Nesër nis punë kompania publike e pastrimit Eco Tirana, qytetarët ndajnë mbetjet në burim

619
Sigal

 

Veliaj: “Qytetarët t’i ndajnë mbetjet në shtëpi në dy
qese të veçanta, ky është një shans historik për të ndryshuar Tiranën”

 

Zona brenda Unazës
së Tiranës, që është identifikuar edhe si zona e kuqe, ku do të përqendrohet
fillimisht puna e kompanisë publike Eco Tirana, nga nesër do jetë më e pastër.
Kurse qytetarët që banojnë në këtë zonë do të kenë mundësi të ndajnë mbetjet në
shtëpitë e tyre, në dy qese të veçanta: në mbetje të riciklueshme dhe mbetje të
pariciklueshme. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizitoi mjediset e
kompanisë Eco Tirana në “Don Bosko”, ku u njoh me asetet saj dhe punonjësit e
rekrutuar, të cilët do të bëjnë grumbullimin e mbetjeve dhe menaxhimin e situatës
në terren.

 

Kryebashkiaku
Veliaj shprehu besimin në suksesin e kësaj kompanie dhe misionin për të
praktikuar në Tiranë një metodë të re të grumbullimit të mbeturinave, të ndara
në mbetje të riciklueshme dhe të pariciklueshme. Por, ai tha se që ky sukses të
jetë i garantuar, lind nevoja për bashkëpunim nga qytetarët, të cilët duhet të
bëjnë ndarjen e mbetjeve sipas dy kategorive që në shtëpitë e tyre. “Jam
shpresëplotë që do të kemi një bashkëpunim të suksesshëm me qytetarët. Që kjo
të jetë një histori suksesi do duhet që, nga nesër, secili në familjen e vet,
ashtu si janë trajnuar edhe fëmijët nëpër kopshte e shkolla, t’i ndajë
mbeturinat: Ato që mund të riciklohen i vendos në një qese (plastikë, alumin, letër,
karton, shishet e presuara) dhe mandej i hedh në koshin e gjelbër, kurse
mbetjet e tjera, kryesisht ushqimore që nuk riciklohen, i vendos në një qese
tjetër, për t’i hedhur në koshin blu”, shtoi Veliaj.

 

Ai theksoi
se kjo është e vetmja mënyrë moderne që Europa dhe gjithë vendet e civilizuara
përdorin për të bërë ndarjen në burim të mbeturinave, duke reduktuar ndotjen
dhe shmangur mbingarkesën në landfille. “Por, kjo nuk bëhet nëse nuk
bashkëpunojmë. Të gjithë themi se e duam Shqipërinë si gjithë Europa, ky është
një shans për t’u sjellë si europianë. Nëse secili prej nesh sillet si europian,
atëherë edhe Tirana do të jetë europiane. Është shumë e rëndësishme t’iu kërkoj
qytetarëve bashkëpunim, që t’i ndajnë mbetjet para se të dalin nga shtëpia, në
dy qese të veçanta, e mandej të respektojnë investimin qe kemi bërë”, theksoi
kryetari i Bashkisë së Tiranës. Veliaj bëri të ditur se kompania do të ketë në
terren edhe njësi të lëvizshme që do të kontrollojnë të gjitha rrugët brenda
zonës, ku do të shtrijë veprimtarinë.

 

“Jo vetëm që
do të kemi një pastrim modern të rrugëve, jo vetëm që do të kemi kosha të
diferencuar, por do të kemi edhe disa njësi të lëvizshme me biçikleta, pra edhe
transporti do të jetë ekologjik, që qytetarët të kenë mundësi të shikojnë në
nivel kapilar në çdo rrugicë, në çdo cep, në çdo qoshe, në çdo shesh sesi bëhet
pastrimi i qytetit. Mezi pres që të shikojmë rezultatet e para, fillimisht tek
ajo që quhet zona e kuqe, pra brenda Unazës. Gradualisht, gjatë gjithë vitit
tjetër do të zgjerohemi edhe në zona të tjera të Tiranës”, tha Veliaj.

 

Ai ka
falenderuar të gjithë nxënësit e shkollave dhe të rinjtë që u bënë pjesë e
fushatës së ndërgjegjësimit të qytetarëve të Tiranës, për ndarjen e mbetjeve në
burim, duke theksuar se kjo kompani dhe kjo nismë është një shans për të
ndryshuar një herë e përgjithmonë kulturën e pastrimit në Tiranë. “Kemi një
shans historik që të bëjmë ndryshimin në Tiranë. Besoj se të gjithë qytetarët e
Tiranës, do t’i bashkohen këtij shansi historik për ta pasur Tiranën qytetin më
të pastër në Ballkan. Por na duhet edhe pak përpjekje nga të gjithë”, përfundoi
Veliaj.