NË VEND TË NJË LETRE TË HAPUR DREJTUAR KUVENDIT DHE QEVERISË SË SHQIPËRISË!

552
Zef Preçi

Nëse lajmet e dy ditëve të fundit, ende të pakonfirmuara por as të kundërshtuara nga agjencitë ligjzbatuese dhe qeveria shqiptare mbi ndërhyrjen e mafias ruse në sektorin shqiptar të naftës janë të vërteta, atëherë mund të pohohet në mënyrë të drejtpërdrejtë se ekonomia shqiptare është e rrezikuar seriozisht nga krimi i organizuar vendas dhe ai ndërkombëtar. Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare, më shumë se gjysma e kompanive strategjike në vend janë kompani offshore. Kjo do të thotë se nuk njihen aksionerët dhe pronarët e vërtetë të tyre, se këto kompani kanë të gjitha lehtësitë e ligjshme dhe të paligjshme për të eksportuar dhe fshehur fitimet e tyre, se në një numër syresh mund të dyshohet, jo pa baza, për përfshirje të përfaqësuesve të elitës politike drejtuese të vendit, por edhe se një pjesë e fitimeve nga aktiviteti mund të kenë përfunduar në xhepat e mafias ndërkombëtare e mund të përdoren kundër interesave të vendit. Rezultatet e shfrytëzimit të naftës e dëshmojnë qartësisht këtë konkluzion, ashtu sikurse trafiku i influencës i elitës politike në përcaktimin e nënkontraktorëve dhe në tolerimin e përmbushjes së detyrimeve fiskale është publikisht i njohur prej vitesh. Në këto kushte, publikisht e ftoj Kuvendin e Shqipërisë që të hetojë gjendjen e sektorit të naftës dhe posaçërisht të kompanisë ARMO, sepse besoj se jemi përpara një skandali të madh financiar, politik dhe korruptiv me përmasa ndërkombëtare dhe me përfshirjen e disa shteteve… Gjithashtu në zbatim të rekomandimeve zyrtare të Kontrollit të Lartë të Shtetit i bëj apel qeverisë shqiptare që të rishikojë me urgjencë kuadrin ligjor në fuqi rreth pranisë se këtyre kompanive në vendin tonë me synim rritjen e garancive për investimet dhe parandalimin e manovrave financiare që fshehin fitimet kolosale prej 10-15 vitesh në naftë, minerale, etj. Çfarëdo vonese në këtë drejtim nuk bën gjë tjetër veçse shton grabitjet e oligarkisë vendase dhe të huaj me ndihmën e elitës politike drejtuese të vendit. Në të njëjtën kohë i ofroj vullnetarisht qeverisë dhe Kuvendit ekspertizën time me qëllim që të bëhen të gjitha përpjekjet për rivendosjen e rendit ligjor, ekonomik e financiar në shfrytëzimin e pasurive natyrore në dobi të interesave publike. Në fund shpreh bindjen se nuk ka sektor të ekonomisë sonë kombëtare më të cenuar nga interesat private dhe të krimit të organizuar kombëtar dhe ndërkombëtar si dhe përfshirje më skandaloze të elitës politike post-komuniste se sa burimet natyrore të vendit. Prandaj çfarëdo zbardhjeje e realitetit në këtë sektor jep mundësinë për të materializuar edhe reformën në drejtësi duke rikthyer besimin e qytetarëve ndaj institucioneve të shtetit të së drejtës.
Sigal