Nën hetim 4 kompani për vjedhjet e fondeve të sinjalistikës Rrogozhinë-Kapshticë dhe Vorë-Hani Hotit

1130
Gazeta “Telegraf” ka denoncuar në disa numra rresht tenderat që janë bërë nga Ministria e Transporteve dhe në mënyrë të veçantë nga njësia vartëse e saj, Autoriteti Rrugor i Shqipërisë, të cilat më shumë kanë shërbyer për t’u ndarë midis drejtuesve të këtij dikasteri dhe firmave private, se sa për përmirësimin e rrugëve kombëtare. Pikërisht duke marrë shkas nga këto denoncime kompanitë “R.S & M” sh.p.k, “I.D.K -Konstruksion”, “Jubica” sh.p.k dhe “RSM Company” po hetohen nga Autoriteti i Konkurrencës për të vlerësuar nëse konkurrenca është penguar, kufizuar apo shtrembëruar gjatë tenderave publikë për shërbimet e përmirësimit dhe rifreskimit të sinjalistikës. Pasi ka shqyrtuar paraprakisht procedurat e prokurimit publik të dy loteve me objekt “Përmirësimi, rifreskimi i sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare dhe përmirësimi i sigurisë rrugore – vazhdimi”, Autoriteti i Konkurrencës nisi procedurën e hetimit të thelluar për tregun e prokurimit publik të shërbimeve të përmirësimit dhe rifreskimit të sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare për të vlerësuar nëse konkurrenca është penguar, kufizuar apo shtrembëruar. Në zbatim të Vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 376, datë 15.10.2015 “Për hapjen e hetimit paraprak në tregun e prokurimit publik me objekt “Përmirësimi, rifreskimi i sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare dhe përmirësimi i sigurisë rrugore – vazhdimi” Loti I dhe Loti II”, Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës ka ndjekur procedurat e hetimit paraprak në tregun përkatës.
Inspektimi në kompanitë, që operojnë në treg
Grupi i Inspektimit gjatë periudhës së hetimit kreu inspektimet e nevojshme pranë ndërmarrjeve që operojnë në treg, konkretisht pranë ndërmarrjeve: “R.S & M”, “I.D.K – Konstruksion” dhe “Jubica” sh.p.k. Nga shqyrtimi i dokumentacionit lidhur me dy lotet e procedurave të mësipërme rezulton se ndërmarrjet fituese në të dy lotet kanë qenë shumë pranë fondit limit (ofertat fituese 97% të fondit limit) si dhe ka një mungesë të pjesëmarrjes së operatorëve aktivë në tregun përkatës në procedurat e prokurimit në të dyja lotet”. Ndonëse bashkimi i operatorëve në lotin e parë ka fituar 63,42% dhe lotin e dytë 36.5%, sipas operatorëve që do te realizojnë të dy lotet kjo ndarje është 38% R.S&M, 24% Jubica dhe 25% IDK dhe Madekonst 13%.”. Pra, kjo është ndarje e tregut, pasi fituesit e prokurimit publik nuk kanë konkurruar për asnjë moment me njëri-tjetrin.
Kufizimi i konkurrencës 
Zhvillimi i procedurave të prokurimit për të njëjtin treg përkatës në dy zona të ndryshuara gjeografike, ku dy konkurrentë kanë krijuar një joint venture për një zonë gjeografike dhe konkurrenti tjetër ka marrë pjesë dhe është shpallur fitues në një tjetër zonë gjeografike. Sipas raportit “RSM Company” ka diferenca të ndjeshme në çmimin e ofertave”, por është përjashtuar në të dyja procedurat e prokurimit. Konkluzioni është se kjo kompani ose ka paraqitur ofertë mbuluese, ose është përjashtuar për të konkretizuar rezultatin e paracaktuar. Autoriteti i Konkurrencës ka vërejtur se ndërmarrjet të cilat kanë fituar këto procedura prokurimi me vlera ofertuese shumë afër fondit limit, nuk kanë konkurruar në të dyja lotët dhe mund të kenë përdorur skemën e rotacionit në ofertave duke ndarë tregun (duke përfituar pjesë përafërsisht të barabarta të fondit limit). Si përfundim, nga procedura e hetimit paraprak rezulton se vihen re shenja të kufizimit të konkurrencës në formën e një marrëveshje të ndaluar në prokurimet publike sipas parashikimeve të Ligjit nr. 9121, datë “28.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”(i ndryshuar), si dhe udhëzimit “Mbi luftimin e marrëveshjeve të ndaluara në oferta ne prokurimet publike”. Për këtë arsye, Autoriteti Konkurrencës ka vendosur të fillojë procedurën e hetimit të thelluar për tregun e prokurimit publik të shërbimeve të përmirësimit dhe rifreskimit të sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare për të vlerësuar nëse konkurrenca është penguar, kufizuar apo shtrembëruar. Realizimi i procedurës hetimore përfshin përveç procedurave të prokurimit “Përmirësimi, rifreskimi i sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare dhe përmirësimi i sigurisë rrugore, loti I dhe loti II” edhe procedura të tjera të ngjashme në akset rrugore kombëtare të zhvilluara gjatë viteve të fundit. Ndërmarrjet nën hetim janë: “R.S & M”, “I.D.K -Konstruksion”, “Jubica” dhe “RSM Company” dhe ndërmarrjet e tjera që mund të rezultojnë gjatë periudhës së hetimit të thelluar.
Tenderi, sipas Autoritetit Rrugor
Sipas të dhënave nga Autoriteti Rrugor, Lotët 1 dhe 2 lidhen me përmirësimin e sinjalistikës të segmentit Rrogozhinë-Kapshticë dhe segmentit Vorë-Hani i Hotit. Sipas të dhënave nga Agjencia e Prokurimeve Publike (njoftim i datës 30.09.2015), tenderin për “Përmirësimi, rifreskimi i sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare dhe përmirësimi i sigurisë rrugore – vazhdimi, loti 2”, e ka fituar “Jubica”, ndërsa operatori i skualifikuar ishte “RSM Company”. Ky aks rrugor fillon në Vorë dhe vazhdon deri në Hanin e Hotit dhe kishte një fond limit 499 836 637 lekë pa TVSH. “Jubica” dha një ofertë prej 484 339 653 lekë, ndërsa “RSM Company” ka paraqitur mangësi të mëdha në dokumentacion dhe është skualifikuar. Ndërsa për lotin 1, përmirësimi i sinjalistikës në segmentin Rrogozhinë-Kapshticë, pjesëmarrës në tender ishin I.D.K Konstruksion dhe RSM Company, ku fitues është shpallur I.D.K.
Sigal