Nepotizmi në bashkinë e Finiqit dhunon rëndë të moshuarit

2283
Agron MEMA
FINIQ: Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Dhivër në bashkinë e Finiqit ditën e hënë, por edhe qytetin e Sarandës kur qytetarët kanë parë një të moshuar të përgjakur kokë e këmbë t’i drejtohet komisariatit të policisë së Sarandës. Ka qenë e moshuara 75 vjeçare, Llambro Buba, që e dhunuar fizikisht nga fqinjët Ilia dhe Stavrulla Sterjo (bashkëshortë), është drejtuar për ndihmë dhe denoncim në komisariatin e policisë së Sarandës. Specialistët e komisariatit policor të Sarandës e kanë drejtuar për ekspertizë mjekësore në spitalin civil të qytetit “Petro Nako”, por nuk kanë vepruar më tej ndaj dhunuesve të 75 vjeçares së vetmuar nga Dhivri. Pas vizitës në spital, e moshuara është drejtuar tek gazeta “Telegraf” ku ka dhënë edhe detaje të kësaj ndodhie tronditëse dhe të dhimbshme. 
Është rrahur barbarisht deri në fraktura e në gjakosje një femër, një grua, një nënë, një e moshuar e vetmuar dhe policia nuk ka vepruar ndaj dhunuesve , por pret ekspertizën mjekësore, ndonëse është një rast flagrant i hapur dhe që ka tronditur opinionin publik , si në Dhivër, ashtu edhe në Sarandë. Po ç’farë na thotë vetë e moshuara 75 vjeçare? Ja ç’farë tregon: “Kam vite që edhe në ish komunën tonë, por edhe në bashkinë Finiq që prej dy vitesh të formimit të saj, që kërkoj të bëj një kanal të vogël për kullimin e ujërave të shiut në anë të sokakut që hyj për në shtëpi. Fjalë të bukura e punë pa mbaruar. Kryetari i bashkisë Finiq më thotë se vendimi është marrë dhe së shpejti do përfundojë kjo punë. Por dy vjet e tash, shikoni se ç’farë pune mbaruan. Koha e keqe më detyroi që për të mos u përmbytur, të merrja një thes çimento dhe të betonoja një pjesë të rrugicës time para portës, si dhe kanalin anës gardhit për kullimin e ujërave të shiut, pa prekur asnjë milimetër nga gardhi i fqinjit Ilia Sterjo. Por papritur, të dy burrë e grua, me të bërtitura që të tromaksin, m’u drejtuan dhe më goditën me grushte e shkelma, më hodhën në kanalin përbri dhe filluan goditjet me gurë në të gjithë trupin. Nuk di sa ndenja në kanal e mbytur nga gjaku, u përmenda dhe erdha këtu, në komisariat si e vetmja shpresë. Them e vetmja shpresë, se edhe herë tjetër jam dhunuar, me fraktura të rënda në trup e kokë, por policia e zonës, vetëm ka ardhur dhe nuk ka bërë asgjë dhe e shoh që nuk do bëjnë asgjë. Ndaj erdha në gazetë që mbase dëgjon ministri i ri e të më ndihmojë se jam e kërcënuar, jo vetëm me dhunim, por edhe me jetën time. Por në do ta dish, mor djalë, ti edhe gazeta e njerëzia, Ilia i bën këto se dhëndëri i tyre, Kristo Llajo, është punonjës i administratës, shef finance i njësisë administrative të Dhivrit, ndërsa dhëndëri i Kristos është administrator i njësisë administrative të Dhivrit nën juridiksionin e bashkisë Finiq. Janë të njëri-tjetrit dhe mbajnë njëri-tjetrin, ndaj hesht edhe policia, e ndaj më gënjen edhe bashkia. Edhe herë tjetër kanë ndodhur dhunime fizike karshi meje. Kur isha në Greqi tek fëmijët, morën skrepin dhe më prishën portën. Ndërsa administratori i njësisë së Dhivrit, Niko Papa, pas ankesës sime, erdhën dhe e panë, nuk folën po ia shtruan me raki tek krushku. Jo vetëm kaq, por ky Nikoja, administratori i njësisë së Dhivrit, është edhe përgjegjës i HEC-it të Leshnicës dhe në këtë cilësi i ka vendosur plakës Llambrini një milion lekë gjobë me pretendimin se paska lëvizur sahatin elektrik, por unë nuk e di se ku ndodhet, deklaron plaka trup imët, e jo më të vete të lëviz sahatin. Janë hakmarrje njëra pas tjetrës që arritën deri këtu,-përfundon plaka e dhunuar duke shtuar se ndjehet e kërcënuar dhe kërkon ndihmën e shtetit” 
Një nepotizëm që dhunon fizikisht komunitetit për interesa klienteliste dhe një qëndrim sehirxhi i bashkisë së Finiqit ndaj këtyre veprimeve. Një pushtet i heshtur ndaj halleve të popullit, patjetër që do sjellë pasoja dhune dhe kriminale ndaj zgjedhësve. Masa e parë që do të qe marrë nga kryebashkiaku i Finiqit, do të qe largimi nga detyra i administratorit të Dhivrit, ndërkohë që ka edhe aktivitetin privat në HEÇ-in e Leshnicës, dhe mandej të zgjidhte hallin e të moshuarës. Por bashkitë e jugut vuajnë nga nepotizmi, dypunësimi, mbajtja në punë e pensionistëve dhe mbytja e frymës së brezit të ri, veprime dhe realitete që janë denoncuar edhe nga KLSH-ja, por nuk e çan kokën njeri. Kryeministri shpalli programin dhe dha sihariq për çeljen e vendeve të punës, por vendet e punës mbahen peng nga pensionistët, të cilët zënë në bashkitë e ish n/prefekturës së Sarandës, rreth 40% të administratës, për të mos folur për ndihmën sociale, ku listat janë mbushur me të afërm të tyre që punojnë në Greqi e gjetkë dhe hallexhinjtë fryjnë sytë para mashtrimeve dhe portave të mbyllura të bashkive. 


Sigal