditjes elektrike si dhe përdorimin e terapisë elektrike nëpërmjet këtij monitori në rastet e aritmive për pacientët me çrregullime kardiake. Po kështu është realizuar edhe kompletimi me medikamente dhe materiale mjekësore, të cilët do të ndikojnë në përmirësimin e dhënies së shërbimit mjekësor.

Trajnimi i personelit 
Në funksion të përmirësimit të cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve, personeli mjekësor i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore është trajnuar në Ukla të Izmirit në Turqi. Në këtë trajnim u trajtuan tema të ndryshme që kanë të bëjnë me organizimin e sistemit të urgjencës në të gjitha nivelet, tipi i automjeteve të përdorura në këtë shërbim, mënyrën e organizimit, etj. mënyra e alarmit, trajtimi universal i arrestit kardiak, menaxhimi dhe trajtimi i pacientit kritik, menaxhimi dhe trajtimi bazë dhe i avancuar i rrugëve të frymëmarrjes, trajtimi i pacientit në aksidente rrugore, mobilizimi dhe zbatimi i protokolleve të traumës ishin disa nga temat kryesore që u trajtuan për fushën profesionale.

Po ashtu, personeli i QKUM-së është trajnuar edhe në tema si: Mënyra e veprimit dhe bashkëpunimit të shërbimit të urgjencës paraspitalore në rast eventi madhor dhe bashkëpunimi me shërbimet e tjera të urgjencës si policia dhe zjarrfikësja, mënyra e veprimit dhe e koordinimit të ekipit në helikopter, protokollet e veprimit të personelit mjekësor në helikopter, medikamentet e përdorimit në urgjencën paraspitalore, etj. Në të njëjtën mënyrë u trajtuan të gjitha argumentet e mësipërme për sa i përket urgjencave mjekësore pediatrike. Ky trajnim do të vazhdojë me grupe të tjera të personelit mjekësor në këtë Qendër me grupe heterogjene të spitaleve, me mjekë dhe infermierë të shërbimit paraspitalor. Urgjenca 24 orë Ndërkaq, shërbimi i urgjencës mjekësore, pas riorganizimit, është tashmë prezent në territor në disa pika të qarkut të Tiranës.

Autoambulanca, stafi mjekësor, i përbërë nga dhënësi i ndihmës së parë (drejtuesi i automjetit), si dhe një infermier, janë të stacionuar në disa zona të qarkut të Tiranës, ashtu sikundër në të gjitha qarqet e vendit. Kështu, në Qendrën Shëndetësore numër 6 në kryeqytet, në zonën e Kombinatit është e vendosur një autoambulancë, e pajisur me staf mjekësor, e cila është e gatshme për t’ju përgjigjur thirrjeve dhe nevojave të qytetarëve në çdo moment, përgjatë 24 orëve. Më herët, ministri Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka bërë të ditur, se “brenda prillit do të kemi dhe një rinovim të flotës së autoambulancave”.
Sigal