Nëna s’takon dot fëmijët në burg. Përmbarimi nuk zbaton vendimin

71
Që nga dhjetori i vitit 2013, kur u arrestua për “vrasje të mbetur në tentativë”, Edmira Xhaferri nuk i ka parë më dy fëmijët e saj.
Gruaja thotë se, ndërsa atë e dënoi gjykata, fëmijët po vuajnë një dënim nga familjarët e ish-bashkëshortit, të cilët po iu ndalojnë takimin me nënën.
Por ndërsa Gjykata e Fierit ka urdhëruar që dy herë në muaj, Edmira t’i takojë në burg të miturit, Përmbarimi nuk ka arritur ta zbatojë vendimin. Për këtë shkak, 30-vjeçarja i bën apel Avokatit të Popullit të ndërhyjë, sepse fëmijëve të saj po u shkelen të drejtat.
“E drejta më e madhe dhe më e parë është e drejta e nënës, e mëmësisë. Atyre iu është mohuar kjo. Një dënim të dyfishtë e kam këtë, sepse kur nuk shoh edhe fëmijët e mi, i tillë është dënimi. Gjykata ka dhënë dy vendime, njërin për mua dhe njërin për gjyshërit, apo prindërit e mi, të cilët kanë të drejtë t’i takojnë një herë në muaj për 4 orë. Asnjëherë nuk janë zbatuar”, thotë Edmira Xhaferri.
Por drejtoresha e Burgut të grave, Xhoi Jakaj pranon se, megjithë përpjekjet e institucionit për të mundësuar takimet me nënat në burg, mjaft fëmijëve nuk u garantohet kjo e drejtë.
“Unë kam edhe një apel. Ndonëse rezidencat e shtëpive të fëmijës në Tiranë, apo zona të tjera në Shqipëri, janë treguar korrekte me mua, sot për arsye logjistike, për arsye se nuk kishin mjete, nuk m’i sollën 5 prej fëmijëve”, tha Jakaj.
Aktualisht, në çerdhen e burgut janë vetëm dy fëmijë në moshën nën dy vjeç, të cilët mbahen nga nënat e tyre të dënuara.