Nga 1 shtatori, kontrolle për makinat me targa të huaja

82

Qëndrimi i përkohshëm i makinave për përdorim privat, ja udhëzimi i ri i doganës

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka nxjerrë një udhëzim të ri mbi Regjimin e Lejimit të Përkohshëm të Automjeteve për përdorim privat i cili do të hyjë në fuqi në datën 1 shtator 2014. Ky udhëzim qartëson procedurat që do të ndiqen për rastet e automjeteve të destinuara për përdorim privat, të cilat importohen në Shqipëri nën Regjimin e Lejimit të Përkohshëm. Udhëzimi shpreh qartë faktin se çdo përpjekje për të sjellë në Shqipëri automjete të cilat importohen nën këtë regjim, për përdorim të përhershëm apo për interesa ekonomikë, për rishitje apo për pjesë këmbimi, do të konsiderohet si e jashtëligjshme dhe do të ndëshkohet. “Këto automjete, të cilat shihen shpesh teksa të qarkullojnë me targa të huaja në rrugët e Shqipërisë, nuk kanë shmangur vetëm pagesën e taksave dhe të importit, por kanë shmangur edhe kontrollet e detyrueshme vjetore. Përpos kësaj, një pjesë e madhe e tyre, për të mos thënë të gjitha, janë të pasiguruara. Këto automjete nuk përbëjnë vetëm një barrë financiare për pjesën tjetër të shoqërisë, të cilët i kanë regjistruar automjetet e tyre në bazë të ligjit, por përbëjnë edhe një rrezik për sigurinë publike”- thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Doganave.

 Më tej sqarohet se prej muajit shkurt të këtij viti, grupet e përbashkëta operative të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Crown Agents kanë ndërmarrë një numër të madh kontrollesh në ambientet e shitësve të makinave të përdorura, varrezave të makinave, si edhe të personave fizikë. “Në 6 muajt e fundit, këto grupe të përbashkëta operative kanë bllokuar rreth 400 automjete të cilat kishin hyrë në Shqipëri nën Regjimin e Përkohshëm të Automjeteve dhe nuk ishin larguar kurrë prej vendit. Përveç mbledhjes së detyrimeve doganore, Doganat kanë mundur të mbledhin një shumë të konsiderueshme të ardhurash nga gjobat që janë vënë në secilin rast”- përfundon njoftimi nga doganat.

 

UDHËZIMI

Kush përfiton nga Regjimi i Lejimit të Përkohshëm të importit të një automjeti për përdorim privat?

 1. Vizitorët jo-rezidentë që vizitojnë Shqipërinë me automjetet e tyre për periudha të shkurtra kohe dhe që dalin përsëri jashtë Shqipërisë me automjetet e tyre;

2. Studentët, mjekët dhe shkencëtarët që vizitojnë apo punojnë në Shqipëri për periudha kohe të caktuara;

3. Individët që janë rezidentë jashtë Shqipërisë dhe që kanë vendin e punës në Republikën e Shqipërisë;

Cilat janë kushtet e përgjithshme të Regjimit të Lejimit të Përkohshëm të importit të një automjeti për përdorim privat?

 1. Automjeti duhet të ketë regjistrim të përhershëm jashtë Shqipërisë;

2. Automjeti mund të përfitojë nga regjimi i lejimit të përkohshëm për një periudhë prej 6 muajsh brenda çdo periudhe prej 12 muajsh;

3. Në përfundim të kësaj periudhe, automjeti duhet të dalë nga vendi ose duhet të deklarohet e të zhdoganohet nga autoritetet doganore. Dalja e përkohshme në vendet fqinjë nuk shërben për të ri-numëruar/ri – filluar periudhën 6-mujore të lejimit;

4. Automjeti nuk mund të përdoret nga asnjë njeri tjetër, përveçse nga anëtarët e familjes. Personi që e ka sjellë automjetin në vend nuk mund të lerë automjetin në Shqipëri në momentin e daljes nga territori i vendit;

5. Automjeti nuk mund të shitet, të ndërrojë pronësinë, apo të përdoret për qëllime tregtare;

 

Kur konsiderohet importi i përkohshëm i një automjeti për përdorim privat si rast kontrabande?

