Nesër festohet Kurban Bajrami, Bruçaj: Të jemi më solidarë!

640
Më 1 shtator festohet dita e Kurban Bajramit. Kreu i Komunitetit Mysliman, Skënder Bruçaj në mesazhin përkatës për këtë ditë, u bëri thirrje besimtarëve që të bëhen solidarë me njerëzit në nevojë, me jetimët dhe me të gjithë ata që presin përkujdesin dhe vëmendjen tonë.

Bruçaj: Të jemi më mëshirues e tolerant, duke respektuar njeri-tjetrin dhe të lutemi që ditët e festës të vazhdojnë pa reshtur për të gjithë njerëzimin mbarë. Le të lutemi e të festojmë të bashkuar dhe të flasim vetëm një gjuhë, atë të dashurisë, falënderimit dhe ndihmës reciproke me synimin e fitimit te kënaqësisë së Zotit. Më lejoni t’ju uroj përzemërsisht të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, Gëzuar Kurban Bajramin me lutjen që të shtohet mirëkuptimi, dashuria për njëri-tjetrin dhe të ketë paqe e mirësi në çdo fole familjare e shoqërore.

Besimtarët myslimanë në Tiranë do të falin namazin e Bajramit në orën 06:50 minuta në sheshin “Skënderbej”.

Ndërkohë, pas faljes së bajramit priten edhe kurbanët, ku një pjesë e të cilëve shpërndahen për nevojtarët.

Bajrami i kurbanit që përcaktohet sipas kalendarit hënor (hixhri), fillon në ditën e dhjetë të muajit Dhulhixhe dhe vazhdon katër ditë. Quhet kështu sepse në këtë festë theret kurban.

Personat, të cilët i plotësojnë kushtet e përcaktuara në aspektin fetar, e kanë vaxhib (të domosdoshme) të therin kurban.

Personi obligohet me therjen e një kurbani kur është mysliman, me mendje të shëndetshme dhe adult; nuk duhet të jetë udhëtar dhe duhet të zotërojë mundësi financiare minimale të përcaktuara fetarisht për t’u quajtur i pasur.
Sigal