Në Zyrat e Punës 194 mijë kërkesa, as 1 familjar shtetari e politikani, por të të gjithë të punësuar në shtet!

772
Sigal

Administratë shtetërore me drejtues e nëpunës… familjarë, fise, klane, socialistët e mashtruar, kanë nisur të blejnë gazetën “Çelësi”

Janë disa zyra shërbimesh shtetërore në Shqipëri, të cilat quhen “Zyra Pune” por që nuk po punësojnë askënd, përveçse bëjnë intervista, u mbajnë leksione lodhëse “viktimave” të papuna që mezi qëndrojnë në këmbë nga uria e stresi dhe që natyrisht, paguhen me ato rrogat e “majme” 2-3 herë më të larta se të policëve, mësuesve e minatorëve. E kemi fjalën për punësimin në Shqipëri, të reformuar sipas modelit “Veliaj”. Për cilën kategori shoqërore, janë hapur zyrat e punës?

 Dy “modele” punësimi: diskriminues-privilegjues

 Edhe pse përditë bëhen takime punësimi, koncerte e piknikë punësimi, hartohen politika e praktika punësimi, hapen ekspozita punësimi, bëhen “ballo bamirësie” për fonde punësimi dhe mbahen fjalime për barazi të drejtash sociale punësimi, faktet provojnë se e drejta e punësimit në Shqipëri është e ndarë dhe e servirur në dy “modele” shoqërore. Njeri “model” është diskriminues e shpërfillës, ndërsa “modeli” tjetër është privilegjues dhe përkëdhelës. Me “modelin” diskriminues e shpërfillës për punësim, po trajtohet i përhershmi “popull fukara”, individët që nuk kanë lidhje familjare, fisnore, miqësore, klanore, krahinore, ekonomike, financiare e interesash me politikanët dhe shtetarët. Ndërsa me modelin privilegjues e përkëdhelës për punësim, po trajtohen familjarët, të afërmit, miqtë, shokët, krushqia e shtetarëve dhe politikanëve. Sipas modelit diskriminues, shqiptarët që nuk bëjnë pjesë në “klikën” e shtetërore e politike (ose turma siç i quan politika) duhet të rropaten, të tallen, vërdallisen e mashtrohen për të kërkuar punë (bukë), duke bërë “temena” në Zyrat e Punës. Ndërsa sipas modelit përkëdhelës e privilegjues, familjarët dhe anëtarët e “klikës” shtetërore e politike, nuk duhet të ulin “hundën” e të shkojnë në Zyrat e Punës, por kanë të drejtën t’i zgjedhin me preferencë vendet e punës, në cilat zyra shteti e poste që dëshirojnë e t’ua çojnë në shtëpi vendimin.

Në 194 mijë kërkesa pune, as 1 aplikues familjar shtetari, por të gjithë në punë!