Kur një automjet është i regjistruar përkohësisht jashtë territorit shqiptar dhe në momentin e hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë NUK deklarohet tek autoritetet doganore shqiptare për të kryer procedurat e tranzitit, ky veprim konsiderohet  si “kontrabandë me automjete”.

Cilat janë sanksionet që zbatohen në rastin e shkeljes së regjimit të lejimit të përkohshëm?

1. Çdo shkelje e kushteve të sipër-përmendura konsiderohet kundërvajtje administrative dhe dënohet sipas ligjit;

2. Penalitetet llogariten në bazë të shumës së detyrimeve të papaguara dhe periudhës kohore gjatë së cilës kjo shumë nuk është paguar;

3. Të gjitha detyrimet e importit llogariten në bazë të datës së hyrjes së parë në territorin e Shqipërisë;

4. Kur shkelësi paraqitet vetë pranë autoriteteve doganore për t’i dhënë destinacion automjetit, p.sh.: për hedhje për qarkullim të lirë, penalitetet llogariten në shumën e  50% të detyrimeve të papaguara;

5. Nëse shkelësi nuk paraqitet pranë autoriteteve doganore dhe ndalohet nga autoritetet doganore apo nga punonjësit e Policisë së Shtetit brenda gjashtë muajsh përtej përfundimit të afatit të lejuar prej gjashtë muajsh të Regjimit të Lejimit të Përkohshëm, penalitetet llogariten në shumën e 75% të detyrimeve të papaguara;

6. Nëse shkelësi nuk paraqitet pranë autoriteteve doganore dhe ndalohet nga autoritetet doganore apo nga punonjësit e Policisë së Shtetit pas më shumë se gjashtë muajsh përtej afatit të lejuar prej gjashtë muajsh të Regjimit të Lejimit të Përkohshëm, penalitetet llogariten në shumën e 100% të detyrimeve të papaguara;

7. Nëse automjeti ka shkelur periudhën gjashtë – mujore të lejimit të përkohshëm si dhe përdoret nga persona të paautorizuar, masa e penalitetit që zbatohet varion nga 50,000 në 200,000 Lek;

8. Nëse një individ ka kryer më shumë se një kundërvajtje administrative, secila shkelje ndëshkohet në veçanti;

ix. Për rastet e kontrabandës zbatohen penalitetet sipas përcaktimeve të neneve të Kodit Doganor në lidhje me kontrabandën.

Gati projekti, shoferët që aksidentohen paguajnë më shumë sigurime

 Bëhet fjalë për një projekt, ku shoferët shqiptarë do të paguajnë sigurimet në varësi të mënyrës se si i japin automjetit. Kush bën më shumë aksidente do të detyrohet të nxjerrë më shumë para nga xhepi për policinë e sigurimit. Sipas nën/drejtorit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Mati Pepa, faza e parë është përmbyllur dhe synimi është rritja e ndërgjegjësimit të qytetarëve, kur janë në timon. “Ky është qëllimi kryesor, jo vetëm në përcaktimin e mirë të çmimit të sigurimit, por edhe të përmirësojë sjelljen e qytetarëve në rrugë. Duke e ditur qytetari, që nesër kur të vijë radha e pagesës së sigurimit, do të paguajë më tepër, do të fillojë të mendojë për një sjellje më të mirë në rrugë. Përveç gjobave dhe masave të tjera që ka marrë policia, kjo është një masë, ku edhe vende të tjera europiane e konsiderojnë si të vlefshme”, – tha Pepa. Ky projekt përfshin më shumë kompanitë e sigurimeve pasi do të jenë ato që do të evidentojnë cilësitë e drejtuesve të automjeteve duke realizuar një sigurim individual dhe jo të njëjtë për të gjithë. “Pas përmbylljes së këtij projekti, do të jetë shumë mirë edhe për qytetarët, por edhe për tregun e sigurimeve. Pasi, përfundimisht tarifat e sigurimit do të jenë të individualizuara. Sot, ai që ka shkaktuar dëm edhe që ai që nuk ka shkaktuar dëm, kanë të njëjtin çmim. Janë kompanitë e sigurimeve ata që do ta përdorin dhe ne kemi gjetur bashkëpunim të plotë”, – shtoi nën/drejtori i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.