“Nëna e largoi Marion se mori kërcënime”

274
Dhimbja për vrasjen e 28-vjeçarit nga Kinostudio, përcillet nëpërmjet fqinjëve, të cilët  rrëfejnë  se si e njohin familjen Majollari.

Një prej tyre pranoi se nëna e Marios kishte marrë një kërcënim. Policia skicoi intenerarin e vrasësit dhe familjarët dëshmuan në polici për takimin e fundit. Mediat suedeze kanë shkruar për vrasjen në Tiranë.

Dy ditë pas vrasjes për hakmarrje të 28-vjeçarit Mario Majollari në Kinostudio të Tiranës, fqinjët tregojnë si e kanë njohur të riun dhe familjen e tij.

Fqinja: Ishte i dashur me shokët.

Shoku i Marios: Si djalë ka qenë fantastik, ka qenë djalë punëtor. Hallet e veta, punët e veta.

Fqinja: Familje shumë shumë e mirë, një grua e padëgjuar.

Policia, nga ana e saj ka rindërtuar një skicim të dytë të intenerarit që mendohet se ndoqi 40-vjeçari Kastriot Gjuzi, pasi qëlloi me 4 plumba Majollarin, në orën 20:35 të 10 prillit.

Mendohet se ai u largua në këmbë fillimisht dhe më tej mori një makinë gri, për t’u drejtuar në banesën e tij, në Tufinë.

Policia e gjeti atje automjetin, ndërsa makina që u gjet e djegur në Fushë-Krujë, nuk rezulton se është përdorur prej tij.

Familjarët e Gjuzit pohuan në polici se për herë të fundit u takuan të martën dhe më tej fiku telefonin. Gjithësesi, në Kinostudio fqinjët përmendin një kërcënim që kishte marrë nëna e Marios, pasi ish-bashkëshorti i saj, Avni Majollari, ndodhet në burg përjetë për 2 vrasje.

Fqinja: Një kërcënim i kishte ardhur këtij dhe e ëma thonë se e kishte detyruar që të largohej.

Një prej shokëve të Marios e ka të vështirë të flasë për vrasjen.

Shoku i Marios: Më mirë të kisha vdekur unë se Mario.Të më kishte vrarë mua do të ishte më mirë.

Edhe mediat suedeze shkruajtën për vrasjen e Marios, ku thuhet se Gjykata e Migracionit në Göteborg vendosi të refuzojë kërkesën e 28-vjeçarit, sepse nuk konsiderohej si dëshmi e besueshme për ekzistencën e një kërcënimi real të gjakmarrjes.

Avokati i Majollarit është shprehur se kjo është tragjike dhe  se gjykata nuk i besoi atij.