Sipas informacioneve që disponojnë Zyrat e Punës dhe vetë Shërbimi Kombëtar i Punësimit, në 11 muajt e fundit, në këto zyra janë paraqitur e kanë aplikuar për të kërkuar punë 194 mijë e 317 persona. Në këtë shifër, Shërbimi Kombëtar i Punësimit ka përfshirë edhe 13 mijë e 129 punëkërkues hallexhinj, që kanë aplikuar direkt në panairet e punës, zhvilluar në Tiranë, në rrethe e nëpër kampingje organizuar në hije pyjesh, ujëvarash e lëndinash prej ministrit “Lej Fen” Erjon Veliaj. Nëpërmjet burimeve tona brenda Zyrave të Punës në Tiranë, në 18 rrethe e 12 qarqe të vendit, mësuam se në listat e aplikuesve punë-kërkues, nuk ka asnjë emër babai, nëne, djali, vajze, vëllai, motre, krushku, dhëndri, nuse, mbese, nipi, kunati, baxhanaku, dajo, hallë, teze, vjehrri, vjehrre, shoku, miku të politikanëve e shtetarëve të çdo ngjyre politike. Në Zyrat e Punës, nuk gjen asnjë emër familjari e të afërmi kryeministri, zv/kryeministri, deputeti, ministri, zv/ministri, prefekti, zv/prefekti, drejtori, kryetari komune e bashkie, diplomati, gjyqtari, prokurori, kryepolici, biznesmeni të lidhur me politikën, kryetari këshilli qarku, kryetari partie të pushtetit e të opozitës në qytete, rrethe e qarqe. Edhe pse nuk figurojnë si aplikues punë-kërkues në Zyrat e Punës, të gjithë këta “soj e sorollop” të shtetarëve e politikanëve, janë të punësuar në zyrat e shtetit! Madje, janë të punësuar në funksione të larta drejtuese, në pozicione të zgjedhura shtetërore ku bëhet edhe kapardisje edhe pasuri, ku krijohen edhe klane të reja shoqërore. P.sh, në të gjitha ministritë, në kryeministri, presidencë, kuvend, në dogana, tatime, porte detare, aeroporte, ushtri, arsim, polici, në zyra shtetërore mjedisi, higjiene, bujqësie, transporti, në shëndetësi, universitete shtetërore, drejtësi, ambasada, naftë, ujësjellës, KLSH, CEZ, KESH, zyra shtypi, në Gardë, në Banka “Fullani”, në shërbimet e emergjencës civile, në rezerva shteti e kudo, deri në shoferë e dezhurnë institucionesh, janë të punësuar krejt familjarët dhe të afërmit atyre që komandojnë politikën dhe shtetin. Asnjë prej familjarëve të “pronarëve” të shtetit e politikës, nuk ka aplikuar për punë në Zyrat e Punës, por të gjithë janë të punësuar në zyrat e larta të shtetit dhe në administratën publike të çdo niveli. Sipas informacioneve tona, nga 89 mijë nëpunës zyrash që ka shteti në ministri dhe drejtoritë rajonale, afro 49 mijë janë me lidhje direkte familjare, klanore, krahinore, krushqie. Afro 27 mijë janë vazhdim i “zinxhirit” miqësor, krushqi, shoqëri, klane e grupe interesi punësuar prej zyrtarëve familjarë e klane të shtetarëve e politikanëve qendror dhe lokalë. Pjesa tjetër janë “pa fuqi”, ose siç quhen “roje zyrash”. Madje, është futur në veprim edhe një “model i ri” punësimi i familjarëve të politikanëve e shtetarëve: ministrat dhe drejtorët, për të maskuar nepotizmin, punësojnë familjarët e njëri-tjetrit nëpër institucionet që drejtojnë.

Administratë shtetërore me drejtues e nëpunës… familjarë!

Quhet administratë shtetërore, por në realitet janë familje e klane të mbledhur e të pozicionuar me poste e detyra në zyrat e shtetit, ku vetë propozojnë, vetë vendosin, vetë vulosin, vetë firmosin, vetë zbatojnë vendimet, vetë kontrollojnë zbatimin e vendimeve e të ligjeve. Në Vlorë, p.sh 80% e punësimeve të reja të bëra në administratën publike, porte, arsim, shëndetësi, mjedis, dogana, tatime, polici, ushtri janë familjarë bashkëshortë, fëmijë, vëllezër, motra, nipër, mbesa, baxhanakë, shokë, kunetër, ortakë biznesesh e individë të çdo lloj “kallëpi” nepotik e grup interesash të drejtuesve të lartë të partisë në zonë, të deputetëve, ministrave e drejtuesve qendror politikë të partisë në pushtet e në opozitë. Afro 70% e krejt administratës janë ende individë të rrjetës nepotike të ish-pushtetit të deri 23 Qershorit 2013, të cilët janë mbajtur në punë nga pushteti aktual, por si financues, ose bashkëshortë, miq, familjarë, ortakë, kunetër, “patriot”, krushq e shokë të politikanëve e shtetarëve të pushtetit “Rilindja” e të opozitës. Po kështu, në Korçë, Berat, Fier, Elbasan, Shkodër, Durrës, Lezhë, Gjirokastër e Peshkopi 80-90% e drejtorëve lokalë dhe nëpunësve e punonjësve të shërbimeve publike si në arsim, shëndetësi, dogana, tatime, polici, mjedis, porte detare, ushtri e deri në jetimore e morg, janë emëruar familjarë, miq e shokë të zv/kryeministrit, deputetëve, ministrave, drejtuesve politikë e shtetërorë lokalë dhe qendror. Askush prej tyre, nuk e ka emrin të regjistruar si punë-kërkues në Zyrat e Punës të rretheve e qarqeve përkatëse, por të gjithë janë të punësuar. Ata që janë lënë pa punë, ose që kanë qenë pa punë, vazhdojnë të respektojnë modelin “Veliaj”, të paraqitjes e vërdallisjes në Zyrat e Punës, në kërkim të një pune për t’u ushqyer!

Socialistët e mashtruar për punë, kanë nisur të blejnë gazetën “Çelësi”

Njoh shumë socialistë të papunë, të cilëve u ka rënë “bretku” dhe u është “shkundur qesja” në fushatën elektorale, madje, edhe me “plan grumbullimi votash”, të paracaktuar nga deputetët dhe drejtuesit e PS, si “kusht punësimi” pas ardhjes në pushtet. Prej 8 vitesh në opozitë si të papunë prej pushtetit të PD, ata bënë çdo sakrificë në emër të rikthimit të PS në pushtet. Prej 1 viti janë në pushtet, por vazhdojnë të jenë të papunë edhe në pushtetin e PS! Në biseda me socialistë të shpërfillur e të lënë pa punë, kam mësuar se kanë dërguar “CV” në PS lokale e në qendër. Kanë bërë dezhurn tek kafeneja e PS, tek porta e Kuvendit, tek “trau” i hyrjes së Parlamentit, tek makinat e parkuara, tek vilat dhe pallatet e deputetëve, ministrave, politikanëve të lartë e deri me ndërhyrje tek badigradët e tyre. Kanë bërë letra e kanë dërguar “biografi kontributesh” deri në kryeministri, tek zyra e kreut të PS-së, Edi Rama, te deputetët, ministrat, prefektët, drejtorët “VIP” në qendër, rrethe e qarqe. Madje, në kërkim të punës, kanë trokitur deri tek familjarët dhe “bosët” e restoranteve, ku drekojnë e darkojnë politikanë, ministra e deputetë, por nuk janë punësuar. Pas 1 viti lodhje e mashtrimi, duket se e kanë humbur shpresën e punësimit prej zyrave të partisë dhe deputetëve! Këtë “dorëzim” të anëtarëve dhe militantëve socialist, të gënjyer e të zhgënjyer e ndesha në një rast konkret. Pak ditë më parë, në një nga stolat e parkut përballë “Bibliotekës Kombëtare”, takova një militant të “tërbuar” të PS, me profesion mësues. Po lexonte gazetën “Çelësi”. Në një bllok, shënonte numra telefoni e oferta pune.

– Çfarë po bënë?- e pyeta.

– Ja po kërkoj mbase gjej ndonjë vend pune nëpër gazeta, se partia na e drodhi, na la përsëri në rrugë!,-m’u përgjigj ai.

 Tabela e papunësisë reale në 50 qendra banimi

1. Tiranë:         92 mijë

2. Kamëz:        19 mijë

3.Vorë:            9700
4.Durrës:         48000
5. Shijak:         9100
6. Sukth:          4800
7. Lushnjë:      21000
8. Shkodër:      32000
9. M.Madhe:  3300
10. Pukë:         2800
1. Delvinë:       2100
12. Kukës:       8400
13. Has:           1100
14. Memaliaj:  2700
15. Krujë:        9600
16. F-Krujë:     7900
17. Lezhë:       12800
18. Gjirok:       25400
19. Maliq:        2750
20. Mirditë:     6900
21. Laç:           6700
22. Selenicë:    1100
23. Dibër:        21300
24. Bulqizë:     4600
25. Burrel:       5200
26. Klos:          1900
27. Elbasan:     36500
28. Peqin:        3300
29. Cërrik:       2100
30. Gramsh:     2900
31. Librazhd:    2280
32. Përrenjas:   1100
33. Pogradec:   5180
34. Korçë:        34900
35. Maliq:         3700
36. Bilisht:        3200
37. Ersekë:       4400
38. Leskovik:   1130
39. Fier:           31200
40. Patos:        10600
41. Roskovec:  1370
42. Ballsh:        11200
43. Berat:         21.900
44. Kuçovë:     8700
45. U.Vajg:      2240
46. Çorovodë: 1300
47. Poliçan:     1400
48. Vlorë:        37900
49. Tepelenë:   2300
50. Sarandë:    7400

Përparim HALILI